Me detyrën që mori përsipër ajo mbeti deri në fund qeveri revolucionare

Ende dhe sot flitet shumë për Revolucionin e qershorit të vitit 1924. Komentet janë nga më të ndryshmet. Disa thonë ishte grusht shteti, disa revolucion, disa kryengritje, disa revoltë. Po Prof. Kristo Frashëri si do ta cilësonte këtë ngjarje të madhe historike?

“Kalojmë në një çështje tjetër. Kemi lexuar dhe kemi dëgjuar nga disa amatorë të historisë të thonë se ngjarjet e qershorit 1924 nuk qenë “revolucion”, mbasi në ato ngjarje nuk u derdh gjak. Ta kushtëzosh revolucionin me gjakderdhje nuk është e drejtë. Me gjakderdhje mund të lidhet kryengritja apo revolta apo grushti i shtetit, por jo revolucioni. Kjo për arsye se kryengritja apo revolta apo grushti i shtetit nënkuptojnë luftën për pushtet, luftën për të shtënë në dorë drejtimin qeveritar të një vendi pa sjellë ndryshime cilësore, pra pa sjellë përmbysjen e rendit të vjetër, politik, ekonomik, shoqëror, juridik, ose kulturor. Përkundrazi, revolucioni nënkupton përmbysjen cilësore të një situate apo të një rendi të vjetër dhe hapjen e rrugëve drejt një situate të re apo drejt një rendi të ri politik, ekonomik, shoqëror, juridik ose kulturor” thekson ai.

Pse dhe si lindi revolucioni i 1924-s? Kush ishin ambiciet, objektivat, aleancat, rrugët, mënyrat e marrjes së pushtetit? Pra pyetjet janë të shumta, pasi dhe dokumentacioni nuk është i bollshëm por, në lidhje me gjithë zhvillimin e revolucionit Prof. Alfred Frashëri thekson se: “Në atë kohë opozita demokratike me parimet e ekonomisë së tregut e kryesuar nga Fan Noli vendosi ta përmbyste qeverinë konservatore të Ahmet Zogut. Nëse qeveria demokratike e Fan Nolit, e cila zinte në atë kohë një pozicion të majtë do të synonte vetëm përmbysjen e qeverisë së djathtë pa e cenuar strukturën politike-ekonomike-shoqërore-juridike-kulturore të vendit, do të kishim një kryengritje të zakonshme, një kacafytje për pushtet. Në të vërtetë, opozita demokratike synonte të ndryshonte jo vetëm përbërjen e qeverisë, por edhe parimet e djathta që ajo mbronte. E vërteta është se më 1924 në Shqipëri sundonin ende normat ligjore dhe kushtetuese të trashëguara nga Perandoria Osmane për arsye se me Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 Shqipëria kreu vetëm një “revolucion” politik. Dihet se qeveria e Fan Nolit për shkak të kohës së shkurtër që qëndroi në fuqi, nuk i vuri dot në jetë reformat e saj. Derisa synimi i lëvizjes ishte ndryshimi cilësor i pronësisë të tokës bujqësore dhe derisa moszbatimi i reformës ndodhi jashtë vullnetit të qeverisë, lëvizja nuk e humbi karakterin e saj revolucionar. Qeveria e Nolit mund të quhet si një qeveri e dështuar në fushën e zbatimit të revolucionit, por gjithsesi me detyrën që mori përsipër ajo mbeti deri në fund qeveri revolucionare.

Lexo po ashtu:  Çabej për Joklin: Dashuria për gjuhën shqipe, ia hangri kryt!

Programi i Qeverisë Noli përmbante në vetvete esencën e mendimit të përbashkët të intelektualëve demokratë, të diplomuar në universitetet më në zë të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa asnjë mëdyshje, do thënë se, mes tyre, figura e kryepeshkopit Fan Noli ishte më e kompletuara. Sipas Prof. Nasho Jorgaqi “Masat e para që mori Noli  Kryeministër, filluan  nga thjeshtësimi  i aparatit shtetëror  (deri në 25%),  nga  ulja e  rrogave  të  funksionarëve  (deri  në 40%,  duke  vene  veten  në  krye),  nga tentativa  për të  larguar  nëpunësit  e diskredituar politikisht e moralisht. Por ai  nuk mendoi  sa duhet se reformat  që do të ndërmerrte, s’mund të realizoheshin duke  lenë jashtë shume njerëz të devotshëm  të Bashkimit e të Vatrës. S’mjaftonin disa funksionare dikasteresh apo ndonjë prefekt që  emëroi, as  fakti  që caktoi  poetin  S.  Malëshova  si   Sekretar   të  Përgjithshëm   të Kryeministrisë ose vatranin A. Frashëri si sekretar  të kabinetit të tij. Ky sektarizëm vinte ndoshta nga  që  i druhej  radikalizmit  të  tyre  ose nga që  s’pati besim,  pse  shumica  ishin  të rinj  e  të papërvojë. Kabineti i ri , ndonëse u prit me entuziazëm  nga populli dhe u përshëndet formalisht  nga qeveritë europiane, nuk arriti të bëjë as betimin zyrtar. I vetmi regjent që kish mbetur, S. Peçi, iu shmang këtij akti duke u  larguar nga posti për arsye shëndetësore në fillim të korrikut. Noli, që i dinte arsyet e vërteta, pati megjithatë urtësinë t’i dërgojë një telegram urimi për shërim dhe kthim të shpejte në detyrë. Dorëheqja, në fakt, jo vetëm nuk ishte ogur i mire para opinionit, por qe dhe pengese në hapat e para të procesit të legalizimit të qeverisë së re. Noli, sipas nenit 51 të Statutit, mori  atëherë  dhe detyrën  e  Këshillit të Naltë. Ishin  mbi  dyzetë  projektdekretligje  që  prisnin firmën  e  regjentit të munguar.   Para  kësaj  situate,   Noli  nuk  u  zmbraps.  Ndoshta,  e  kish parashikuar  qëndrimin  e  njohur  kundërshtues  të mikut të  vjetër”.  Por nuk mund të lihet pa theksuar vlerësimi që i bëhej figurës së Nolit nga shtypi perëndimor.  “Kryepeshkopi ka kaluar shumë vite të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetiu jashtë vendit,– shkroi ato ditë korrespondenti i gazetës londineze “The Times” në Tiranë. – Ai është i diplomuar në Universitetin e Harvardit, ka studiuar për drejtësi; është shumë i zoti në letërsi e muzikë dhe ka të ngjarë të jetë një kokë më lart se çdo figurë publike shqiptare në fushë të arsimit”.  
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, kërkesat e shoqërisë demokratike “Bashkimi” u vunë në themel të programit të Qeverisë Noli, e cila premtoi:

Lexo po ashtu:  Mësueset e para të gjuhës shqipe

– Çrrënjosjen e feudalizmit, çlirimin e popullit dhe vendosjen definitive të demokracisë në Shqipëri;

– Pakësimin e spastrimin radikal të nëpunësve, si dhe sigurimin e të drejtave e përgjegjësive të tyre me ligj;

– Ndërrimin e sistemit të taksave në favor të popullit;

– Përmirësimin e gjendjes së bujkut dhe emancipimin ekonomik të tij;

– Lehtësimin e hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtjen e organizimin e kapitaleve të vendit;

– Ndreqjen e udhëve e të urave;

– Organizimin e degës së shëndetësisë e të arsimit;

-Reformimin radikal të komuneve gjyqësore dhe sigurimin e independencës së vërtetë të gjyqeve;

-Marrëdhënie miqësore me të gjithë shtetet e veçanërisht ma ato fqinje, si dhe lartësimin e prestigjit dhe të kreditit të shtetit në botën e jashtme etj. (15)

Një ndër prioritete e qeverisë së Nolit ishte fshati dhe bujqësia. Sipas Prof. Nasho Jorgaqit “Shqetësimi  dhe  përkujdesja  e  Nolit  për  fshatin  u duken  fillimisht   në përpjekjen  për sekuestrimin  e  tokave  të bejlereve  të arratisur, e akoma  me shume  në ligjin  për  lehtësimin  e fshatarësisë nga taksat.  Por problemi  agrar  ishte shumë më i gjerë  e kompleks. Prandaj Noli, duke  qenë  i ndërgjegjshëm  për këtë, urdhëroi   ngritjen  e  një komisioni të  posaçëm  pranë Ministrisë së Bujqësisë  dhe  porositi  prefekturat  që të studionin  gjendjen  e bujqve për çdo krahinë. Ai, ndërkaq, u njoh me ligjet dhe përvojën e reformave agrare të vendeve të tjera. Por presioni nga poshtë sa vinte e shtohej.  Atë që s’arrinte ta bënte qeveria, fshatarët  zunë ta bëjnë vetë.  Informacionet që i vinin nga Komisioni  pranë Ministrisë së Bujqësisë ia vërtetonin  këtë. Madje, pengesat dhe rezistenca  dukeshin qarte dhe në instancat e larta të shtetit. Vetë regjenti S. Peci  ishte kundër. Ai nuk do të firmoste as dekretligjin që urdhëronte të drejtën  e përdorimit  të ujit të bejlerëve nga fshatarët. Po kështu, as bëhej fjalë për dekretin  e sekuestrimit  të tokave të bejlerëve të arratisur. Kundër ishin dhe pjesa më e madhe e kabinetit të tij. “Pata shumicën, do të shkruante Noli më vonë, kur në program futëm reformën agrare. Mbetëm pakicë kur erdhi puna për ta zbatuar atë’·. Mbështetësit  e vërtetë qenë S. Vinjau dhe Q. Koculi, kurse L. Gurakuqi  u tregua i pavendosur, duke kërkuar kujdes dhe maturi. Nolit  i  duhej ta përballonte këtë situatë. Por dhe ai vetë,  me sa duket, nuk ish  i  përgatitur sa  dhe  si duhet  tani  që kishte  ardhur  koha  për zbatimin praktik të kësaj  reforme madhore. Nuk mjaftonte  t’i ndjeje  dhe  t’i  kuptoje  nevojat e aspiratat e fshatarësisë, si ndodhte me Nolin. Duhej vendosmëri   e guxim  për t’iu  kundërvënë stuhisë  armiqësore të bejlerëve e opinionit  konservator,  por dhe gjendjes së  përgjumur e të indiferencës  të  fshatarësisë shqiptare, e cila, me disa përjashtime, tregohej e pasigurt dhe skeptike për ndryshimet që do të sillte reforma agrare”.

Lexo po ashtu:  Truket e magjisë e mbajtën Algjerinë një koloni franceze - Gënjeshtrat që ndryshuan botën

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *