Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos udhëtojnë nëpër Serbia, derisa të qetësohet situata në veri të Kosovës.

Sipas tyre, së paku tre qytetarë të Kosovës janë arrestuar në pikën kufitare në Merdare nga policia e Serbisë, pa e ditur arsyen e arrestimit, ku sipas familjareve dyshohet se janë arrestuar vetëm se kanë qenë shqiptar.

“Së paku tre qytetarë të Kosovës janë arrestuar në pikën kufitare në Merdare nga policia e Serbisë, pa e ditur arsyen e arrestimit. Sipas mediave, një familjar paska deklaruar se janë arrestuar vetëm se janë shqiptarë dhe se nuk janë arrestuar nga policia kufitare por se qenkan arrestuar nga njësitë policore të ardhura nga Beogradi”, thuhet në komunikatë.

Për këto rrethana, KMDLNj u ka bërë thirrje qytetarëve që mos të udhëtohet përmes Serbisë aq më parë që ka mundësi të tjera për udhëtim siç janë përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut

“Nuk është dhe sigurisht nuk do të jetë hera e fundit që qytetarët e Kosovës janë arrestuar dhe do të arrestohen gjatë udhëtimit nëpër Serbi, si rrugë për shtete të tjera ku jetojnë dhe punojnë. Këto arrestime shpeshtohen gjatë kohës së pushimeve, verore dhe dimërore dhe festave kur ardhja e bashkatdhetarëve është më e madhe, KMDLNj –ë disa herë ka reaguar për këto arrestime duke bërë thirrje publike që mos të udhëtohet përmes Serbisë aq më parë që ka mundësi të tjera për udhëtim siç janë përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtu:  STUDIMI: Përdoruesit e Twitter-it më të arsimuar dhe me të ardhura më të larta

Sipas tyre, qytetarët shqiptarë nga Kosova që po arrestohen në Serbi, shumica e tyre mbahen disa muaj në arrest dhe pasi paguajnë një shumë të madhe të parave lirohen për ta vazhduar rrugën.

“Paratë ua marrin disa avokatë sekserë që flasin në emër të prokurorisë dhe gjykatave të Serbisë, të cilat, sipas sekserëve kërkojnë para për t’i liruar. Sidomos gjatë pushimeve, qytetarët e Kosovës përballen me shumë probleme gjatë udhëtimit nëpër Serbi duke filluar nga vjedhja e gjësendeve nga automobili, gjobat e larta dhe të shpifura nga policia serbe e deri te arrestimi i tyre. Policët serbë dhe gjykatat e kanë të qartë se bashkatdhetarët tanë mund ta humbin vendin e punës në shtetet ku punojnë dhe jetojnë prandaj edhe paguajnë para për ta blerë lirimin ndonëse nuk kanë bërë asnjë vepër penale”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas informatave të KMDLNj-së, të arrestuarit në Merdare dërgohen në Burgun në Prokuple ku funksionon në mënyrë të përkryer skema e korrupsionit; avokatë, prokurori dhe gjykata.

Lexo po ashtu:  Teoritë e konspiracionit dhe keqinformimi rreth vaksinave

Sipas tyre, të burgosurit shqiptarë kanë vizita të rregullta familjare që parashihen sipas rendit të entit mbajtës sikur që nuk kanë probleme me të dënuarit tjerë apo me stafin mbajtës.

KMDLNj tha se pas përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, është vështirësuar edhe lëvizja e qytetarëve të Kosovës nëpër Serbi, gjë që përfundoi edhe me arrestimin e disa qytetarëve ditëve të fundit.

“Situata do të bëhet edhe më e rëndë për bashkatdhetarët pasi jemi në prag të fillimit të pushimeve verore dhe shumica e tyre e zgjedhin Serbinë si rrugë më e shkurtër për në Kosovë. KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë dhe të zgjedhin rrugë tjera alternative e që janë të qasshme deri në një qetësim të situatës që do ta garantonte lirinë e lëvizjes për të gjithë. Rruga përmes Serbisë duket më e shkurtër por pasojat janë afatgjata dhe të kushtueshme aq më parë që në mungesë të bashkëpunimit midis ministrisë së Drejtësisë së të Kosovës dhe Serbisë, rastet e arrestimeve, trajtimi dhe vet gjykimi po mbesin të pamonitoruara. Rasti eklatant është ai i Nezir Mehmetajt që më shumë se dy vite po mbahet i arrestuar në kohën që në letrën e dërguar ministrisë së Drejtësisë së Serbisë nga ministria e Drejtësisë së Kosovës, për rastet në fjalë, deri sot nuk ka asnjë përgjigje. Ndërkombëtarët, si ndërmjetësues kryesisht interesohen për arrestimin e serbëve në Kosovë apo shtetasve kosovarë të kombësisë serbe që ndalohen nga autoritetet e Serbisë. Jo në pak raste, ndërkombëtarët kërkojnë lirimin e serbëve të arrestuar përmes një presioni diplomatik që nënkupton se për shkak të oportunitetit politik nuk e kanë aspak problem t’i zbatojnë standardet e dyfishta”, lexon tutje komunikata e KMDLNj-së.

Lexo po ashtu:  Deputeti zviceran: Nuk ka konflikt Kosovë-Serbi, ka Vuçiq, Putin e fashistë serbë

“Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Bruksel Marrëveshjen që garanton lirinë e lëvizjes e cila po mbetet peng i moszbatimit të marrëveshjeve tjera apo zhvillimeve politike. Të drejtat e njeriut përkatësisht liria e lëvizjes, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut që garantohet me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut duhet të zbatohen sipas parimit të universalitetit ashtu siç shprehimisht është e shkruar në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara. KMDLNj ua përkujton edhe një herë të gjithë atyre që zgjedhin të udhëtojnë përmes Serbisë nëse është kohë e përshtatshme që të shfrytëzohen këto rrugë! Në të kundërtën, edhe ata edhe ne do të përballemi me pasojat!”, përfundon komunikata.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *