Rexhep Qosja

Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë.

Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri Një fije shprese, një fije shkrepëse u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive.

Nuk është i pa paraardhës.

E paraardhës të tij janë një varg studiuesish të brezave të mëhershëm e të brezave më të rinj të letërsisë shqipe, apo të disa letërsive kombëtare në botë, si të letërsisë franceze, letërsisë angleze, letërsisë turke, letërsisë amerikane, letërsisë gjermane, letërsisë italiane, letërsisë ruse – kritikë letrarë, historianë të letërsisë, teoricienë të letërsisë. Disa prej tyre janë bërë krijues të çmuar si poetë, disa si prozatorë, disa si dramaturgë, kurse disa njëkohësisht si krijues të veprave të të tria këtyre gjinive letrare.

Nuk është e lehtë që temat e mëdha, historike, siç janë luftërat mes shteteve, popujve, qofshin pushtuese, me dhunë terror e masakra, siç ishte lufta e Serbisë në Kosovë, qofshin vetëmbrojtëse, çlirimtare, të drejta, siç ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të trajtohen në letërsi.

Lexo po ashtu:  Gjergj Fishta – “Shqypnija”

Trajtimi i temave të tilla rrezikohet shumë prej retorikës, prej patetikës, prej folklorizmit, prej romantizmit, në njërën anë dhe prej trillimit të të dhënave propagandistike, në anën tjetër.

Romani i Ag Apollonit, Një fije shprese, një fije shkrepëse, jo vetëm se nuk cenohet prej të metave të tilla, por është roman i disa veçantive të reja më pak në kompozicionin e më dukshëm në gjuhën e në stilin krijues, në ligjërimin e në figurshmërinë. Dhe, në domethënien.

Risi është koncepti i tij krijues për luftën, i bazuar në mendimin përmbledhës: “heroizmi që tremb e ka heshtur tragjizmin që dhemb.”

Risi është rritja kuptimore dhe artistike e romanit me pasurinë letrare e filozofike të mbamendjes së autorit.

Risi është ritheksimi krahasues i tragjizmit, që trajtohet në roman, me tragjizmin që trajtohet në tragjeditë madhështore të Eskilit.

Risi janë tekstet e ndryshme të shkurtra të një vargu krijuesish, kryesisht evropianë, që e përthellojnë përjetësimin mendor e ndjenjor të lexuesve të romanit.

Risi janë dy fatet plotësisht të ndryshme të dy nënave – të Pashkës, që dhembjen e pamatshme për dy djemtë e masakruar prej forcave kriminale pushtuese serbe e shpreh me vetëdjegie, dhe të Ferdonijes, që dhembjen e pamatshme për masakrimin e katër djemve dhe të bashkëshortit e shpreh me thjeshtligjërimin e saj pamatshëm ndjenjor dhe kuptimor.

Lexo po ashtu:  Qyteza shqiptare ku nuk ka më shqiptarë. Si u zhdukën?

Risi janë dialogët e stisur, papritmas të shkurtër, që kuptimisht dhe ndjenjërisht perceptohen dhe përvetësohen si dialogë të gjatë, të stisur me ndjenja e me domethënie.

Risi janë rrëfimet prej katër deri në nëntë rreshta të disa personazheve, që radhiten njëri pas tjetrit, që janë zëvendësim artistikisht i arritur i rrëfimeve shumë, shumë më të gjata.

Risi shumë ndikuese në përjetimet e lexuesve janë përfytyrimet, thjeshtligjërimet, bashkëbisedimet e nënës, Ferdonijes, me bijtë e saj të masakruar, të cilët imagjinata e saj e tronditur i qet gjallë para syve të vet; të cilët imagjinata e saj e tronditur i sheh duke jetuar, duke vepruar, duke u gëzuar në hapësira të ndryshme më të ngushta a më të gjera para vetes; të cilëve imagjinata e saj e tronditur ua qet portretet në sofrën, në tryezën, në shtrojën, që sheh përpara vetes.

Risi në këtë roman janë fragmentet, faqet me shkrim shkurt, shkurt, me të cilin thuhet shumë, që është aq shumë i dëshiruar e aq vështirë i arritur prej numrit më të madh të atyre që shkruajnë.

Lexo po ashtu:  "Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote." - nga Migjeni

Risi është ligjërimi i fshehur i rrëfimtares – protagoniste që, për shkak të shumësisë së jashtëzakonshme me ndjenja tragjike, nuk shprehet!

E të tjera. E të tjera.

Po të më dhurohet kohë jetësore, në romanin tim të ardhshëm do të mësoja prej risive krijuese të studentit tim të paradokohshëm të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Ag Apollonit, të cilat e shquajnë me veçanësi rrëfyese e stilistike dhe me vlera artistike romanin e tij të ri Një fije shprese, një fije shkrepëse.

E uroj Ag Apollonin të vazhdojë të studiojë letërsinë shqipe duke shquar rëndësinë e saj artistike e kombëtare dhe duke pasuruar përvojën e shkencës sonë të letërsisë me risi e vepra të reja.

Dhe, e uroj Ag Apollonin të vazhdojë të merret me shkrimin e veprave të reja letrare duke e pasuruar ashtu letërsinë shqipe me përmbajtje të reja, me ligjërim të ri artistik, me gjuhë e stil të veçantë, me risi, të cilat do ta rrisnin përvojën tonë krijuese letrare në përgjithësi.

Prishtinë, 3.12.2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *