India po tregon se mund të arrihet imuniteti i tufës kundër CoVid-19, edhe para se të shkohet te vaksinimi masiv. Javët e fundit, numri i të infektuarve dhe të vdekurve në vend ka rënë, në disa qytete të mëdha, por edhe në fshatra të caktuara. Në Indi kulmi maksimal i infeksionit u arrit më 16 shtator, me 97 895 raste në 24 orë; dje (30 janar 2021), rastet e reja ishin 10 974 me 86 vdekje, në vendin me popullsi 1 miliard e 340 milionë banorë. Nuk ka siguri shkencore në lidhje me arsyet e rënies drastike të shifrave, por ekspertët besojnë se shumë më tepër se dhjetë milionë e 700 mijë njerëz e kanë kaluar infeksionin.

Sipas një studimi nga Këshilli Indian i Kërkimeve Mjekësore, 25% e banorëve janë infektuar deri më tani, praktikisht 335 milionë. Sipas të gjitha gjasave, thonë shkencëtarët, kjo do të thotë që në disa zona është arritur ose është pranë arritjes imuniteti i tufës.

Statistikat e testeve serologjike tregojnë se në Delhi midis 45 dhe 50% të banorëve janë infektuar, në Mumbai 57%, në Pune 85%, në Kolkata më shumë se 30%, në të gjithë Karnataka dhe në shtetin Bangalore rreth 44% .

Lexo po ashtu:  Nënën SHQIPTARE nga Kosova e babanë shqiptarë nga Maqedonia: Kush është Blerim Reka, ministri i ri i Kurtit

Në disa spitale në kryeqytetin Delhi, në pavijonet Covid nuk po shtrohen pacientë të rinj. Imunologu Satiajit Rath, i Institutit Kombëtar të Imunologjisë, thotë se shpjegimi mund të jetë dendësia e madhe e popullsisë në disa qytete, në të cilat muajt e fundit virusi ka qarkulluar më shumë se kudo tjetër. E dyta është se vendi është i varfër dhe shumë nuk kanë qenë në gjendje të punojnë nga shtëpia. Mbajtja e distancës nuk është e lehtë dhe rregullat e higjienës nuk respektohen gjithmonë. Përveç kësaj, popullsia është shumë e re, 50% janë nën moshën 25 vjeç, ndërsa mbi 65 vjeç janë vetëm 6.5% e numrit të përgjithshëm: ndoshta, shumë prej tyre janë infektuar dhe e kanë kaluar sëmundjen pa simptoma. India e nisi imunizimin përmes vaksinës më 16 janar. Pavarësisht nga trendi në rënie i rasteve të reja, në disa zona virusi vijon të përhapet me shpejtësi, si p.sh. në Kerala.

Edhe në drejtim të vaksinave, India po punon shpejt. Instituti i Serumit, numri një në botë për vaksinat, po prodhon në nivel lokal vaksinën e AstraZeneca-s dhe një tjetër, Covaxin.

Lexo po ashtu:  Gjermania kërkon fuqi punëtore nga Ballkani, hapet qendra për njohjen e diplomave

Megjithatë, duket se arsyet e rënies së rasteve të reja nuk lidhen me vaksinën. Sado trishtim mund të shkaktojë kjo për të tjerët, rasti i Indisë tregon se virusi dhe imunizimi përmes vaksinës ecin me shpejtësi që ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. / Corriere.it /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *