Marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së po shkojnë nga divorci i një aleance strategjike drejt një bashkëjetese në rivalitet të paktën në zona interesi të lartë si Lindje e Mesme dhe Mesdheu Lindor. Duket se qasja reciproke e të dy vendeve nuk ka të bëjë me qëndrimet e një administrate apo tjetrës, por me interpretimin ideologjik dhe strategjik të qëllimeve politike të Turqisë

Një raport i “Rand Corporation”, një qendër studimore shumë e njohur që financohet nga qeveria amerikane, vë në dukje disa gjetje problematike për Turqinë e Erdoganit dhe madje paralajmëron përsëritjen e një grushti shteti. Raporti konkludon se Erdogan e ka shndërruar Turqinë në një shtet autoritar me presidencë të fuqishme, ndërkohë që vë në dukje se “shumë turq kanë shqetësime për gërryerjen e demokracisë, pasigurinë ekonomike dhe arritjen e paqes me kurdët”.

Në lidhje me politikën e jashtme, Ankaraja vlerësohet se ka balancuar marrëdhëniet me fqinjët e vet në Azi duke vendosur në krizë thuajse afatgjatë ato me Bashkimin Europian. Qendra konstaton se “ShBA dhe Turqia kanë ende disa interesa që përputhen, përfshirë balancimi i Rusisë dhe Iranit, kundër terrorizmit dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme”, por siç vazhdon ajo marrëdhëniet janë të paqëndrueshme edhe pse një çarje e madhe mund të shmanget. Raporti flet madje për një ndikim të Rusisë në Turqi, duke sugjeruar se SHBA duhet të përdorë NATO-n si instrument dialogu dhe mjedis komunikimi.

Lexo po ashtu:  Masa të reja në Kosovë, Vitia: Nga e hëna nuk lejohet hyrja në lokale pa certifikatën e vaksinimit

Ekspertët amerikanë akuzojnë presidentin turk, Erdogan se ka adoptuar nacionalizmin etnik turk si mjet ideologjik në politikë duke pamundësuar kështu një zgjidhje të krizës kurde e cila ndikon në sigurinë e vetë Turqisë dhe zvlerëson tezën e Erdoganit për “Zero probleme me fqinjët” duke e përmbysur atë në “Vetmi të çmuar”.  Në tërësi strategjia e tij konsiderohet se do të vijë ndesh në disa drejtime me interesat e SHBA dhe aleatëve të tjerë të NATO-s.

Kjo situatë kërkon një rivlerësim të strategjisë së SHBA dhe Europës drejt Turqisë, përgatitje për zhvillime shpërthyese në disa aspekte të marrëdhënieve dhe nisma që mund të mbajën bashkëpunimin në përputhje me interesat e përbashkëta gjatë dekadës së ardhshme, thuhet në raport.

Kontrolli i partisë së Erdogan mbi ushtrinë interpretohet si problematik dhe mendohet se ka sjellë uljen e profesionalizmit, sidomos në forcën ajrore. Kritika është analoge me klishenë historiografike të pastrimeve të Stalinit në Ushtrinë e Kuqe gjatë viteve ’30 dhe në këtë kuadër, raporti thekson se

Lexo po ashtu:  Dibra, thesar natyror me kaq shumë për t’ju dhënë

spastrimet e pas grushtit të shtetit mund të çojnë në përsëritjen e një tjetër grushti shteti dhe duket se Erdogan e merr këtë kërcënim seriozisht.

Qëndrimet në politikën e jashtme kanë interes për palën amerikane. Thuajse në të gjitha pikat e raportit bie në sy përpjekja dhe këshilla që Turqia të trajtohet me kujdes, për vetë ndikimin dhe rolin që ajo ka.

Nisur nga pozicioni gjeostrategjik i Turqisë dhe ndikimi rajonal është shumë më mirë që Turqia të jetë brenda NATO-s, vlerëson raporti.

Dokumenti vendos në tryezë atë që mund të quhet partneriteti i vështirë me një shtet në rritje si Turqia. Perëndimi duket se nuk ka mekanizmin konceptual për të menaxhuar ambicie të vendeve të ndryshme. Kuadri i strukturave si NATO nuk i përgjigjet më realiteteve në zhvillim dhe kjo duket qartë në heshtjen e pakuptimë në përballjen mes Turqisë dhe Greqisë.

Raporti ka provokuar reagime në Turqi nisur sidomos nga parashikimi për përsëritjen e një grushti shteti. Në një shkrim në TRT World, autori Ali Cinar shkruan se autorët dhe dokumenti në tërësi frymëzohet nga kontaktet me gulenistë dhe në referim të qëndrimeve të tyre publike. Obsesioni me lëvizjen “Gulen” është shndërruar në mënyrë të menduari dhe ndoshta Ankaraja zyrtare sheh te rezervimi i palës amerikane për çështjen “Gulen” një planifikim për një Pranverë Turke kundër Erdoganit që do të zgjidhte në fakt dilemat strategjike që imponon një politikë si ajo e presidentit të tanishëm turk.

Lexo po ashtu:  Ministrja e Arsimit, Besa Shahini: Pas vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *