Punëtorët e Telekomit kanë paralajmëruar protesta e greva nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asnjë hap për t’i zhbllokuar llogaritë dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, të cilat janë bllokuar e tërhequr nga kompania “Dardafon”, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet për zhbllokimin e llogarive dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, pasi sipas tij është duke u rrezikuar operimi i Telekomit dhe mirëqenia e punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

Përmes një konference për media, ai i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës 72 orë që të bëjnë zgjidhje, dhe ky tha se është super kërcënim nga punëtorët e Telekomit.

“Nëse brenda 72 orëve nuk e bëjnë zgjidhjen e çështjes së Telekomit, kthimin e xhirollogarive dhe mjeteve në llogari. Nuk më intereson aspak, as mua, as punëtorëve, as kryesisë dhe Kuvendit që a do t’i hedhë në llogari Qeveria ato mjete apo do të kthehen nga oligarku Devolli, sepse unë besoj që ishte dashur të kthehen sepse ato mjete janë të marra kundërligjshëm, atëherë janë të pashmangshme hapat tonë. 72 orë na keni në dispozicion nga ky moment me u ul dhe të negociojmë t’i bëjmë të gjitha zgjidhjet. Ata mund të thonë se e marrin kërcënim, por sinqerisht jo që është kërcënim, por është super kërcënim, ka me ndodh ajo që nuk e kanë parë asnjëherë, sepse siç duket janë mësuar edhe në Parlament edhe në Qeveri shtyrje, por i ka ardhur fundi, ne nuk mund të tolerojmë me na rrejt shteti që kthehuni në punë se ne do të bëjmë zgjidhje duke emëruar bord që brenda 1 muaj ditë do të bëjë zgjidhje, por me mua sot këtu janë të gjithë kryesia, janë edhe ata inxhinierët të cilët janë duke e mbajtur rrjetin me vështirësi të Telekomit të Kosovës”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Gjuriq: Dialogu me Kosovën ka përfunduar

Ai ka treguar hapat që do t’i ndërmarrin në rast se nuk do të ketë zgjidhje për gjendjen në Telekomin e Kosovës. Për këta hapa ai tha se e kanë njoftuar edhe kryeministrin Avdullah Hoti dhe ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

“Hapi i parë do të jenë grevat dhe protestat në objektet e Telekomit të Kosovës në të gjitha qytetet, do të thotë në të gjitha qytetet e Kosovës do të kemi një protestë paralajmëruese dhe kjo protestë do të bashkëngjiten përveç punëtorëve, nuk do të mbyllen pikat këtë ta keni të sigurt, do të thotë klientët do të jenë të sigurt shërbimet do të kryhen, kemi kërkuar që të bashkëngjiten komplet edhe menaxhmenti i Telekomit të Kosovës. Hapi i dytë do të jetë greva brenda objekteve të Telekomit të Kosovës nëpër të gjitha objektet e qyteteve të Kosovës deri në zgjedhjen e problemeve. Hapi i tretë dhe i fundit si sindikatë në rast se e shohim që Qeveria e Republikës së Kosovës, Parlamenti i Kosovës nuk merr masa ndaj kësaj atëherë do të barten grevat para Qeverisë së Kosovës, por sot nuk do t’i bëjë publike disa hapa që do të jenë radikal të cilat do të ndodhin brenda objekteve dhe jashtë objekteve të Telekomit, ku nuk do t’i bie mirë as Qeverisë së Republikës së Kosovës, por këto do t’i bëjmë publike në rast që nuk arrihet një zgjidhje për Telekomin e Kosovës”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Osmani: “Qeveria e re eventuale do të përfshijë parti për të cilat LDK ka thënë s’do të bëjë koalicion- Në një Qeveri të re teknike unë nuk do të jem kryetare. Unë nuk mund të përfshihem në pazaret e partive për interesat të veta

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, tha se janë para kolapsit dhe para rënies së shërbimeve, e kjo sipas tij po bëhet me qëllimin e vetëm që Devollët të përfitojnë nga falimentimi i Telekomit.

Ai i ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit që të interesohen për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

“Jemi para kolapsit dhe para rënies së shërbimeve, dikush nga ju edhe mund të thotë pse para rënies së shërbimeve. Realisht ne me datën 5 i kemi të gjitha kontratat për antena, do të thotë me të gjithë operatorët privatë, personat që i kemi antenat e vendosura është data 5 dhe nga e premtja ne në vazhdimësi i kemi marrë kontaktet sot jemi informuar nga menaxhmenti dhe zyrtarët e financave që nëse nuk na paguhet me kohë qiraja e antenave atëherë do të ndalet rrjeti i tyre dhe në momentin që ndalet shkyçet rryma ti ki me pas sistemin e rënë. Unë nuk kisha dash me na pru deri tek kjo gjendje vet Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim apo pa qëllim ata e kanë në dorë Telekomin e Kosovës. Me dije apo pa vetëdije të tyre është hera e dytë që mjetet e Telekomit janë bllokuar dhe janë marrë ato mjete dhe nëse Qeveria lejon që një oligark, një biznesmen i cili ka përfituar mbi afera korruptive në Telekom me ndodh një gjë e tillë atëherë unë besoj fuqishëm që, edhe njerëzit brenda Parlamentit, edhe njerëzit brenda Qeverisë, edhe njerëzit në institucionet e drejtësisë janë të lidhur me krimin e organizuar”, tha Balaj.

Lexo po ashtu:  Rezultatet e vaksinës publikohen këtë vit .Oksfordi dhe AstraZeneca në finish, Britania mund të nisë vaksinimin në dhjetor

Balaj ka kërkuar edhe nga Prokuroria e Shtetit që ta tregojë vetën sa i përket gjendjes në Telekomin e Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *