Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar ndaj kërkesës së kryediplomatit evropian, Josep Borrell, për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë shkeljen e sovranitetit të shtetit.

KMDLNJ në reagimin e saj e quan të pamoralshme kushtëzimin e Borrellit për lejim të mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese, duke thënë se kryediplomati evropian duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe dhe vullnetin e më shumë se 100 shteteve që e kanë pranuar Kosovën, shtet të pavarur dhe sovran.

Serbia ka kërkuar që referendumi i 16 janarit të mbahet edhe në Kosovë, dhe një kërkesë të tillë Borrell ia ka adresuar edhe kryeministrit Albin Kurti, por që ky i fundit është shprehur kategorik kundër, duke thënë se serbët e Kosovës mund të marrin pjesë vetëm përmes postës ose zyrës ndërlidhëse.

KMDLNJ thotë se nuk e ka të qartë rolin e Borrell-it si lehtësues në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duke e vlerësuar kredibilitetin e tij me notën zero.

Lexo po ashtu:  FLET IKONA E NBA, “Më shumë po vriten nga racizmi se nga Covid-19”

“Mbajtja apo lejimi për mbajtje të një referendumi të Serbisë në Kosovë ndërlidhet me sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës andaj qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë dhunimin e këtij sovraniteti që ia garanton edhe e drejta ndërkombëtare sikur që e detyron edhe Kushtetuta e Kosovës të mos lejojë këtë referendum. Qeveria e Kosovës nuk mund të kushtëzojë se kush do të jetë përfaqësues i BE –së në bisedime midis Kosovës dhe Serbisë por duhet të reagojë në çdo veprim anues të Borrell-it dhe Lajçakut duke mos bashkëpunuar për jetësimin e propozimeve të tyre e që janë nga pozicionet puro serbe”, thuhet në reagim.

Moslejimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese të Serbisë, sipas KMDLNJ-së nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut përmes mohimit të drejtës së votës, por pikërisht është demonstrim i zbatimit të universalitetit të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike.

“Pikërisht ndërkombëtarët i kanë imponuar Kosovës devijim nga universaliteti i të drejtave të njeriut përmes diskriminimit pozitiv që vlen për serbët e që praktika e të drejtave të njeriut nuk e njeh këtë cilësim andaj KMDLN kërkon që ky cilësim diskriminues (diskriminimi pozitiv) të hiqet nga përdorimi për t’i lënë vend zbatimit të të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat e njeriut , pa bërë asnjë diskriminim”, përfundon reagimi i KMDLNJ-së.

Lexo po ashtu:  15 orë rezistencë e artistëve, policia tërhiqet nga Teatri Kombëtar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *