Mund të mos e keni menduar, por ngrënia vetëm mund të shoqërohet me pasoja negative në shëndetin tuaj. Njerëzit të cilët hanë shumicën e ushqimeve të tyre vetëm mund të jenë të rrezikuar të preken nga sëmundjet e zemrës dhe diabeti. Ky përfundim ka ardhur nga disa studime të realizuara së fundmi.

Njëri prej tyre zbuloi se meshkujt të cilët hanin vetëm të paktën dy herë në ditë, kishin më shumë shanse të prekeshin nga sindroma metabolike, një grup që përfshin disa faktorë rreziku si presionin e lartë të gjakut, kolesterolin e lartë apo diabetin.

Studiuesit e “Obesity & practice Clinical” evidentuan se shumë familje në të gjithë botën po bëhen gjithmonë e me më pak anëtarë.

“Në të njëjtën kohë, modelet e të ngrënit janë bërë të parregullta, joformale dhe të individualizuara,” shkruajnë ata.

Për të studiuar nëse këto modele mund të kenë një ndikim në sindromën metabolike, ata krahasuan të dhënat shëndetësore dhe përgjigjet e anketës nga 7725 të rritur të Koresë së Jugut, të cilët u pyetën se sa shpesh hanë ushqim vetëm.

Lexo po ashtu:  Kur të zë makina, zgjidhjet dhe metodat natyrale

Për meshkujt, ngrënia vetëm u shoqërua me një rritje rreziku prej 45 për qind për t’u bërë obezë dhe 64 për qind për t’u prekur nga sindroma metabolike. Shumica e tyre ishin të pamartuar. Efekti ishte më pak i theksuar për gratë, ku rezultoi se nga ngrënia vetëm dy herë në ditë, vetëm 29 për qind kishin gjasa që të prekeshin nga sindroma metabolike.

Studimet e mëparshme kanë zbuluar se njerëzit të cilët hanë vetëm mund të jenë të vetmuar, të izoluar nga shoqëria dhe kanë më shumë shanse që të zgjedhin ushqime jo të shëndetshme, pra hanë më pak fruta dhe perime. Po ashtu, hanë edhe në orare të parregullta.

Annalijn Conklin, profesoreshë e shkencave farmaceutike në Universitetin e British Columbia, tha se studiuesit në të ardhmen duhet të marrin në konsideratë faktorë të tjerë që mund të shpjegojnë marrëdhënien midis të ngrënit vetëm dhe sindromës metabolike, siç janë nivelet e stresit dhe cilësia e gjumit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *