Ndalimi i furnizimit me gaz nga Rusia drejt Europës përmes tubacionit të saj kryesor rriti frikën për thellimin e krizës energjitike në të gjithë rajonin, ndaj nga kjo e hënë euro ra nën 0.99 dollarë. Kështu monedha europiane ka arritur nivelin më të ulët të 20 viteve të fundit.

Në muajt e fundit, vlera e monedhës së përbashkët është ndikuar gjithnjë e më shumë nga çmimet e gazit natyror, pasi me rënien e euros çmimet e burimeve të energjisë rriten.

Evropa po përpiqet të heqë dorë nga furnizimet ruse dhe të krijojë rezerva përpara ardhjes së muajve të ftohtë të dimrit, por investitorët mendojnë se goditja në ekonominë e kontinentit do të jetë e madhe. Kujtojmë se pak para nisjes së luftës 1 euro vlente 1.15 dollarë.

Pse po bie euro?

Përkeqësimi i përgjithshëm i prespektivës së eurozonës mes rritjes së çmimeve të gazit dhe frikës se Rusia do të ndërpresë furnizimet me gaz natyror, e ka zvarritur monedhën e përbashkët. Mbështetja shumë e madhe te gazi rus e ekonomive të mëdha si Gjermania dhe Italia i ka bërë investitorët nervozë teksa specialistët e ekonomisë parashikojnë një recesion shumë më të shpejtë dhe të dhimbshëm në euro-zonë krahasimisht me SHBA-në.

Lexo po ashtu:  Kushtetuta si status në Facebook

Duke i shtuar kësaj problematike diferencën në nivelet e normave të interesit në SHBA dhe zonën e euros, vlen të theksohet se rezerva Federale e SHBA-së ka qenë shumë më agresive në rritjen e normave të interesit teksa lufton inflacionin. Ndërkohë që banka qendrore e SHBA-së ka rritur normat kyç të kombinuara me 225 pikë bazë që nga marsi, Banka Qendrore Evropiane (BQE) deri më tani e ka ekzekutuar vendimin vetëm për 50 pikë bazë.

Kështu dollari amerikan po përfiton nga tërheqja në një “strehë të sigurt”. Mes gjithë pasigurisë për ekonominë globale, investitorët po ngushëllohen me sigurinë relative që ofron dollari, duke qenë më pak i ekspozuar ndaj rreziqeve momentale.


Çfarë është barazia e dollarit?

Në thelb barazia është arritja e vlerave të tilla që 1$ të blejë 1€.

Niveli i barazisë është shpesh një pikë rezistence në të cilën “demat dhe arinjtë e euros” godasin brirët për të përcaktuar se në cilën drejtim do të shkojë monedha. Ky ishte rasti i muajit të shkuar kur euro shkoi drejt barazisë.

Si ndikon një euro më e dobët te konsumatorët?

Lexo po ashtu:  Kërcënon Lukashenko: Zelensky duhet të zgjedhë mes marrëveshjes me Putin dhe kapitullimit

Euro në rënie i shton barrën familjeve dhe bizneseve evropiane që tashmë janë në vështirësi kushtëzuar edhe nga shifrat rekord të inflacionit. Rrjedhimisht një monedhë e dobët shtrenjton importet, të cilat janë përgjithësisht të shprehura në dollarë. Kur artikujt e importit janë lëndë të para ose mallra të ndërmjetëm, kostot më të larta mund të rrisin çmimet për kosumatorët.

Në kushte normale, dobësimi i një monedhe pritet si lajm i mirë për eksportuesit dhe ekonomitë me eksporte të rënda si Gjermania. Por për shkak të problemeve globale të zinxhirit të furnizimit, sanksioneve dhe luftës në Ukrainë, ndryshimet në vlerën e monedhave kanë përgjithësisht efekt negativ.

Nga ana tjetër, udhëtarët amerikanë që shkojnë në Europë, lajmi i rënies së euros vetëm do i gëzojë. Nëse deri para pak muajsh ata shkëmbenin 1,000 dollarë me 1,000 €, tashmë e njëjta shifër do ju këmbehet në më pak se 900 €. Forcimi i dollarit do i bëjë mirë edhe bizneseve që importojnë mallra evropiane, pasi gjithçka hyn në SHBA nga Europa do jetë më e lirë.

Edhe sa pritet të zbresë euro?

Thuhet se euro do ta vazhdojë rënien e saj, ndërkohë që kriza energjetike në Evropë përkeqësohet.

Lexo po ashtu:  Duhet në çdo gjë të koordinohemi me Evropën - Politikat tona duhet të jenë europiane.

Specialistët e “Nomura International” kanë parashikuar se euro mund të bjerë deri në 0.95 dollarë, ndërsa banka amerikane e investimeve “Morgan Stanley” parashikon se gjatë këtij tre mujori monedha europiane do të zbresë deri në 0.97 dollarë.

Teksa Bashkimi Evropian përpiqet të heqë dorë nga nafta dhe gazi rus, vazhdon edhe kërkimi për të gjetur alternativa të tjera furnizimi, ndërsa frika e ndërprerjeve të energjisë vetëm shtohet. E gjitha kjo ka rritur edhe kostot e energjisë.

Çfarë do të thotë një euro më e dobët për BQE-në?

Një euro e dobët do çojë në rritje të çmimeve duke shtuar sfidat e Bankës Qendrore Evropiane, e cila është kritikuar për vonesa në marrjen e vendimeve për të rritur normën e interesit, ndryshe nga homologët e saj.

Si për t’i përkeqësuar gjërat për BQE-në, euro ka rënë edhe në raport me monedhat e tjera si franga zvicerane dhe jeni japonez.

Rënia e ndjeshme e euros është një nga faktorët kryesorë që e shtyu BQ në korrik të shpallte rritje të normës me 50 pikë bazë, dyfishi i shifrës që kishte zyrtarizuar në qershor.

Xhenisa Xhangoli/ SCAN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *