Vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, Emmanuel Macron po përballet me një problem të ri në vend: trazirat në Korsikë. Në ishullin mesdhetar kanë nisur protestat e dhunshme, që e detyruan qeverinë e Macron të shprehet e hapur për të diskutuar “autonominë” për Korsikën.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, e përdori termin autonomi ndërsa u nis për një vizitë dy-ditore në Korsikë, dy javë pasi një sulm i dhunshëm ndaj një nacionalisti të burgosur korsikan shkaktoi një valë trazirash në île de Beauté.

“Ne jemi gati të shkojmë deri te autonomia. Keni fjalën tonë”, tha Darmanin për gazetën rajonale “Corse Matin”.

“Bisedimet (për autonominë) do të jenë domosdoshmërisht të gjata dhe të vështira,” tha ai më vonë për BFMTV, duke shtuar se, pavarësisht nga rezultati, e ardhmja e Korsikës “është plotësisht brenda republikës franceze”.

Deklarata u pasua menjëherë me kritika nga rivalët për presidencën.

Valérie Pécresse, kandidatja për partinë konservatore Les Républicains, e kritikoi presidentin për “dorëzimin ndaj dhunës”, ndërsa rivalja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen e akuzoi atë për “klientelizëm cinik”. “Korsika duhet të mbetet franceze”, shtoi ajo.

Lexo po ashtu:  Kurti: Pazaret dhe marrëveshja me Serbinë janë shkak për rrëzimin e Qeverisë, jo shkarkimi i Veliut

Vizita e Darmanin pason shpërthimet e përsëritura të dhunës në protesta të shkaktuara nga një sulm i egër në burg mbi Yvan Colonna, një nga një grup nacionalistësh korsikanë të burgosur për vrasjen e prefektit të Korsikës në vitin 1998, zyrtarit të lartë të ishullit, Claude Erignac.

Ministri i Brendshëm tha se vrasësi i dënuar ishte sulmuar nga një shok i burgosur xhihadist pasi thuhet se kishte bërë komente “blasfemuese” në burgun e tyre në Arles, në Francën jugore. Ai e përshkroi sulmin, i cili e la Colonna-n në koma, si “qartësisht një akt terrorist”.

Përveç kthimit të të burgosurve korsikanë, nacionalistët kanë kërkuar prej kohësh fuqi më të mëdha për ishullin dhe njohjen e korsishtes si gjuhë zyrtare. Kërkesa të tilla mbeten shumë të ndjeshme në Francë, ku politikanët vazhdimisht theksojnë nevojën për të mbrojtur unitetin dhe identitetin kombëtar të vendit.

Pas dekadash lufte të dhunshme, nacionalistët e Korsikës kanë përqafuar procesin demokratik gjatë dekadës së fundit, duke shpresuar të çojnë përpara kauzën e tyre me mjete paqësore. Por ekspertët paralajmërojnë se durimi po shteron për shkak të mungesës së progresit.

Lexo po ashtu:  Ndalohet festimi i Vitit të Ri, ky është shteti që shtrëngon masat për shkak të Covid-19

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *