Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se draft-propozimi i tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është pritur mirë nga aleatët dhe partnerët, derisa ka shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq vendosin secili për veten, porse ka shtuar se rajoni nuk është vetëm i tyre.

Këto komente Rama i ka bërë me rastin e 32-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, ku ka thënë se socialistët kanë qenë gjithmonë në krah të Kosovës, siç theksoi ai, ndryshe nga Partia Demokratike e Sali Berishës, të cilën e kritikoi për persekutim të militantëve të UÇK-së.

“Atyre që e kanë kundërshtuar as pa e ditur fare edhe përmbajtjen dhe fatkeqësisht njësoj si në Prishtinë dhe në Beograd, duke thënë se nuk e presin dhe as nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria sepse sipas tyre, secila nga të dyja palët duhet ta bëjë vetë Asociacionin sipas mendjes së vet, unë i them dy gjëra: së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me ‘kush e tha’ dhe jo ‘çfarë tha’ dhe së dyti, vërtetë janë ata që vendosin secili për vete, por ky rajon nuk është vetëm i tyre, është dhe i yni, është dhe i disa të tjerëve. Prandaj, nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë akoma luftash një çerek shekulli, pasi lufta ka mbaruar ndërkohë që as njëra palë, as tjetra nuk i hapin dot njëra-tjetrës, jo luftë, por asnjë të shtënë që të kapërcejnë kufijtë sepse aty është Amerikë, është NATO dhe aleatëve tanë të mëdhenj po u soset durimi sepse po kërkojnë paqen përfundimtare, unë ju them që ne, jo vetëm nuk jemi fare të interesuar për atë lojë luftash, por më shumë se kaq, ne jemi plotësisht kundër asaj loje”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Mesiç më i guximshëm se Qeveria e Kosovës: Kufiri Kosovë – Serbi është i paprekshëm, nuk kishte arritur ta ndryshonte as Millosheviqi

Kryeministri shqiptar tha se Kosova është vetizoluar progresivisht nga aleatët strategjikë dhe miqtë më të mirë të shqiptarëve.
“Ne aty jemi për Kosovën edhe sot e gjithë ditën ku Kosova ka hyrë në një impas të rrezikshëm, duke u vetizoluar progresivisht nga aleatët strategjikë dhe miqtë më të mirë të shqiptarëve, ndërkohë që falë tyre në radhë të parë, Kosovës i ka ardhur në dorë mundësia e madhe reale që ta fitojë edhe diplomatikisht me Serbinë, luftën që ushtarakisht Serbia e ka humbur pa asnjë të drejtë apeli sot në 12 qershor e 24 vjet më parë kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Qëllimi ynë dhe i udhëheqjes në Kosovë, qëllimi im dhe i kryeministrit të Kosovës, gjithashtu janë krejt të njëjtë, por rrugët për arritjen e atij qëllimi nuk i shohim njësoj, madje gjithnjë e më ndryshe, sidomos kohët e fundit ku për mua, kursi i përplasjes strategjike me aleatët tanë është, jo vetëm një kuturisje me pasoja të pallogaritshme, por është dhe një aventurë pa asnjë kuptim në gjithë kotësinë e vet”, tha Rama. /KSP

Lexo po ashtu:  Shahini: Mësimi në Shqipëri nis më 14 shtator

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *