Italianët u drejtohen sot qendrave të votimit në një referendum për madhësinë e parlamentit dhe në zgjedhjet rajonale në të gjithë vendin.

Votimi do të shtrihet në dy ditë (e diel – e hënë).

Referendumi do të vendosë nëse Parlamenti do të reduktohet nga 945 vende që ka aktualisht në vetëm 600. Sipas propozimit, Dhoma e Ulët mund të ulet në 400 deputetë dhe Senati në 200.

Ndryshimi kushtetues është miratuar nga Parlamenti dhe nëse konfirmohet, do të jetë efektiv në zgjedhjet e vitit 2023.

Votimi ishte planifikuar fillimisht për në maj por u shty për shkak të pandemisë COVID-19, e cila deri tani u ka marrë jetën 35 000 njerëzve në Itali. Sondazhet e fundit tregojnë se shumë italianë janë pro reduktimit të vendeve të parlamentit.

Italianët gjithashtu do të votojnë për të zgjedhur 1 000 kryetarë bashkie dhe shtatë guvernatorë rajonalë, një tjetër votim që u shty për shkak të pandemisë.

Zgjedhjet rajonale do të jenë një provë për qeverinë dhe mënyrën si e ka menaxhuar ajo situatën e krijuar nga pandemia. Italia ishte vendi i parë evropian që imponoi bllokimin, pasi u kthye në epiqendrën e pandemisë në Europë.

Lexo po ashtu:  Kongresisti Eliot Engel: "Po shqetësohem gjithnjë e më shumë me taktikat e ashpra që po i përdor administrata Trump karshi Prishtinës. Sido që të jetë, tarifat janë mjet legjitim i një shteti sovran."

Koalicioni i krahut të djathtë i udhëhequr nga ish-ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, pritet të mbajë bastionet në dy rajone, sipas sondazheve. Tri rajone të tjera mund të zhvendosen djathtas.

Kandidatja e Legës së Salvinit, Susanna Ceccardi, garon kokë më kokë me kundërshtarin e saj demokrat në Toskanë, zonë që historikisht është qeverisur nga e majta.

Votimi do të vazhdojë deri në orën 11:00 pasdite dhe do të rifillojë të hënën në mëngjes në orën 7:00 të mëngjesit deri në 3:00 pasdite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *