Fjala mediokritet vjen prej fjalës latine mediocritas, me të cilën Plauti, Ciceroni, Lukreci, Vergjili, Seneka, Taciti, Juvenali, Ovidi, Marciali dhe shkrimtarët, oratorët dhe filosofët e tjerë të Romës i kishin pagëzuar njerëzit me aftësi, mundësi, prirje, të bëra dhe, sigurisht, vlera mesatare. Me të ata i etiketonin të gjithë bashkëvendësit e vet që s’kishin prirje të radhiteshin në krye të rreshtit, por as nuk pajtoheshin të gjendeshin diku në fundin e tij; romakët e mëdhenj i kishin pagëzuar me këtë shprehje, pra, individët mesatarë, që e ndjenin veten të sigurtë ndërmjet të parëve dhe të fundmëve, duke ju shmangur ashtu peripetive, nëpër të cilat mund të kalojnë të parët dhe nënqeshjeve, të cilave mund t’ju nënshtrohen të fundit.

Nga Rexhep Qosja

Të gjitha shprehjet dhe termat, prandaj edhe shprehja mediokritet, që herat më të shpeshta krijohen prej specialistëve, për të shënuar përmbajtjen e një dukurie që në një shoqëri të caktuar shfaqet në një moment të caktuar historik, kanë fatin dhe historinë e vet. Ato shfaqen, përhapen, pasurohen me nuanca të reja kuptimesh apo çlirohen prej disa nuancash që kishin në zanafillen e tyre; në qoftë se shuhet dukuria që e kishin shënuar, vdesin edhe vetë një ditë.

Shprehja mediokritet nuk ka vdekur për shkak se as dukuria e shënuar me anën e saj nuk është shuar dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të shuhet derisa të ekzistojë gjinia njerëzore. Përkundrazi, mediokritetet e kanë vazhduar më me suksese jetën mesatare intelektuale dhe morale, kurse etiketa e tyre ka kaluar në shumicën e gjuhëve të tjera, që janë simotra të gjuhës latine dhe, sikundër e tregon sot përmbajtja e saj, është zgjeruar mjaft semantikisht. Me këtë shprehje ne sot nënkuptojmë diçka më tepër se ç’kanë nënkuptuar filosofët, oratorët dhe shkrimtarët romakë; shprehja mediokritet, përpos kuptimit të saj burimor, është pasuruar edhe me kuptime të reja, të cilat ja ka dhuruar jeta e saj e gjatë.

Për këtë arësye çdo përpjekje që përmbajtja e kësaj shprehje t’i nënshtrohet ndonjë definicioni do ta ngushtonte kuptimin e saj, duke i leçitur ashtu lexuesit mundësie që të krijojnë një përfytyrim sadokudo të plotë, të tërësishëm, mbi mediokritetet.
Në qoftë se mund të pohohet se shprehja mediokritet e ka filluar jetën e saj mesatare që në shkrimet e krijuesve të mëdhenj romakë e, ndoshta edhe në shknmet e paraardhësve të tyre shpirtërorë-krijuesve të Greqisë antike, dhe është përhapur, pastaj, edhe në shumë gjuhë të tjera, është e padyshimtë se edhe vetë mediokritetet e kanë vazhduar marshin e prirjeve, aftësive, e vlerave mesatare nëpër meridiane dhe vende të ndryshme.

Konstatimi, ndërkaq, doemos nënëkupton pohimin se mediokritete ka pasur, gjithmonë dhe gjithkund, në çdo mjedis, në çdo shtresë sociale, në çdo shoqëri, në çdo sistem, në vendet e zhvilluara dhe të prapambetura, në vendet e lira dhe të robëruara, kurse numri i tyre ka ardhur duke u shtuar gjithnjë e më shumë jo vetëm pse është shtuar numri i popullatës në botë, por edhe pse janë shtuar fushat dhe format e veprimtarisë nëpër të cilat njeriu, si krijesë psikologjike dhe sociale, manifeston vetëveten, prirjet dhe aftësitë e tij të vogla, të mëdha apo mesatare si edhe karakterin e tij të plotë apo gjysmak, pozitiv apo negativ.

Mediokritetet, pra, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në shoqëritë diktatoriale dhe demokratike, totalitare dhe anarko-liberale, feudale dhe kapitaliste, borgjeze dhe socialiste. Kështu, fjala vjen, mund të thuhet se mediokritete ka pasur nën sundimin e Qesarit dhe në ditët e pakta të Republikës së Brutit, nën sundimin e Sulltan Hamidit dhe në kohën e Ataturkut, nën sundimin e Ekaterinës dhe në vitet e Revolucionit të Tetorit.

Dhe, ashtu sikundër ka pasur dhe ka në të gjitha hapësirat dhe në të gjitha sistemet shoqërore, po ashtu, mediokritete ka pasur dhe ka edhe në të gjitha fushat e krijimtarisë dhe të aktivitetit të njeriut: në krijimtarinë artistike dhe krijimtarinë shkencore, në jetën kulturore dhe në jetën politike, në jetën arësimore dhe në komunikimin e përditshëm ndërmjet njerëzve. Mediokritetet janë aq të përhapur saqë mund të thuhet se nuk ka fushë të realizimit të njeriut, si subjek shoqëror, ku nuk shfaqen mediokritetet ashtu si nuk ka fushë të gjelbër, ku nuk shfaqen kërminjtë pas shiut.

Posaçërisht shumë mediokritete mund të ketë në krijimtarinë letrare dhe mediokritetet e krijimtarisë letrare mund të jenë të interesimeve, profileve, facetave dhe etikave të ndryshme natyrisht, të interesimeve, profileve, facetave dhe etikave të ndryshme mesatare. Numri i mediokriteteve në letërsitë e vogla kombëtare është, veçmas, i madh, megjithëse opinioni lexues mendon se pikërisht në letërsinë dhe kulturën e tyre nuk ka mediokritete.

Disa prej mediokriteteve të këtyre letërsive e imitojnë me ngulmë letërsinë popullore ose, tekembramja, e shfrytëzojnë thesarin popullor me qëllim që të tërheqin interesimin e opinionit — kur shkruajnë vjersha dhe proza, apo të shikuesve — kur shkruajnë drama dhe skenarë filmi. Mediokritetet e këtij interesimi pohojnë se në atë mënyrë duan të jenë autoktonë, por, meqenëse janë përgjysmë të aftë, bëhen epigonë të letërsisë popullore dhe zhyten në folklorizëm dhe në primitivizëm.

Disa prej mediokriteteve të tjera të këtyre letërsive i imitojnë shkrimtarët e huaj dhe i imitojnë, kryesisht dhe përfundimisht, ata shkrimtarë të huaj avangardistë, që me shkrimet e tyre kanë zgjuar interesim të madh në qarqet e huaja letrare, por janë shndërruar në idhuj në qarqet periferike evropiane të letërsisë. Duke i imituar idhujt e periferisë mediokritetet e periferisë me të drejtë shpresojnë se me shkrimet e tyre do ta befasojnë lexuesin e mjedisit të vet. Mediokritetet e këtilla, zakonisht, i imitojnë format kompozicionale, teknikën e shprehjes, simbolet, metaforat, veçmas alegoritë, pikëpamjet, disponimet, sëmundjet nervore, apatitë dhe, përgjithësisht, inovacionet e shkrimtarëve të huaj.

Lexo po ashtu:  I vetmi komb, ajka e të cilit kritikon gjuhën standarde

Mediokritetet, shpesh, përmbajtjen autoktone, të biberosur me biberin e thesarit popullor, e veshin në rrobet letrare të shkrimtarëve të huaj, që do të thotë se personazheve autoktonë ju presin rrobe allafranga. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse shumica e personazheve të mediokriteteve, edhe kur kanë emra nacionalë, veprojnë, mendojnë, sëmuren, çmenden dhe vdesin në mënyrën e huaj apo në ambiente, në të cilat më së shpeshti vdesin përsonazhet e disa shkrimtarëve bashkëkohorë të huaj. Po t’i hynte punës jomirënjohëse të krahasimit, çdo studjues i kujdesshëm do të shihte se sa simboli, alegoria, metafora, se sa format e disponimit, se sa atmosfera, se sa karakteri i personazhit të shkrimeve të shkrimtarëve të huaj janë shartuar artificialisht në shkrimet e disa shkrimtarëve të këtyre letërsive periferike.

Të gjithë shkrimtarët, madje edhe ata me prirje më të madhe, janë të shtrënguar të pranojnë, apo të japin, ndikime, por ndryshimi ndërmjet tyre dhe mediokriteteve qëndron aty se shkrimtarët që mendojnë me kokën e vet i asimilojnë, i përvetësojnë ndikimet, kurse mediokritetet ju nënshtrohen plotësisht, bëhen robër të tyre; ndryshimi ndërmjet të parëve dhe të dytëve qëndron aty se të parët krijojnë vepra artistike autektone me disponim të papërtëritur, kurse mediokritetet, duke i shkoqur format e huaja prej kontekstit natyror, artistik, krijojnë kiç-literaturë, që në periferinë evropiane shpesh pranohet si literaturë„e vërtetë”.

Mediokritetet e letërsisë në të vërtetë janë epigonë. Çdo gjë të huaj, çdo inovacion, që është inovacion vetëm brenda kontekstit ku është përdorur, ata e pranojnë, pra, pa kurrfarë rezerve për shkak se janë të qëruar prirjesh dhe vetëdije kritike që t’ja nënshtrojnë gjykimit dhe vlerësimit të vet kritik. Përse mediokritetet e letërsisë zbresin në nivelin e epigonëve? Sipas të gjitha gjasave, ata vuajnë prej kompleksit të inferioritetit, që ua imponon vetëdija e aftësisë mesatare dhe, në përpjekje e sipër që ta sublimojnë kompleksin, ju  nënshtrohen imitimeve të autoriteteve të huaja letrare, të cilave, në çdo rast, në çdo situatë u gjunjë zohen, ua puthin duart, ua heqin kapelat, ua mbajnë palltot, ua lustrojnë këpucët, ua brushojnë rrobet.

Megjithëse shkrimet e mediokriteteve, zakonisht, përfundojnë në shportën e estetikës dhe s’mund të gëzojnë kurrë dashurinë dhe respektin e lexuesve, historianët e letërsisë interesohen për to jo për shkak të vlerës që mund të kenë po për shkak se përmes tyre mund t’i shohin dhe studjojnë më lehtë ndikimet e asimiluara që çdo letërsi kombëtare pranon prej letërsive të popujve të tjerë e, sidomos, prej letërsive të mëdha.

Mediokritete mund të ketë, gjithashtu, shumë edhe në fushën e krijimtarisë shkencore dhe të gjitha ato që mund të thuhen për mediokritetet e krijimtarisë letrare, me disa modifikime, pakashumë vlejnë edhe për këta të dytët.

Mediokritetet e krijimtarisë shkencore ju binden pa resiztencë autoriteteve të huaja shkencore dhe pohimet apo mohimet e tyre, pa ja nënshtruar gjykimit kritik, i përcjellin edhe në fushën e shkencës nacionale. Kështu, për shembëll, mediokritetet e kritikës dhe të shkencës letrare do të pohojnë se çdo pohim i marksistit sovjetik, i strukturalistit francez, i formalistit rus, i fenomenologut gjerman, i linguistit amerikan, i stilistikut italian, i sociologut hungarez
janë fjala e fundit, e modës dhe shkencës, që duhet të jetë çelësi më universal, me të cilin do t’i çelin dyert e botës akoma modeste të letërsisë nacionale, të cilat kallauzat e huaj, po u përdoren pa kurrfarë përpunimi, më parë i thejnë se ç’i çelin.

Në qoftë se mediokritetet e krijimtarisë shkencore kanë pasur fatin e jashtëzakonshëm të gjenden nëpër katedra, atëherë do të kënaqen t’ua transmetojnë dëgjuesve pohimet e huaja shkencore, duke mos u lodhur t’i studjojnë vetë çështjet, që sypozohet se duhet t’i studjojnë. Ata bëhen vetëm përcjellës, transmetues të rezultateve hulumtuese të të tjerëve në vend se të jenë vetë krijues, hulumtues.

Mediokritete mund të ketë posaçërisht shumë edhe në jetën politiko-shoqërore dhe, sikundër e dëshmon përvoja jetësore, këto mediokritete, me cilësitë e tyre, e kompletojnë akoma më shumë portretin e mediokritetit në përgjithësi.

Disa prej mediokriteteve të jetës politiko-shoqërore janë modiokritete vetëvetiu, pse kanë lindur dhe janë formuar si mediokritete, domethënë janë gjysmakë sua sponte, kurse disa të tjerë janë mediokritete përdhunë, të detyruar prej ndonjë fuqie më të lartë qoftë kierarkike, qoftë intelektuale, domethënë janë medioktetete sub poena.

Mund të flitet, prandaj, për dy tipe mediokritetesh në jetën politiko-shoqërore: për mediokritetet vullnetare dhe për mediokritetet e dhunuara. Çfarë tipesh ka më shumë? Është vështirë t’i jepet përgjegjja kësaj pyetje për arësyen e thjeshtë se: e para, mediokritetet, shpesh, nuk e dinë dhe nuk e pranojnë se janë mediokritete dhe, e dyta, pse askush nuk del në rrugë të thotë jam apo më kanë bërë mediokritet, gjysmak.

Mediokritetet politike vullnetare nuk mendojnë politikisht me kokën e vet ose pse e kanë mesatarisht të vogël dhe në të s’mund t’ju lindin farë ideshë apo mendimesh origjinale ose pse, si edhe gjithë mediokritetet e të gjitha meridianeve dhe të gjitha fushave të aktivitetit të njeriut, kanë qejf të mendojë dikush tjetër për ta.

Mediokritetet vullnetare e ndjejnë veten fare mirë në pozitën e mediokritetit: ashtu kanë më tepër gjasa të përparojnë, duke u përbiruar nëpër rrjeshtin e kokave origjinale. Njeriu mund të krijojë karierë politike në dy mënyra: ose me aftësi dhe vendosmëri të rrallë — kur ka prirje të posaçme organizative, kur ka intuitë politike dhe e ndjen pulsin e masës, kur ka vesh të hollë që të dëgjojë zërin shpesh të heshtur të historisë, kur, pra, me talent politik shquhet në mjedisin e vet; ose me poltronizëm dhe gjysmaki — kur nuk i ka prirjet e të parit, por ka gatshmërinë që të flasë me gojën e tij.

Lexo po ashtu:  “Autobiografia perfekte” e Fjodor Dostojevskit

Mediokritetet vullnetare politike herat më të shpeshta janë rezervat e arta të kuadrit, me të cilat plotësohen birat e ndryshme, me rëndësi mesatare ose minore, në jetën politiko-shoqërore. Megjithëse këto mediokritete janë të gjykuara të luajnë role sekundare në shoqëri, duke qëndruar pjesën më të madhe të kohës në odajashtën politike, gjatë historisë ka ngjarë që mediokritetet të gjenden edhe në pozitat, në të cilat janë vendosur fatet e popujve dhe është krijuar historia botërore.

Mediokritetet politike të dhunuara, ndërkaq, ndryshojnë prej mediokriteteve vullnetare pse janë më pak stabilë se ata. Në mungesë të forcës morale dhe të vendosmërisë ata përkulen edhe atëherë kur, rastësisht, mund të kenë edhe vetë të drejtë. Të përkulur njëherë, ata shtrëngohen, mandej, ta kalojnë jetën në atë pozitë, por duke pritur rastin më të mirë që të drejtohen dhe t’i hudhin prej qafet urdhëruesit e vet. Mediokritetet e këtilla gjithmonë janë si bombat, që mund të eksplodojnë posa të gjenden në kushte të volitshme që të aktivizohet fitili i tyre.

Këso medioritetesh ka më së shumti në pushtetet diktatoriale, tek kërrusen edhe ata persona, që s’do të kërruseshin në kushtet e jetës demokratike dhe ku servilizmi, poltronizmi dhe demagogjia janë parakushtet e përparimit. Sistemet ortodokse, në të cilat parimet janë dogma, prodhojnë shumë mediokritete, ashtu siç prodhojnë anarkistë sistemet, në të cilat parimet janë vetëm deklarata.

Mediokritete ka mjaft edhe në jetën e përditshme shoqërore, në komunikimin e përditshëm ndërmjet njerëzve. Mediokriteti mund të jetë mediokritet jo vetëm si shkrimtar, piktor, kompozitor, kritik, historian, politikan, nëpunës, por edhe si qytetar, si mik. Disponimi dhe temperatura e ndjenjës së miqësisë së mediokritetit, zakonisht, ngriten apo fashiten varësisht prej mendimeve të të tjerëve.

Në qoftë se dikush ja prozhmon apo kritikon personin e ndjenjës së tij atëherë mediokriteti do t’i largohet; në qoftë se miku pëson politikisht, mediokriteti do të ikë prej tij si prej murtajës; në qoftë se dikush ja lavdëron, ja mbron atëherë mediokriteti do t’i qaset, natyrisht, i gatshëm t’i largohet rishtazi posa t’ja ndryshojnë disponimin e, në qoftë se përparon në kierarkinë shoqërore, mediokriteti do të kujdeset t’i hyjë nen sqetulla, Kështu, në fushën e komunikimit të përditshëm qytetar, mediokritetet ose tërhiqen si çakajt e frikësuar ose sulen si demat e arenave të Spanjës.

Le të thuhet, në fund, se mediokriteti është mediokritet edhe në mënyrën e veshjes — duke i imituar të tjerët; në mënyrën e qeshjes — duke u zgërdhirë si ndonjë artist filmi, në mënyrën e sjelljes — duke imituar ndonjë gjeni të çmendur të metropolave evropiane; në mënyrën e shprehjes gojore — duke përdorë fraza të importuara, e të tjera e të tjera të ngjashme. Në vallen e pandërprerë të jetës njerëzore, mediokritetet e periferisë sillen ashtu gjithmonë rreth idhujve të huaj.
Sikundër mund të shihet prej këtyre shembëllave, që në asnjë mënyrë nuk e shterrin psikologjinë dhe mentalitetin e mediokriteteve, mund të konkludohet se të gjitha mediokritetet i karakterizon mungesa e origjinalitetit, në radhë të parë në fushën e mendimit e të sjelljes.

Psikologjia e mediokritetit përmban doza të mjafta të një infantilizmi specifik dhe ky infantilizëm dëshmohet me gatishmërinë e mediokriteteve, që t’ju nënshtrohen formave dhe kallupeve të huajtura të mendimit dhe veprimit.
Si individ me aftësi, prirje dhe vlerë mesatare, mediokriteti është gjysmak në të gjitha pikëpamjet intelektuale, kulturore dhe morale, por gjysmak që në asnjë rast nuk mund të dyshojë në mundësitë dhe vlerën e vet. Përse? Për shkak se aftësia mesatare nuk i lejon të shohë përtej mundësive të veta mesatare. Megjithëse ndonjëherë është skepticizëm dekurajues, dyshimi kur është i frymëzuar prej aspiratash pozitive dhe moralisht të larta është një kualitet, që i kontribuon përparimit.

Dyshimi në të vërtetë është nëna e mençurisë. Është afër menç se njeriu që s’është i kënaqur me punën e vet dhe vlerën e saj, do të përpiqet për kualitete më të larta; është afër menç se njeriu, që ka aftësi të dyshojë, jo vetëm për të dyshuar, në pohimet e autoriteteve, por pse sheh më larg, do të mundë të sjellë ide, mendime, pohime origjinale. Dyshimi i njeriut të prirur nuk ka asgjë të përbashkët me dyshimin e Thomajt të shenjtë, i cili nuk besonte në fjalët e njëmbëdhjetë apostujve të tjerë që thonin se e kishin parë Jezuin, prandaj donte ta shihte vetë dhe t’i fuste gishtërinjtë në plagët e tij. Ky është dyshim intelektual i njerëzve me prirje dhe aftësi të rrallë, që dyshojnë në mënyrë krijuese. Ky dyshim s’ka të bëjë me skepticizimin.

Përmes këtij dyshimi krijues është zhvilluar mendimi dhe është pasuruar kultura njerëzore. Dyshimi i individëve me prirje, vlerë dhe aftësi të jashtëzakonshme ka sjellë revidimin, plotësimin apo ndryshimin e teorive, gjendjeve, situatave dhe të sistemeve shoqërore gjatë historisë. Në saje të dyshimit të Kopernikut, sistemin geocentrik të Ptolomejt e ka zëvendësuar sistemi heliocentrik; në saje të dyshimit të Bolait, Gausit dhe Rimanit, elementet e Euklidit janë zëvendësuar prej elementesh joeuklidike; në saje të dyshimit të Marksit, Engelsit dhe Leninit në drejtësinë e shoqërisë borgjeze është krijuar doktrina e shoqërisë socialiste dhe komuniste.

Njeriu që nuk vuan kurrë prej dyshimit krijues, natyrisht, do të vuajë prej vetëbesimit të verbër, që është poaq destruktiv sa edhe dyshimi skeptik. Mediokritetet i besojnë vetes aq shumë sa nuk mund të dyshojnë kurrë. S’është çudë, prandaj, pse një lloj i posaçëm i mediokriteteve janë llafazanë dhe mburravecë të paturp. Moralisti francez, Zhan de la Brier, thotë bukur se „Cilësi e mediokritetit është dërdëllisja e pandërprerë”. Mediokritetit të këtillë i duket e përsosur puna e vet dhe do t’i duket e pavlershme puna e tjetrit. Ky mediokritet të përkujton borizanin e mitur, i cili nga do të shkojë dhe kudo të hyjë, pavarësisht prej durimit të njerëzve, do t’i bjerë instrumentit të tij.

Goja e mediokritetit është gjithnjë e plotë për shkak se mendja e tij është e zbrazët. Prej radhëve të këtyre mediokriteteve, zakonisht, rekrutohen ambasadorët e të keqes në një mjedis kulturor. Dhe, në qoftë se këto mediokritete mund të jenë ndonjëherë origjinalë dhe të mendojnë me kokë të vet, atëherë janë origjinalë vetëm me xhelozinë ndaj njerëzve të aftë dhe të prirur, në njerën dhe me fushatat kundër tyre, në anën tjetër.

Lexo po ashtu:  Prishtina e pasluftës dhe vrasja e Rexhep Lucit, shpalosen sonte në skenën e TKK-së

Nuk është çudë, prandaj pse mediokritetet e infektuara prej xhelozisë më së shpeshti bëhen spiunë, tradhëtarë, kolaboracionistë, kriminelë — në kohë të luftës dhe poltronë lakej, lajkatarë, bishtëlëmues, duarfërkues, abuzues, çnderues, kuazipatriotë, matriotë, kokëborokegojëtroke, truthatëgojëplotë,  shpirtashtagojëtrokashka, kokëthatëkëmbëgjatë, shpirtkazma, zemërderra, këmbëmajtëecdjathtë, kobashë, lalashë, merrmosdhënës, dorëgjatëxhepthellë, e të tjerë — në kohë të paqes.

Biografitë e mediokriteteve të kësaj fare, që, mjerisht, shkruhen vetëm rrallë, do ta dëshmonin pohimin e shkrimtarit të madh, Gëte, të cilin aq shumë e kanë përcjellë këto hijena gjatë jetës: „Budallenjt dhe njerëzit e mençëm janë njësoj të parrezikshëm. Të rrezikshëm janë njerëzit gjysmë të marrë dhe gjysmë të mençëm”.

Në qoftë se mund të jenë të rrezikshëm në veçanti, mediokritetet në përgjithësi mund të jenë më tepër të dëmshëm se të dobishëm. Në çdo shoqëri dhe në çdo mjedis ka njerëz që, kryesisht, vetëm dëgjojnë dhe disa shoqërive dhe disa sistemeve ju duhen shumë njerëzit e tillë, të cilët i reprodukojnë vetëvetiu.

Një shoqërie, që ardhmërinë e vet e bazon në forcat dhe iniciativat kreative të njeriut, mediokritetet nuk mund t’i kontribuojnë. Ata bëhen të dëmshëm pse krijojnë amulli, inercion, pasivitet. Të zhytur në terrin e gjumit, të komoditetit individual dhe të vetëkënaqësisë, ata krijojnë gjendje të përgjumshme kudo gjenden. Mediokritetet e pasivizojnë mjedisin, në të cilin jetojnë dhe punojnë për shkak se nuk mund ta freskojnë me ide, mendime, iniciativa, gjeste, frymëzime, aksione, propozime të reja dhe origjinale.

Deshtën apo s’deshtën, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, ata shndërrohën në armiq të lëvizjes dhe të dialektikës së jetës. Duke mos qenë as njerëz të meditacionit, as njerëz të aksionit, ata bëhen parazitë të shoqërisë, të cilën kujdesen ta mjelin sa më mirë dhe sa më gjatë. Kur shtohen mediokritetet, zakonisht, fillojnë kompromiset, në plan të parë dalin interesat e ngushta, banale, vdesin idealet e larta njerëzore dhe jeta shoqërore bëhet si një brrakë e madhe në të cilën i kënaqin qejfet e tyre këto krijesa sociale me aq shumë kërkesa e e aq pak fluturime shpirti.

Në qoftë se nuk janë vetë të manipuluar prej llojeve të ndryshme të demagogëve të shkathtë, atëherë mediokritetet bëhen vetë manipulues të interesave shoqërore. Një shoqërie që e mendon të nesërmen e popullit i duhen njerëz të aftë të mendojnë me kokë të vet, njerëz që sjellin ide të reja, që i frymëzojnë dhe vejnë në veprim të tjerët, që nxisin aksione.

Të tillët edhe i kontribuojnë më së shumti përparimit të shoqërisë. Për një popull gjithsesi është më mirë që të ketë më tepër njerëz kreativë në të gjitha fushat e aktivitetit: shkencor, artistik, ekonomik, politik, qoftë edhe të shqetësuar, se sa të ketë mediokritete të rehatshëm, llafazanë, mburravecë, e të tjerë. Njerëzit e tillë, kreativë në fushën e aktivitetit së cilës ju kanë kushtuar, i duhen veçmas një populli dhe një mjedisi, siç është yni, për arësye se vetëm me njerëz të tillë krijohen shembëlla pozitive dhe mobilizohen forcat që të tejkalohet mbrapambeturia e trashëguar dhe të zihet hapi me popujt dhe mjediset e tjerë, që kanë pasur një fat më të mirë historik.

Mediokritetet, si edhe demagogët dhe snobët, janë një materie interesante për shkrimtarët e, posaçërisht, për prozatorët. Do të dëshiroja që ndonjëri prej prozatorëve tanë të mirret me trajtimin e psikologjisë dhe mentalitetit të mediokriteteve, por, do të dëshiroja që tipin e mediokritetit tonë ta krijojë ndonjë prozator, që s’është edhe vetë mediokritet.

Përse? Për arësye se mediokriteti i pendës ose do të imitonte ndonjë shkrimtar të huaj, ose s’do të mundë të depërtonte në thellësitë e shpirtit të mediokritetit, kurse unë jam i interesuar të shoh si duket në jetën e artit mediokriteti i jetës sonë shoqërore. E siguroj shkrimtarin që, eventualisht, do t’i hynte kësaj pune jomirënjohëse se prototipe mediokritetesh do të gjejë mjaft: le të dalë në trotuare — kur është koha e mirë, le të hyjë nëpër disa kafene — kur është koha e keqe dhe e mirë, le të shkojë nëpër disa tubime, le të lexojë disa shkrime në shtyp dhe, ja, mjaft frymëzime të hidhura për ngushëllime letrare.

1972

*Ese e shkëputur nga libri “Panteoni i rralluar”, Rilindja, Prishtinë, 1973