Planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e rreth një të tretës së trupave nga Gjermania është kritikuar nga konservatorët gjermanë, por është mirëpritur nga politikanët majtistë.

Raportohet se kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka urdhëruar Pentagonin që ta zvogëlojë numrin e trupave për 9,500 ushtarë nga 34,500 sa janë gjithsej në Gjermani si pjesë e një marrëveshjeje të gjatë mes aleatëve.

Johann Wadephul, nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Kristinademokrate të kancelares Angela Merkel, e cilësoi këtë tërheqje si thirrje për zgjim. “Planet tregojnë se administrata e Trumpit është duke e neglizhuar detyrën themelore të lidershipit, që t’i angazhojë partnerët e koalicionit në procesin e vendimmarrjes”, tha ai.

“Të gjithë përfitojnë nga qëndrimi i bashkuar i aleancës, vetëm Rusia dhe Kina përfitojnë nga mosmarrëveshjet. Uashingtoni duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj”, shtoi ai, shkruan “The Guardian”.

Sidoqoftë, ndryshe mendon Dietmar Martsch, kryetar i grupit parlamentar të partisë majtiste “Die Linke”, i cili i mirëpriti planet e presidentit amerikan. “Qeveria federale duhet ta pranojë me mirënjohje këtë plan dhe shpejt ta fillojë përgatitjen e tërheqjes së plotë të ushtarëve amerikanë me administratën e Trumpit”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Qyteti shqiptar që zotërohet nga MAFIA

Ndërkohë Polonia po shpreson se do të sigurojë më shumë ushtarë amerikanë si pasojë e këtyre zhvillimeve. Kështu tha të shtunën kryeministri i këtij vendi, Mateusz Morawiecki. “Unë vërtet shpresoj që si rezultat i shumë bisedimeve që kemi pasur dhe duke dëshmuar se sa partner i qëndrueshëm jemi në NATO, disa nga trupat që tash për tash janë të vendosura në Gjermani të përfundojnë në Poloni”, tha ai për Radion RMF.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *