Cikli i ri i mundësisë së humbjes së re të integritetit shqiptar të detit territorial filloi zyrtarisht në 25 dhjetor 2020 me dekretin presidencial grek të zgjerimit të njëanshëm të ujrave territoriale greke në detin Jon.

Sirenat e detit, që nuk janë më greke, por janë shqiptare dhe vegjetojnë në selinë e kryeministrisë në Tiranë, nxituan të këndojnë këngën greke të së drejtës së Athinës për këtë zgjerim dhe i fshehën popullit shqiptar gremisjen e re, që dekreti presidencial grek hap për integritetin territorial shqiptar.

Në dekretin presidencial grek neni 1, pika 2, thuhet tekstualisht: “Ky dekret do të zbatohet në zonën detare nga pika më veriore e rajonit të ishujve të detit Jon”.

Kjo do të thotë se Greqia do të zbatojë zgjerimin e saj të njëanshëm të ujrave territoriale edhe në ishujt Othonoi dhe Erikuza, që ndodhen përballë bregdetit shqiptar. Zyrtarët shqiptarë, idiotë të dobishëm të Greqisë, që duan ta venë në gjumë popullin tonë me thagmën se “Greqia ka të drejtë të zgjerohet, sepse nuk e ka përballë Shqipërinë”, harrojnë që Shqipëria ka përballë ishujt grekë, ku Athina llogarit zgjerimin e ujrave të saj territoriale sipas dekretit presidencial.

Ishulli grek Erikuza ndodhet 13,4 milje larg bregdetit shqiptar. Sipas njërit nga ekspertët më të mirë të marrëdhënieve detare midis dy vendeve, i cili tani jeton në një shtet të NATO-s, gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve midis dy shteteve, nga flotat tregtare dhe ushtarake të të dy palëve është respektuar në vijën Erikuza-Porto Palermo e drejta e Shqipërisë për 12 milje të ujrave territoriale shqiptare dhe pjesa tjetër i takonte ujrave greke.

Po tani që Greqia pritet të zgjerojë ujrat territoriale të ishujve grekë në 12 milje, ku do të shtrihet, përveçse duke hyrë dhe duke përpirë ujrat territoriale shqiptare? A do ta pranojë Shqipëria këtë dhunim flagrant të sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial, kur regjimi i kufirit detar midis dy shteteve në linjën Erikuza-Porto Palermo ka qenë gjithë jetën 12 milje ujra detare shqiptare?

Përveç kësaj, Greqia, siç e ka në praktikën dhe në strategjinë e saj detare, pritet të pretendojë për këtë ishull edhe shelf kontinental, edhe zonë ekonomike ekskluzive, të cilat një zot e di se ku deri ku mund të shtrihen, por është e sigurt që në hartat greke shkojnë deri në Korçë. Greqisë nuk i intereson nëse ishulli Erikuza mund të jetë i mbështetur në shelfin kontinental të Shqipërisë dhe as absurdi se si mund të pretendohet në këtë situatë shelf kontinental grek, kur nuk i takon atij ishulli.

Po ashtu mund të thuhet edhe për ishullin tjetër grek Othonoi, që është 20,3 milje në jugperëndim të Spilesë (Himarë). Edhe në vijën detare Othonoi-Spile, sipas ekspertit shqiptar, është respektuar historikisht nga të dy shtetet e drejta e 12 miljeve për Shqipërinë.

Nëse qeveria greke vendos zgjerimin 12 milje të ujrave territoriale greke për Othonoin, kjo mund të realizohet vetëm duke kafshuar disa milje të ujrave territoriale shqiptare.
Thelbi i çështjes në kërcënimin e ri, që paraqet akti ligjor i dekretit presidencial grek, është se në raport me Shqipërinë pritet që Greqia të manovrojë me statusin dhe me efektin e ishujve grekë në veri të Korfuzit dhe përballë bregdetit shqiptar për të sanksionuar akaparimin e hapësirave detare shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *