Raportuesja për Kosovën në Parlamentin, Evropian Viola Von Cramon, është treguar e zëshme ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë. Eurodeputetja në një intervistë për media ka thënë se nëse LDK-ja tërhiqet nga koalicioni do të ishte veprim i njëjtë me atë të grusht-shtetit. Deputetja gjermane në PE është shprehur se taksa duhet të hiqet por kjo nënkupton reciprocitet nga Beogradi në ndaljen e fushatës së tyre kundër pavarësisë së Kosovës.
Koalicioni VV-LDK që udhëheq me Qeverinë është në pikën më të ulët të bashkëpunimit që nga marrëveshja për bashkëqeverisje.
LDK-ja ka iniciuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë që udhëhiqet nga Albin Kurti pasi ky i fundit shkarkoi nga posti i ministrit Agim Veliun.
Por mocionin e mosbesimit nga LDK-ja ndaj Qeverisë Kurti në të cilën bën pjesë edhe vetë, raportuesja për Kosovën në Parlament Evropian po e sheh si pretekst të LDK-së për lojë politike mes Isa Mustafës dhe Presidentit Thaçi.
“Unë besoj se LDK-ja nuk duhet ta përdorë këtë krizë si pretekst për kumar politik. Ne të gjithë e dimë se kjo është pjesë e një loje më të madhe politike. Thaçi dhe Mustafa dëshirojnë të jenë pjesë e dialogut dhe ata duan të sigurohen se do të ulen në tryezë me Beogradin e jo Kurti i vetëm. Megjithatë, një udhëheqësi e përgjegjshme dhe demokratike duhet të qëndrojë e bashkuar në kohën e një krize të tillë të pashembull”, i ka thënë deputetja gjermane.
E pyetur nëse LDK-ja duhet ta çojë përpara nismën për rrëzimin e Qeverisë, gjermanja Von-Cramon ka thënë se nëse LDK-ja vendosë ta braktisë Qeverinë tani kjo do të nënkuptonte grusht shteti.
“Natyrisht, debati për atë se si duhet të merremi me situatën është legjitim, por zgjidhja përfundimisht nuk është të largohesh dhe ta braktisësh Qeverinë. Kuvendi dhe Qeveria do të duhet të veprojnë shpejt, nëse kriza shëndetësore përkeqësohet, për këtë arsye ne nuk duhet ta vënë në rrezik funksionimin e tyre. Nëse LDK-ja tërhiqet tani nga koalicioni, ky është më tepër si një grusht shteti, jo si një veprim i përgjegjshëm”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, sa u përket deklaratave të kryetarit të LDK-së se mosheqja e taksës nga kryeministri Kurti është edhe arsyeja që ata nuk do të rrinë më në Qeveri, raportuesja për Kosovën është shprehur se arsyetimi i liderit të LDK-së është i diskutueshëm.
Sipas europarlamentares, kryeministri Kurti ka treguar vullnet për heqjen e taksës.
“Ky arsyetim më duket mjaft i diskutueshëm. Zotëri Kurti ka qenë dhe është shumë i hapur për të bërë hapa për largimin e taksës. Jam i sigurt se së shpejti kjo do të duhej të ndodhte, por nëse largimi i taksës është gjithashtu qëllimi kryesor i zotëri Mustafës, atëherë ata duhet të punojnë rreth kësaj së bashku e jo të largohen nga tavolina”, ka thënë Von-Cramon.
Tutje deputetja e PE-së është shprehur se Beogradi duhet të ndalë fushatën e çnjohjeve kundër Kosovës dhe të kenë kryeministrin si udhëheqës legjitim në dialog.
“Pyetja thelbësore për heqjen e taksës është reciprociteti nga ana e Beogradit, që nënkupton se ata duhet ta ndalin fushatën e tyre globale për çnjohje dhe ata duhet ta kenë kryeministrin si një udhëheqës legjitim për tryezën e dialogut”, ka deklaruar Von-Cramon.