Vazhdimi i luftës së Koshares, i datës 10, 11 dhe prill vazhdon sot, me rrëfimin e katërt të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arif Maloku, bashkëluftëtar i Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt.

Maloku sot në rrëfimin e tij, tregon disa detaje edhe për vrasjen e komandant Agim Ramadanit si dhe për humbjet e ushtarëve serbë.

Maloku tregon se komandant Naseri ka kërkuar që të vendoset në pozicionin ku ai do ti dërgojë ushtarë në përforcim. 

“Mirëpo unë isha i vetëm në pozicion në mbrojtje të objektit që kish kaluar tashmë në duart tona, e në anën e sipërme ushtarët e këmbësorisë për çështje sigurie e pastronin atë pjesë të terrenit edhe pse tani më në atë territor nuk kishte ushtarë serbë, gjatë pastrimit të terrenit ushtarët tanë të këmbësorisë kanë shti me armë të zjarrit në drejtim ku isha unë i pozicionuar dhe më pas kam kërkuar me zë të lartë nga komandanti i tyre që mos të shtien se jam unë Arif Maloku, pjesëtar i “COBRAVE””, pohon ai.

Maloku tregon se, atë natë pa ushqim dhe pa ndërrim fare ka qëndruar në pozicion deri ditën e nesërme në ora 8:00, e më pas kishte ardhur një ushtarë të cilit nuk ia dinë emrin që e kishte dërguar Naseri.

Lexo po ashtu:  ‘Athinë ishte kur flitej arbërishte’

Tutje, ai shton se, me 11 prill nga komandant Naseri në bashkëpunim me Agim Ramadanin është kërkua që ai të vazhdojë të mbetet po në atë pozicion pasi që kishte pamje të mirë për mbrojtjen e objektit dhe ishin të bindur se do ta kryej detyrën me guxim dhe sinqeritet të lart.

 “Luftimet dhe granatimet kanë vazhduar edhe me 11 prill, mirëpo në Rrasë të Koshares dhe kah krahu i djathtë dëgjoheshin luftime granatime të fuqishme edhe përkundër se ne ishim me një numër të vogël dhe rezistonim fuqishëm duke mos u zmbrapsur, sepse forcat serbe tentonin ti rikthenin pozicionet dhe objektin. Rreth mesnatës të 11 dhe 12 prillit 1999 “COBRAT” kanë sjellë në objektin e Koshares një trup të vrarë, mua personalisht më ka njoftuar Isni Rama “Raketa” dhe Demush Gacaferri se është vrarë Komandant Agimi”, tregon luftëtari.

Ai rrëfen se me 12 prill si çdo ditë tjetër, herët në mëngjes fillonin luftimet.

“Unë e dëgjova zërin e Demushit duke kërkuar ndihmë pasi që ishin plagosur nga predhat e artilerisë serbe deri sa ngjiteshin lart në Rrasë të Koshares ku tani më gjendej Komandant Saliu me Naserin dhe një numër të vogël të ushtarëve. Me të arritur te të plagosurit Qamil Jasiqi dhe Demush Gacaferri si dhe Arben Sejdiu i cili gjendej aty, unë me Fadilin “Mortaja” kemi përgatitur me thika disa drunj në formë të shkopinjve për tërheqjen e të plagosurve ku më parë i kishim marr masat për ndërprerjen e gjakderdhjes nga plagët e marra. Ne deri te Përroi i Koshares kemi bërë tërheqjen e tyre ku aty kanë arritur edhe bashkëluftëtaret tanë që shërbenin në kuadër të policisë ushtarake, pasi që kishin sjell barelat për tërheqje”.

Lexo po ashtu:  Nga doktoratura e akademikut Zekeria Cana

“Tërheqjen e kishim më lehtë ku bashkërisht e kemi bërë deri te baza e fundit e jona, para thyerjes së kufirit, tek shtëpia e Sadikut. Aty Fadili e ka sjell një makinë që kishim marrë nga ushtria serbe dhe i ka marr dy të plagosurit dhe i ka nisë për në spital të Bajram Currit. Me ta ka qenë dhe doktori Afrim Sylejmani. Posa i kemi dërgua në spital menjëherë jemi kthyer mbrapa për tu ndalur së pari te komandant Rrustemi që i shprehem ngushëllimet e para për vrasjen e komandant Agimit dhe të rënët tjerë”, tregon ai.

Ai thotë se në ato momente kërkesa e Rrustemit ishte e njëjtë me atë të Saliut që sa më parë të kthehen që të mbrojnë tokën ku u derdh gjaku i Agimit dhe dëshmoreve tjerë.

“Më 13 prill ‘99 jemi nisur për me ju bashkangjitur Komandant Naserit, ku herët në mëngjes jemi ngjit në Rrase të Koshares ku na ka pritur komandant Saliu dhe ka kërkuar prej neve që njëkohësisht të vëzhgojmë terrenin dhe të bëjmë vlerësimin sa mundemi të futemi në brendi armikut, deri sa i ofroheshim në drejtim të Zharreve. Ne i vërenim gjurmët se si kishin bërë tërheqjen e të vrarëve dhe të plagosurve forcat serbe, pasi që kishim detyrë vëzhgimi edhe pse kishim mundësin ti sulmojmë forcat serbe, mirëpo pasi që radiolidhja nuk na funksiononte se ishte një distance ku mungonin valët në vendosem që ta zbatojmë urdhrin e komandant Saliut, dhe pa u vërejtur nga forcat serbe jemi kthyer në Rrasë të Koshares te Saliu për ta njoftuar për çdo gjë që kemi vërejtur. Derisa ne ishim në vëzhgim Saliu me shokë zhvillonte luftime të fuqishme në Rrase të Koshares ku me tu kthyer, ne ju kemi bashkangjitur luftimeve”, tregon tutje Maloku. Vazhdon…

Lexo po ashtu:  Lord Bajroni në letrën dërguar nënës: I dua shqiptarët shumë, janë të ashpër, por janë raca më e bukur në botë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *