Kundër censurës së bërë nga ‘Radio Kosova’ ndaj transmetimit të audio dramave të bazuara në rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur nga lufta.

Ballafaqimi me të kaluarën e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut është sfidë për shoqëritë që kalojnë tranzicione politike dhe shoqërore.

Është proces afatgjatë, i cili përgjithësisht përfshin një numër aktorësh dhe mekanizmash të ndryshëm me jo vetëm perceptime të ndryshme për të kaluarën, por edhe vizione të ndryshme për të ardhmen. Parimi kryesor i ballafaqimit me të kaluarën ka të bëjë me vendosjen e viktimave civile të luftës në qendër të procesit.

Në Kosovë, me përfundimin e luftës, 6063 persona janë raportuar të pagjetur, ndërsa aktualisht numri i të pagjeturve është 1638 – nga mosha, gjini dhe etni të ndryshme. Ndonëse më shumë se 70% e rasteve të raportuara për të pagjetur janë evidentuar, identifikuar dhe mbetjet trupore u janë dorëzuar familjarëve për (ri)varrim, kryerësit e veprave kriminale mbeten akoma të lirë, gjersa drejtësia dhe llogaridhënia mbeten procese për tu dëshiruar. Kjo, më tej, bën që të dihet fare pak për rrethanat e zhdukjes, çfarë ka ndodhur me të pagjeturit dhe çfarë mund të bëhet më shumë për zbulimin e krimeve të lidhura me këto raste.

Të shtyrë nga kjo dhe nga rëndësia që çështja e personave të pagjetur të aktualizohet dhe të adresohet nga mekanizmat për ballafaqim me të kaluarën, në vitin 2019, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur kanë publikuar librin e kujtimeve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, që shpalosë rrëfimet e 10 familjeve me rreth 33 anëtarë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Lexo po ashtu:  Opozita serbe zbardh prapaskenat e marrëveshjes që pritet të nënshkruhet në Bruksel

Bazuar në këtë libër, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me angazhimin e shumë artistëve profesionistë, Integra me partnerët e njëjtë dhe me mbështetje nga institucione të ndryshme, kanë realizuar ciklin prej 10 audio dramave me po të njëjtin titull “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, duke kontribuuar në ngritjen e vetëdijes kolektive dhe njohjen publike të vuajtjeve me të cilat familjarët e personave të pagjetur ballafaqohen tash e më shumë se 20 vjet.

Pas finalizimit të prodhimit të audio dramave “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, në mirëkuptim dhe në dakordim reciprok, Integra dhe Radio Kosova kishin arritur marrëveshje që cikli 10 episodësh i audio dramave të transmetohej në Radio Kosova, pa kompenzim, duke konsideruar rëndësinë që premiera e këtij prodhimi t’i ofrohej transmetuesit publik, i cili, pëveç tjerash ka për mision informimin e drejtë dhe të paanshëm.

Fillimet e bashkëpunimit me Radio Kosova ishin korrekte, duke u marrë vesh për aspekte teknike të promovimit, të transmetimit dhe të ritransmetimit të audio dramave. Me pajtim dy-palësh, premiera e episodit të parë të audio dramave u transmetua me datë 14 dhjetor 2020, duke u ritransmetuar ditën e nesërme. Episodi i dytë u transmetua me 21 dhjetor 2020 dhe që bazohej në rrëfimin e një gruaje serbe nga Shtërpca për burrin e saj të pagjetur si pasojë e luftës.

Lexo po ashtu:  Fshihen emërtimet shqipe në tabelat e rrugëve në Finiq

Me ta kuptuar që ky episod i dedikohej rrëfimit të një familjareje serbe, Radio Kosova, në mënyrë arbitrare, pa paralajmërim, nuk e transmeton reprizën të planifikuar për datë 22 dhjetor 2020, ora 20:10.

Pas veprimeve të tilla, Integra thërret takim urgjent me drejtuesit e Radio Kosovës, të cilët të mllefosur e të nervozuar shprehen që nuk janë të pajtimit që të transmetojnë përmbajtje të bazuara në rrëfimet e familjarëve të viktimave jo-shqiptare, përkundër faktit që të 10 episodet e audio dramave i kanë poseduar paraprakisht.

Duke marrë për shkas që 3 audio drama nga cikli 10 episodesh bazohen në rrëfime të familjarëve jo-shqiptare, Radio Kosova me vendim të prerë refuzon transmetimin e tyre, duke detyruar palën tjetër (Integra) të ndërpresë bashkëpunimin me automatizëm.

Vendimi për censurimin e audio dramave të bazuara në rrëfime të famijarëve të të pagjeturve nga lufta, na zë në shok e të shqetësuar, duke na lënë të kuptojmë së në Kosovë vazhdon të ushqehet e të mirëmbahet diskursi publik etnocentrik në raport me të kaluarën e luftës, ku dominon narrativë e njëtrajtshme dhe e politizuar.

Lexo po ashtu:  MBËSHTETJE E FUQISHME NGA SHBA-të/ Ambasadori Kosnett te Kurti, uron detyrën

Me këtë veprim, Radio Kosova si institucion publik, i financuar nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, me dy këmbë shkelë mbi të drejtën elementare të përfaqësueseve të viktimave civile të luftës, duke ua mohuar të drejtën për t’u shprehur, për të ditur, dhe për pjesëmarrje në ndërtimin e kujtesës kolektive. Me këtë qasje Radio Kosova, po ashtu, ka shkelur një nga parimet kyçe të demokracisë – lirinë e shprehjes. Mohimet, censurimet apo interpretimet tjera të së vërtetës i shohim si përpjekje për pengimin e proceseve të ballafaqimit me të kaluarën, thellimin e çarjeve dhe antagonizmave etnike, dhe shtrembërimin e kujtesës të së kaluarës.

Ky pozicionim i Radio Kosovës është jo etik dhe dhimbshëm karshi familjarëve të personave të pagjetur, të cilët, përkundër dallimeve, kanë mbledhur forcën që të bashkëpunojnë dhe ti artikulojnë kërkesat e tyre përmes Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur.

Ne i bëjmë thirrje institucioneve vendore, spektrit politik, mediave, aktivistëve të të drejtave të njeriut, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë me urgjencë për këtë censurë të Radio Kosovës, sepse me një qasje të tillë të transmetuesit publik ne konsiderojmë që pamundësohet një proces i shëndoshë i ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, mohohet e drejta e viktimave dhe familjarëve të tyre për drejtësi, dhe rrezikohen parimet themelore të demokracisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *