Kostumet popullore janë veshja që na dallon ne shqiptarët për kulturën dhe traditën tonë. Në Pazarin e Krujës teksa shëtit në kalldrëm i cili të jep ndjesinë e kthimit mbrapa në kohë ajo që të bie në sy janë kostumet popullore të trevave shqiptare të punuara nga duarartat krutane.

Këto kostume të cilat qëndrojnë të varura në dyqanet karakteristike të pazarit nuk mund t’i shpëtojnë dhe syrit të turistëve, të cilët mahniten nga punimi i tyre, detajet dhe ngjyrat.

Në Pazarin e Krujës ka një larmi kostumesh popullore dhe shumica e tyre janë të punuara me dorë me fije ari nga gratë krutane të cilat vazhdojnë ende pasionin e të punuarit të tyre në mënyrë tradicionale.

Elida Çela një kostumografe krutane ka ndarë pasionin e saj 20-vjeçar të punimit të kostumeve popullore të gjithë trevave shqiptare në mënyrë tradicionale për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“E kam pasur pasion qëndisjen që në moshë të vogël, pasi jam rritur me një gjyshe e cila ka endur boçat e gjithë grave krutane. Në fëmijërinë time e kam nisur duke qëndisur për kukullat dhe sot kam biznesin tim me kostume popullore tradicionale”, tha Çela.

Lexo po ashtu:  Pse Jul Çezari kaloi Rubikonin: Historia e ngjarjes, që u shndërrua në një nga shprehjet më të njohura në botë

Çela u shpreh se, “këtu vijnë turistë nga gjithë bota dhe ajo që atyre i binte në sy është teksa më shikonin mua kur qëndisja veshje të ndryshme popullore. Fillimet e mia i kam nisur duke bërë 4 ose 5 kostume në vit. Duke parë që kërkesa për to ishte në rritje qoftë nga turistët e huaj por dhe nga vizitorët vendas tani unë kam arritur të realizojë me punim dore gjithë kostumet e trevave shqiptare”.

“Kjo trashëgimi e të punuarit të kostumeve popullore në mënyrë tradicionale duhet të trashëgohet dhe në breza pasi është një vlerë e madhe për ne. Duhet të futet madje dhe si lëndë në shkolla puna e dorës ”, tha Çela.

“Një jelek do gati 1 muaj punë të përfundoj pasi punohet me fije ari dhe është një punë mjaft delikate e cila kërkon passion por ka gjithashtu dhe fitim”, u shpreh Elida Çela kostumografia krutane.

Veshje me fustanellë apo xhubletë, këpucë me apo pa xhufka, veshje me tirq apo çitjane, versionet e ndryshme të kostumeve popullore të trashëguara ndër breza apo të punuara së fundmi do e bëjnë eksplorimin e veshjeve në Pazar një eksperiencë më vete.

Lexo po ashtu:  Patrikana e Pejës, një shembull që ilustron, se si ç’prej shek. XIII-XIV, kishat hershme romano-katolike e bizantine janë shëndërruar sistematikisht në ato ortodokse rasiane-serbe!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *