Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e saj të tretë ka miratuar vendimin për shkarkimin e Bordit të drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Sipas qeverisë, vendimi është mbështetur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe ka pasur parasysh funksionimin dhe gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje, e vlerësuar si mjaft e rëndë dhe me nevoja për të ndryshuar konceptin menaxhues.

Shkarkimi i bordit vjen 23 muaj pasi ishin emëruar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Besa Shatri, Skënder Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Suzana Angjelkoviq dhe Filiz Krasniqi ishin emëruar anëtarë të Bordit, por që ky i fundit kishte dhënë dorëheqje.

Po ashtu, Osman Ejupi kishte dhënë dorëheqje pasi kishte punësuar katër fëmijët e tij.

Para kabinetit të qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ka dhënë arsyet e këtij propozimi.

“Drejtorët duhet të shkarkohen për tri arsye; nuk kanë përmbushur planet, drejtorët kanë shkelur detyrat financiare dhe kanë lejuar shpenzime të tepërta e të panevojshme”, ka thënë ministrja Hajdari.

Lexo po ashtu:  “Mini-Shengeni” i Esad Pashës: Ç’marrëveshje të fshehtë nënshkroi në Nish? - Marrëveshja parashikonte krijimin e institucioneve të përbashkëta ushtarake dhe politike, ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut nga Serbia në Durrës, si dhe garancitë që Serbia do të mbështeste Esad Pashën në zgjedhjet

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të analizohen raportet e auditimit dhe performancës të të gjitha ndërmarrjeve publike.

Si rezultat, pas kësaj, siç ka thënë Hoti, qeveria do të ndërmerr vendimet meritore lidhur me bordet e tyre.

“Sot ishte vetëm fillimi. Sot qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Në ditët në vijim do të analizojmë raportet e auditimit dhe performancës të të gjitha ndërmarrjeve publike dhe do të marrim vendimet meritore lidhur me bordet e tyre. Duhet të shpëtojmë nga falimentimi këto ndërmarrje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ky bord shpesh ishte akuzuar për punësime të pakontrolluara në Telekomin e Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *