Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë u pakësua lehtë gjatë vitit të kaluar. Statistikat tregojnë se vlera e mjeteve të rezervës ishte 3.36 miliardë euro në fund të dhjetorit, nga 3.4 miliardë euro që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në një horizont kohor më të gjatë, rezerva valutore ka një tendencë të qartë në rritje. Krahasuar me pesë vjet më parë, vlera e saj është rritur me 53%.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ndryshoi ndjeshëm strukturën e mjeteve të rezervës valutore, duke pakësuar vendosjet dhe depozitat dhe duke shtuar investimet në tituj borxhi dhe në ar. Kjo është një lëvizje e kuptueshme, në kushtet kur interesat e euros, që është edhe monedha mbizotërurese e rezervës valutore, janë në territor negativ.

Investimet në tituj arritën vlerën e 1.88 miliardë eurove dhe përbëjnë zërin kryesor të rezervës valutore. Paralelisht, Banka e Shqipërisë dyfishoi vlerën e arit monetar, duke e çuar atë në 120 milionë euro.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave të mundshme emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, ajo mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, kur ato mund të cënojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.

Lexo po ashtu:  Putin: “Prodhoni” fëmijë! – Premton para, ulje taksash dhe falje kredie për familjet që bëjnë fëmijë

Shqipëria ka ngritur një rezervë valutore sa pothuajse 25% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa, për vitin 2018, deficiti i llogarisë korrente ishte sa rreth 3% e Prodhimit Kombëtar.

Ersuin Shehu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *