Një proces dypartiak hetimor mbi përpjekjet e Rusisë pët të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016 arrin në përfundimin se Moska përdori me sukses një rrjet operativësh si dhe masash për të futur në grackë anëtarë të fushatës Trump, duke i lënë disa prej tyre të hapur ndaj manipulimeve.

Raporti arrin në përfundimin se kreu i fushatës Trump, Paul Manafort përbënte “kërcënim të rëndë për kundërzbulimin” si rezultat i lidhjeve me individë të afërt me Kremlinin. Por raporti shton gjithashtu se hetimet e FBI-së mbi ndërhyrjet ruse “kishin probleme”.

Raporti i bërë publik të martën nga Komisioni i Senatit për Zbulimin është i pesti mbi këtë temë dhe përfaqëson përmbylljen e një pune tre vjeçare. Në të përfshihen intervista me qindra dëshmitarë si dhe rishikimi i mbi 1 milion faqeve me dokumente.

Raporti përqëndrohet tek individë të caktuar në Rusi dhe brenda fushatës Trump, si dhe përpjekjeve nga agjenci ruse të zbulimit dhe organizata të ndryshme si WikiLeaks, të cilat sipas raportit “me shumë gjasë ishin të vetëdijshme se po ndihmonin zbulimin rus”.

Megjithëse raporti nuk identifikon prova se zyrtarë të fushatës Trump me dijeni dhe ndërgjegje punuan me rusët gjatë zgjedhjeve, ai arrin në përfundimin se, ose të nxitur nga ambicjet ose si rezultat i naivitetit, zyrtarët nuk përfillën mundësinë se po mbështeteshin nga Kremlini.

Lexo po ashtu:  Propaganda kundër Ministrisë së Shëndetësisë: një ndihmë e (pa)qëllimshme për Vuçiqin dhe Beogradin

Për shembull raporti thekson se me publikimin nga WikiLeaks të dokumenteve të Komitetit Kombëtar Demokrat, të siguruara nga hakerimi rus, fushata e zotit Trump u përpoq të përfitonte sa më shumë përmes “ndikimit të këtyre publikimeve për të shtuar shanset e zotit Trump për zgjedhje”.

Raporti ngre shqetësime për rolin e zotit Manafort, një operativ republikan dhe lobist ndërkombëtar që u përfshi në fushatën e zotit Trump në mars 2016.

“Prania e zotit Manafort në fushatë dhe afërsia me zotin Trump i krijuan mundësi zbulimit rus të ushtronte influencë dhe të siguronte informata konfidenciale,” thoshte raporti.

Zoti Manafort u shpall fajtor për evazion fiskal e manipulim bankar gjatë një tjetër procesi hetimor të hapur nga Prokurori Special, Robert Mueller. Ai u lirua nga burgu disa muaj më parë.

Por raporti ngre shqetësime për lidhjet e vjetra të zotit Manafort me oligarkun rus Oleg Deripaska, i cili dihej se drejtonte operacione nën udhëzimet e Kremlinit, nganjëherë me ndihmën e zotit Manafort, si dhe me përfshirjen e zyrtarit të zbulimit rus, Konstantin Kilimnik.

Në veçanti, raporti shpreh shqetësim për lidhjet Manafort-Kilimnik, të cilat i cilëson si “të ngushta dhe të gjata”.

“Në disa raste Paul Manafort u përpoq t’i përcillte zotit Kilimnik informata sekrete mbi fushatën,” thotë raporti.

“Komisioni nuk arriti të vërtetonte përse zoti Manafort përcillte të dhëna të tilla dhe kujt ia kalonte këtë informacion Kilimnik”.

Lexo po ashtu:  Njerëzit fallco janë miqësorë vetëm kur u shkon për shtat

Raporti thotë se Rusia kishte shfrytëzuar edhe mënyra të tjera për të ndikuar tek njerëz të afërm me zotin Donald Trump.

“Rusia shfrytëzoi mungesën e eksperiencës në politikë të pjesëtarëve të ekipit të zotit Trump për tranzicionin, rezistencën nga politikanë të administratës së zotit Obama dhe dëshirën e zotit Trump për të forcuar lidhjet me Rusinë, duke ndjekur një diplomaci përmes kanaleve jozyrtare,” thotë raporti.

Hetuesit nënvizojnë se “një objektiv me interes për Rusinë ishte ekzistenca e një kuadri me konsulentë jo-zyrtarë në ekipin e tranzicionit të zotit Trump, të cilët gëzonin nivele të ndryshme konfidence tek presidenti i zgjedhur, si dhe nivele të ndryshme njohurishë për sjelljen në politikën e jashtme”.

Por raporti gjithashtu nuk kursen kritikat në adresë të reagimit të institucioneve, si FBI-ja apo kundërzbulimi ndaj veprimeve të Rusisë.

“Komisioni arriti në përfundimin se FBI-ja nuk kishte një proces zyrtar për t’u rënë këmbanave të alarmit lidhur me hakerimin e dokumenteve të Komitetit Demokratik Kombëtar,” thotë raporti.

Autorët kritikojnë ashpër FBI-në pasi rendën me entuziazëm të pajustifikueshëm pas një dosjeje të përgatitur nga një ish-agjent zbulimi britanik, e cila përfshinte informata joshëse, por jo të verifikuara se Rusia mund t’i kishte bërë presion zotit Trump.

Lexo po ashtu:  Kryeministri bëri publike emrat e grupeve kriminale që u përfshinë në protestat në veri – Prokuroria Speciale nuk përgjigjet

Raporti thotë se FBI-ja “nuk e adaptoi si duhet metodologjinë lidhur me dosjen e ish-agjentit Christopher Steele, pasi një nga burimet e tij ofroi të dhëna që ngrinin dilema serioze për përshkrimet e zotit Steele”.

Megjithëse raporti është përgatitur në mënyrë dypartiake, udhëheqësit e Komisionit të Senatit për Zbulimin dolën me konkluzione të ndryshme në komentet publike të martën:

“Mund të themi pa hezitim, se Komisioni nuk ka gjetur asnjë provë se zoti Trump dhe fushata e tij kishin bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë për të ndikuar tek zgjedhjet e 2016-tës,” tha Senatori republikan Marco Rubio.

Zoti Rubio shtoi se përdorimi i dosjes Steele nga FBI-ja ishte shqetësues, por shtoi gjithashtu se kishte prova të pamohueshme se Rusia ishte përpjekur të ndërhynte në zgjedhje.

Senatori demokrat Mark Warner foli për kontakte shokuese mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe operativëve të Kremlinit që përbëjnë kërcënim real për kundërzbulimin.

Në një raport të mëparshëm të publikuar në prill, komisioni i Senatit doli me përfundimin se ka prova të forta se Rusia u përpoq të ndikonte në zgjedhje në favor të zotit Trump./VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *