Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë mbrojtëse dhe se drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen.

“Erdhëm sot këtu në 24 vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jashrajave, ata ishin sulmuar nga Serbia që udhëhiqej nga regjimi i Millosheviqit edhe në dhjetor të viti 1991 dhe janar të vitit 1998, dhe të gjitha këto sulme ndaj Jashrajave ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë, UÇK ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, tha Kurti.

Kurti shtoi se gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe se si krerë të institucioneve, jo vetëm që nuk harrojmë nga vijmë por pikërisht përmes përgjegjësisë tonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq të lavdishme e dimë sesi të ecim mirë, mbarë dhe drejt përpara.

Lexo po ashtu:  Luftë deri në ushtarin e fundit amerikan

Presidentja Osmani tha se ndodhen këtu për të përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari.

“Ne sot jemi këtu për ta përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari të cilët treguan trimëri të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme kur të gjithë ne si qytetar të Kosovës ishim nën rrethimin gjenocidal të Serbisë”, tha Osmani.

Ajo shtoi se sulmi ndaj familjes Jashari është dëshmi e një ndër masakrave më të tmerrshme të kryera nga regjimi i Serbisë.

“Ata u sulmuan në shtëpinë e tyre ku shumica dërmuese e familjarëve që u vranë ishin gra dhe fëmijë, që tregon se kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë për të cilën fatkeqësisht akoma nuk ka drejtësi. Përveç thirrjes tonë për drejtësi, ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari sepse ajo çfarë ata bënë për atdheun do të mbes një dritë që do të ndriçojë rrugën përpara të brezave të tërë”, u shpreh presidentja.

Lexo po ashtu:  Bilanci i fundit nga Ukraina: Vramë 5300 ushtarë rusë, shkatërruam 191 tanke e 29 avionë luftarakë

Kryeparlametari Glauk Konjufca theksoi se sakrifica e Jasharjave është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekës tonë çlirimtare.

“Po i nderojmë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Është ky moment kur sakrifica kthehet në epope, dhe kur gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK. Një moment i cili jo vetën që ktheu të gjithë kombin në një ushtri dhe të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë e cila e lëvizi botën demokratike dhe aktivizoi faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejt. Sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë. Lavdi të gjithë dëshmorëve”, tha Konjufca.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *