Të dashur studiues shkencorë dhe studentë. Këtu mund ta gjeni të përmbledhur bio-bibliografinë si dhe disa mendime të autorëve dhe studiuesve për mua dhe veprën time.

REXHEP QOSJA

SHËNIME BIBLIOGRAFIKE

Është i lindur më 25.6.1936, në Vuthaj, në Malin e Zi.
Shkollën e Mesme për Mësues e ka kryer në Prishtinë.
Ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës.
Ka specializuar shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit.
Ka doktoruar me temë nga historia e letërsisë shqipe.
Ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës; prej kësaj detyre e ka shkarkuar Lidhja e komunistëve në vitin 1981 për shkak se nuk ka pranuar t’i dënojë demonstratat e rinisë në të cilat kërkohej Kosova republikë.
Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare Jeta e re.
Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës prej themelimit të saj.
Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ka qenë profesor i estetikës në Fakultetin Filologjik të Prishtinës dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës.
Ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.
Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ të Kosovës dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës derisa kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushneri.
Ka shkruar një varg veprash për çështjen e Kosovës e për politikën e Serbisë e Jugosllavisë ndaj Kosovës dhe në lidhje me këtë ka pasur shumë takime me diplomatë, politikanë e shtetarë në Kosovë e në botë.
Për shkak të shkrimeve publicistike që pas vitit 1981 botonte në gazetat dhe javoret e Zagrebit e të Lubjanës do t’i ndalohen paraqitjet publike në Kosovë, do te ndalohet shfaqja teatrore e punuar sipas romanit të tij Vdekja me vjen prej syve të tillë dhe do të mënjanohet prej programeve shkollore!
Në vitin 2001 është tërhequr prej politikës.
Merret me prozë – tregime e romane, dramaturgji, kritikë, histori të letërsisë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë.
Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish – Jugosllavinë dhe në Evropë.
Prej vitit 1954 jeton në Prishtinë.
Është i martuar dhe ka dy çika dhe, prej tyre, dy mbesa e tre nipërinj.
Për krijimtari letrare e historiko letrare iu kanë dhënë një varg çmimesh në Kosovë e në ish Jugosllavi.
Në vitin 1999 iu ka dhënë Çmimi Nderi i Kombit i Republikës së Shqipërisë.

Vepra historiko-letrare

1. Episode letrare, Prishtinë 1967
2. Dialogë me shkrimtarët, Prishtinë 1968
3. Kritika letrare, Prishtinë 1969
4. Kontinuitete, Prishtinë 1972
5. Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Prishtinë 1972
6. Panteoni i rralluar, Prishtinë 1973
7. Shkrimtarë dhe periudha, Prishtinë 1975
8. Anatomia e kulturës, Prishtinë 1976
9. Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë1979
10. Nocione të reja albanologjike, Prishtinë 1983
11. Historia e letërsisë shqipe I, Prishtinë 1984
12. Historia e letërsisë shqipe II, Prishtinë 1984
13. Historia e letërsisë shqipe III, Prishtinë 1986
14. Porosia e madhe, Prishtinë 1986
15. Tri mënyra të shkrimit shqip, Prishtinë 2004
16. Semantika e ndryshimeve historiko-letrare, Prishtinë 2009

Vepra letrare

17. Antologjia e lirikës shqipe, Prishtinë 1970
18. Vdekja më vjen prej syve të tillë, roman, Prishtinë 1974
19. Mite të zhveshura, drama, Prishtinë 1978
20. Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe proza, Prishtinë 1985
21. I ringjalluri i penduar, tregim, Tiranë 2002
22. Një dashuri dhe shtatë faje, roman, Tiranë 2003
23. Nata është dita jonë, roman, Tiranë 2007
24. Bijtë e askujt I, II, roman, Prishtinë 2010
25. Të fshehtat e treguara, roman, Toena, Tiranë 2020

Vepra historike dhe historiko-dokumentare

Lexo po ashtu:  1941, Fjalimi historik i Esat Mekulit në Pejë: “Gjatë sundimit të Jugosllavisë asht thithun gjaku jonë, kanë dashtun me na ligshtue ekonomikisht, kanë dashtun me i marrë me forcë tokat shqiptare, me formue artificialisht shumicën e elementit sllav”

26. Strategjia e bashkimit shqiptar, Prishtinë 1992
27. Çështja shqiptare – historia dhe politika, Prishtinë 1994
28. Paqja e përgjakshme, Tiranë 1999
29. Tronditja e shekullit I, Tiranë 2001
30. Tronditja e shekullit II, Tiranë 2001
31. Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe, Tiranë 2005
32. Rilindja e dytë, Tiranë 2007
33. Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë, Tiranë 2013
34. Dëshmitarë në kohë historike I, Tiranë, 2014
35. Dëshmitarë në kohë historike II, Tiranë 2014
36. Dëshmitarë në kohë historike III, Tiranë 2014
37. Dëshmitarë në kohë historike IV, Tiranë 2014
38. Dëshmitarë në kohë historike V, Tiranë 2015
39. Dëshmitarë në kohë historike VI, Tiranë 2015
40. Dëshmitarë në kohë historike VII, Tiranë 2016
41. Dëshmitarë në kohë historike VIII, Tiranë 2019

Vepra publicistike

42. Populli i ndaluar, Prishtinë 1990
43. Ligjërime paravajtëse, Prishtinë 1996
44. Fjalor demokratik, Tiranë 1997
45. Demokracia e shpërdorur, Tiranë 2005
46. Ideologjia e shpërbërjes, Tiranë 2006

Vepra polemike

47. Morfologjia e një fushate, Prishtinë 1980
48. Ideologjia e shpërbërjes, Tiranë 2006
49. Realiteti i shpërfillur, Tiranë 2006
50. Të vërtetat e vonuara, Tiranë 2006

Vepra të përkthyera në gjuhë të huaja
(gjuha orgjinale e përkthimit)

1. Smrt vreba iz oćiju. Serbokroatisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Prosveta, Beograd 1976, f. 272
2. Živa sfinga. Serbokroatisht. Dramë, Sfinga e gjallë. Jedinstvo, Prishtinë 1976, f. 78
3. Smrt prezi v očeh. Sllovenisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Mladinska knjiga, Lubjana 1979, f. 325
4. Književnost i kritika, Serbokroatisht. Përmbledhje studimsh dhe trajtesash. Letërsia dhe kritika, Prosveta, Beograd 1979, f. 320
5. Smrtta mi ide ot takiva oči, Bullgarisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Plovdiv 1982, f.221
6. Beselam pse më flijojnë. Dramë. Arabisht. Kuvajt 1986, f. 170
7. Nezaštićena sudbina. Kroatisht. Trajtesa, ese dhe artikuj, KSLS, Zagreb 1990, f. 297
8. La mort me vient de ces yeux-la. Frengjisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Gallimard, Paris 1994, f. 321
9. La question albanaise. Frengjisht. Studim historik. Çështja shqiptare – historia dhe politika. Fayard, Paris 1994, f.326
10. In solchen augen liegt der tod. Gjermanisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Haymon, Innsbruck 1995, f, 333
11. Die ogen en de dood. Holandisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Van Gennep-Novib-Neos, Amsterdam 1997, f.350
12. Ο θάνατος μov έρχεται από τέτοια μάτια . Greqisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Botimet Kastanjotis, Athinë 1999, f.363
13. La morte mi viene da occhi cosi. Italisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Egnatia Narrativa, Gjenova 2019

Disa shkrime frengjisht për romanin
Vdekja më vjen prej syve të tillë

Duke mos i pasur gazetat e revistat franceze po botojmë këtu një vështrim të përmbledhur të linguistit shqiptar, Remzi Përnaska, për disa shkrime të autorëve francezë mbi romanin e botuar nga Gallimard, Vdekja më vjen pej syve të tillë.

Kritikja letrare franceze, Nikolë Zand (Nicole Zand), në Lë Mondë de Livrë (Le monde de des Livres) shkruan:
“Autori i këtij romani është një profesor i shquar i letërsisë së krahasuar në Universitetin e Prishtinës, por edhe një eseist, një autor dramatik, një polemist, një nga intelektualët e shkëlqyer dhe trazues të Kosovës…
Ky libër na ra nga qielli si një meteorit. Një objekt letrar jo i zakonshëm…Një tregim i bukur dhe i fortë, i çuditshëm dhe shpërfillës…njëherazi fabulë politike dhe fresk i një komuniteti primitiv…larg shtigjesh të rrahura, sa për nga ana letrare aq edhe gjeografike…Autori di të përdorë penën e vet si thikë…Ajo që bie në sy të Rexhep Qosja është origjinaliteti i madh, liria, sa në ndërtim aq edhe në gjuhë”.

Lexo po ashtu:  Mein Kampf: Çfarë ndodhi me paratë e Hitlerit pas vdekjes së tij?

Katërinë Argand, në revistën Lirë, përpos të tjerash, shkruan:
“Për këtë shqiptar të ekziluar në Kosovë dimë shumë pak gjëra…është e pamundur të dihet më shumë. Ky zotëri i lindur më 1936 në gjirin e një populli të ndaluar, tani nuk mund të takohet për shkak të luftës”.

Frederik Vitu, në rëvistën Nuvel Observater, përpos të tjerash, shkruan:
“Një zbulim i vërtetë, ky shkrimtar është i madh…Si ta cilësojmë këtë roman?…është e pamundur që të cilësohet, i shpëton çdo cilësimi ose, që është e njëjta gjë, është i shumëfishtë…Tregim i mrekullueshëm, gjithandej, fantazi filozofike, kronikë përmalluese e një qyteti të vogël të Kosovës…Shkurt, lirik, kërcëllitës, fantastik, realist, humorist, qesëndisës, i pamëshirshëm dhe ndoshta në fund të fundit, me një dhembshuri të pafund për të gjitha këto personazhe, madje edhe për të poshtrit…Qosja ka shumëzuar në 13 herë ose në 13 “tregime” rrugët dhe zërat që të na tërheqë në vendin e vet, në kujtesën e vet, në vuajtjen dhe në vitalitetin e vet”.

Revista Glamurx e marsit të vitit 1994:
“Lexuesi e di se makthi është real, që marria larg së qeni trashëgimi, është pjellë e jetës së përditshme – është mesazhi i këtij romani, të kësaj pasqyre të thyer”.

Andre Klavel:
“Vepra profetike nuk pushon së parathëni katastrofën që godet Ballkanin”

Revista Construire:
“Një roman tragjiko-komik”.

Gazeta La Montanjë:
“Një roman i madh, në kuptimin letrar, shumë militant, njëzet vjet pas botimit për herë të parë…Ai (autori) i jepet një ushtrimi të shkëlqyer ku gërshetohen të gjitha gjinitë për të mbrojtur çështjen e popullit të vet”.

K. Argant e krahason autorin me Havellin: “Njeriu është tokë e panjohur” shkruan Qosja, të cilit njëherazi, me romanin, i zbulojmë talentin. Na mbetet nga ky Kafka në lindje një roman që të lë pa mend, që zhyt të tërin, artin e shqetësimin, në ujin e tallazuar të Jugut. Tamam sikur kapelja gri e Pragasit të bëhej blu në Kosovë…I shkruar më 1974, romani Vdekja me vjen prej syve të tillë përzien sarkazmat e fabulës politike me arabeska të tregimit oriental në një qytet të vogël të Kosovës mbushur më Tartufë e Juda, një shkrimtar shqiptar – Zhezair Gjika – përpiqet të ruajë dinjitetin e vet duke i shpëtuar mallkimit të një diktature të dyfishtë, asaj të Titos dhe asaj të Enver Hoxhës. Meqë nuk pranon të nënshtrohet, policia e fut në burg dhe gruaja e vet përfiton dhe e tradhton…Pra, kemi tradhti në të gjitha format e saj, dashurore ose politike, që ky roman fshikullon me afsh verbues, hakmarrës, të denjë për një Volter të humbur në Ballkan, në këtë fuçi baruti”.

Elizabet Shamse (Elisabet Champseix):
“Regjistri ndryshon nga tregimi te e vërteta populiste, nga rrëfimi te satira politike duke kaluar nëpër shkatërrimin e tregimit…Nuk është fjala për një roman të thjeshtë denoncimi politik…Vizioni i Rexhep Qosjes nuk është maniken: nuk ka nga njëra anë serbë të këqinj dhe nga tjetra shqiptarë të mirë. Të keqen e kemi brenda. Brenda për shqiptarët apo për mbarë njërëzimin?”

Shtypi francez, thotë në fund të përmbledhjes së tij të shkrimeve të të përditshmeve, javoreve, dyjavoreve, mujoreve dhe revistave franceze, për romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë, linguisti që jeton në Paris, Remzi Pernaska, nuk mungoi në të gjitha rastet që të theksojë se albanologu francez, Kristian Gyt, ka bërë një përkthim mjeshtëror të këtij romani.

Lexo po ashtu:  Genghiz Khan, kush ishte udhëheqësi që krijoi perandorinë më të madhe në histori

Prof. Dr. Daniel Leuwers
Menjëherë pas botimit të romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kritikët e kanë vlerësuar këtë vepër si një thurje mjeshtërore dhe të mprehtë si tehu i thikës. Qosja prenë, nuk heziton të përgjakë plagët. Ironia e tij është e fortë, e largon negativitetin. Ai është krahasuar me Vaslav Havelin e madje edhe me Volterin. Për mendimin tim, unë do ta vendosja afër Balzakut dhe veprës së tij “Skena e jetës në provincë”, në të cilën janë të dukshme të gjitha anët e “komedisë njerëzore”. Analizë precize, që i ndjekë dhe i përcjellë Tartufët dhe të gjithë Judët, ndërsa e përdor ironinë dhe formën e Milan Kunderës. Njeriu është ai që luan me forcën dhe që i tejkalon dhe thyen ideologjitë dhe religjionet.
Në këtë tragjikomedi, në vazhdim, kemi përshtypjen që Sizifi (Sizifi nga Albert Kamy) lufton me qesharaken dhe harresën, kundër të gjitha kontradiktave njerëzore.
Mirëpo, Rexhep Qosja shkon edhe më larg: ai e demistifikon imazhin e shkrimtarit, i cili i ka të gjitha të metat si çdo njeri tjetër, bile edhe dembelinë, oportunizmin dhe propagandën e tij politike. Jo, për Qosjen, shkrimtari i vërtetë nuk përfiton asgjë. Shkrimtari është i rrjepur dhe i nëmur. Ndërkaq, ne, duhet t’i ruhemi përjetësisë, sepse ajo krijon mite të rrejshme, duke e penguar instinktin tonë të domosdoshëm të kritikës.

Shkrime shqip për romanin
Vdekja më vjen prej syve të tillë

Prej shumë shkrimeve shqip po japim disa fjali nga studimi monografik Parabolla postmoderne të kritikut dhe hitorianit të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, për poetikën e romaneve të Rexhep Qosjes.
“Proza e Rexhep Qosjes e përbërë nga katër romane ironike dhe një tregim satiriko-parodik, në kuadër të letërsisë shqipe dallohet për poetikën postmoderne dhe për projektin e madh të trilogjisë…Të katër romanet kanë të përbahkët poetikën postmoderne dhe figurën e parabolës dhe secili nga këto katër romane është i dallueshëm në historinë e letërsisë shqipe.
Vdekja me vjen prej syve të tillë (1974) është roman që sjell një poetikë të re në letërsinë shqipe: ai është romani kult i Kosovës dhe, deri në dekadën e parë të shekullit XXI, romani më i veçantë dhe më novator i kësaj letërsie.
Një dashuri dhe shtatë faje (2003) është roman polifonik i cili për letërsinë shqipe ka po atë rëndësi që kanë për letërsinë botërore Djajtë e F.M. Dostojevskit, Bora e Orhan Pamukut dhe Fëmijët e mesnatës e Salman Ruzhdies.
Nata është dita jonë (2007) është romani i parë i madh i kontrakulturës në gjithë historinë e letërsisë shqipe.
Bijtë e askujt (2010) në dy vëllime, është roman, vlera e të cilit qëndron në eksperimentimin e jashtëzkaonshëm të praktikës letrare. Pa dyshim, ky është romani më eksperimental e, rrjedhimisht, më avangard i shkruar në gjuhën shqipe.

Shkrime për prozën dokumentare dhe publicistikën

Në pjesën më të madhe të këtyre shkrimeve mbizotëron bindja se Rexhep Qosja është formuar mendërisht dhe etikisht në gjirin e humanizmit klasik evropian. Dëshmi e këtij formimi të tij janë përkushtimet ndaj këtyre vlerave kulturore dhe qytetëruese univerzale:
-liria e mendimit dhe e shprehjes si kusht i përparimit shpirtëror të njeriut dhe njerëzimit,
-të drejtat e njeriut: e drejta për jetë, për organizim të lirë, për punë, për pronë, për fe, për të mundë që të bëjë të gjitha me të cilat nuk e cenon në asnjë pikëpamje lirinë e tjetrit,
-të drejtat e popujve që të mund ta rregullojnë e ndërtojnë jetën e vet siç u përgjigjet atyre më së miri,
-shteti i së drejtës,
-siguria pa të cilën liria s’mund të jetohet e plotë, prandaj as dinjitetshëm,
-respektimi i plotë, pa dallime, i dinjiteteve njerëzore të të gjitha racave e kombeve,
-respektimi i barazisë së dinjitetit të feve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *