Enver Bytyqi

Sot kryeministri i Kosovës do të jetë në Tiranë. Është vizita e tij e parë në Shqipëri pas marrjes së detyrës së kryeministrit të shtetit më të ri në Evropë dhe si e tillë kjo vizitë përbën një ngjarje të rëndësishme. Në kryeqytetin e Shqipërisë zoti Kurti do të takohet me presidentin e Republikës, kryetarin e parlamentit, kryeministrin dhe kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha.

Përveç kësaj, do të shkojë në Bashkinë e Tiranës dhe lali Eri do t’i japë Çelësin e Tiranës, të njëjtin çelës që Edi Rama ia kishte dhënë këngëtarit nacionalist të shovinizmit serb të kohës së Milosheviçit, Goran Bregoviç. Kur Rama erdhi në pushtet dhe vizitoi Beogradin gazeta e njohur e Beogradit “Kurrir” e përkujtoi ngjarjen e nderimit të Bregoviç nga ish-kreu i Bashkisë së Tiranës, zoti Rama, duke i njoftuar serbët se në Tiranë kishin tashmë një mik të dëshmuar të tyre. Titulli i asaj gazete i datës 24 tetor 2014 ishte domethënës: “Ja si e kalli Bregovici Tiranën dhe Ramën me “Kallashnikovin serb”! Këtë çelës sot do ta ketë në dorë kryeministri I Kosovës, Albin Kurti. Ndoshta është një akt-mesazh i Erion Velisë, për t’i thënë shefit të tij në qeveri se ata nuk janë e njëjta gjë.

Vetëm 3-4 orë do të do të zgjasë e gjithë vizita e zotit Kurti në Tiranë. Askush nuk e di pse do të ketë një ngut kaq të madh. Por mesa duket kryeministri i Kosovës nuk dëshiron të shtrohet në një dreke me një prej liderëve politikë të Shqipërisë. Evitimin e kësaj dreke, në të cilën nuk do të ishin dy, apo disa politikanë kundërshtarë midis tyre, por vetëm një, Edi Rama, Kurti po e bën me refuzimin e sofrës shqiptare. Është mirë kështu!

Lexo po ashtu:  Trump, "making China great", fundi i "erës Reagan" dhe konfuzioni ideologjik:

Në kryeministri ai do të ketë një konference shtypi së bashku me homologun e tij. Por përtej gjithë kësaj, çfarë presin shqiptarët të arrihet me takimet dhe bisedat e Albin Kurtit me udhëheqësit shqiptarë të Tiranës, sidomos me homologun e tij?

Së pari, duhet të besohet se ai nuk vjen në Tiranë i kompleksuar nga ndonjë lloj varësie intelektuale dhe njohurish përballë homologut të tij dhe autoriteteve të tjera që do të kontaktojë. Ai ka dëshmuar se është ndër të paktët në Kosovë që nuk i përket kësaj kategorie politikanësh e liderësh kosovarë. Komplekset e disa paraardhësve të tij e kanë dëmtuar interesin kombëtar të Kosovës, sepse disa në Shqipëri, veçmas kreu i ekzekutivit të sotëm, e kanë shfrytëzuar këtë dobësi që të vendosin marrëdhënie paternalizmi me Prishtinën. Nëse zoti Kurti do të vijë në Tiranë si partner i devotshëm dhe i pakompleksuar, atëherë ai do të garantojë një marrëdhënie korrekte dhe të të suksesshme me Shqipërinë.

Së dyti, gjatë kësaj vizite dhe jo vetëm, kryeministri i Kosovës duhet të evitojë të joshet nga propozimet e çuditshme që Edi Rama do t’ia bëjë, duke menduar se mysafiri i tij do parapëlqejë një diskutim për bashkimin kombëtar. Besoj se kjo temë nuk do të bëhet publike. Por nuk besoj se Edi Rama nuk do të merret me këtë temë shumë delikate për fatin e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Të dy kolegët kryeministra në të kaluarën kanë ndarë të njëjtën pikëpamje për bashkimin kombëtar. Por ndërsa Kurti e ka shprehur atë në formën idealiste, Rama ka intriguar dhe vijon të intrigojë me retorikën e bashkimit kombëtar. Kryeministri i Shqipërisë e përdor bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në formatin e konceptit serb të Beogradit për këtë çështje. Sipas Ramës, Kosova ka mundësi të bashkohet me Shqipërinë, nëse ajo pranon që një pjesë të territorit të saj t’ia dhurojë Serbisë”.  Albin Kurti ka qenë kundër kësaj skeme.

Lexo po ashtu:  Ky vend nuk ka nevojë për ekspertizë, por për projekt të ri politik

Mundet që Rama t’i jap “garanci” Kurtit se “Kosova nuk ndahet” dhe se ai “do të punojë për bashkim te territoreve të plota”! Me këtë formulë ai synon ta fusë Kurtin në vallen e tij, e më pas këtë valle ta udhëheqë vetë, sipas muzikës që luan Aleksandër Vuçiq. Ndaj dhe zoti Kurti nuk duhet të pranojë të bisedojë për çështje të tilla. Madje duhet të evitojë diskutimin me Edi Ramën për çështjet e dialogut me Serbinë. Nëse do të pranojë të bisedojë për këtë, ai do të marrë nga prej tij thjesht mesazhet e presidentit të Serbisë. Kurtin mund ta joshin edhe premtimet e shumta të zotit Rama për marrëdhënie të shkëlqyera midis Tiranës dhe Prishtinës. Por të gjitha këto do të rezultojnë mashtrime politike, sepse Shqipëria e Edi Ramës i ofron Kosovës iniciativa të tilla serbo-ruse si ajo e Jugosllavisë së Re ose maskës së saj me emrin Minishengen.

Së treti, Albin Kurti do të përballet me Edi Ramën me kërkesën për t’iu bashkuar iniciativës së Minishengenit. Ai ka parapërgatitur të gjithë argumentet joshës që Kurti t’i bindet kësaj nisme. Do t’ia përsërisë gjithashtu skemën, sipas së cilës “Pa pranuar minishengenin, nuk mund të bëhet asgjë për marrëdhënie të ngushta midis Shqipërisë dhe Kosovës”, sepse, sipas Ramës, edhe këto marrëdhënie kushtëzohen nga Beogradi. Shkurt, edhe në këtë çështje Serbia do të shfaqet si lëkura e ujkut para qengjit.

Lexo po ashtu:  Thuaji faleminderit mësuesit!

Madje për këtë do t’i kërkojë bashkëpunim me Hashim Thaçin dhe Baton Haxhiun dhe nuk është çudi që t’i ofrojë hapësirë mediatike pa kufi në televizionin e Batonit.

Megjithatë duhet besuar se kryeministri  Kosovës nuk është aq naiv, as aq i papërvojë. Ai i ka përcjellë prej shumë vitesh të gjitha zhvillimet në rajon, në Shqipëri dhe vendin e tij. Ndaj ai e di se egoja e Edi Ramës synon hapësira të paimagjinueshme, jo vetëm kapjen e qeverisë së Kosovës dhe orientimin politik të saj sipas skemave dhe projekteve të Beogradit e të Moskës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *