Shpërfillja që i bëri Aleksandër Vuçiç kërkesave për lirimin e tre policëve të Kosovës, janë bërë shkak që Edi Rama të bëjë një kthesë të beftë, për t’u larguar nga aleanca që ka ushqyer prej vitesh me presidentin e Serbisë. Në konferencën që njoftoi me gazetarët, Rama nuk dha detaje nga komunikimi që ka pasur me Vuçiçin këto ditë, si përpjekje për të liruar tre policët, por u pa qartë se marrëdhënia mes të dyve ka pësuar një thyerje. Mund të thuhet pas kësaj se edhe avokati më i flaktë i Vuçiçit në Shqipëri, ndjehet i zhgënjyer nga miqësia që ndërtoi me liderin e serbëve.

Për herë të parë që kur është kryeministër i Shqipërisë, Rama e krahasoi shtetin serb me “një bandë” që mban peng tre policët në përgjigje të arrestimeve të policisë në Zveçan. Ai konfirmoi se deri në lirimin e tyre nuk do të ketë asnjë zhvillim në marrëdhënien mes dy vendeve, as për Ballkanin e Hapur dhe as në aspekte të tjera.

Lexo po ashtu:  Një serb i akuzuar për vrasjen e 33 shqiptarëve në Pejë, arrestohet në Hungari – pritet të ekstradohet në Kosovë

“Unë nuk jam i ëmbël me Albinin, po në këtë pikë do të bëja absolutisht njësoj të njëjtën gjë. Pa u liruar ata të tre, s’do bëj asgjë, se është e papranueshme fare” u shpreh Rama duke dalë më në krah politikës së Kosovës.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, por deri pak ditë më parë Rama shprehej se Serbia dhe ushtria serbe nuk përbënin kërcënim për Kosovën, madje “nuk i preknin dot asnjë fije floku”.

Kurse sot gjatë konferencës, ai foli për një konflikt të armatosur që rrezikon destabilitetin në rajon si një politikë që i shërben vetëm Kremlinit. Për më tepër, Rama e krahasoi veriun e Kosovës me Donbasin e Ukrainës, si prelud të një lufte akoma më të madhe.

Zhgënjimi i Edi Ramës nga Vuçiç vjen i papritur. Prej vitesh të dy kanë bashkëpunuar ngushtë për nismën e heqjes së kufijve me Ballkanin e Hapur dhe janë koordinuar me njëri tjetrin për të zbatuar politika të përbashkëta në këtë drejtim.

Lexo po ashtu:  Zhurmë për municionin me uranium të varfëruar. Raportime për sulm ndaj Zaporizhzhias dhe Luhanskut

Për hir të këtyre planeve që thuri me Vuçiçin, Rama jo vetëm anashkaloi disa herë nevojat dhe interesin e Kosovës, por është shndërruar në mjet presioni dhe sulmesh kunër liderëve të saj.

Pak ditë më parë, i acaruar nga shpërfillja që i bëri Albin Kurti për t’ia çuar Vuçiçit propozimin e tij, Rama anuloi edhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Gjakovë.

Shpesh e ka fajësuar Kurtin për dialogun me Vuçiçin, ndërsa Kurti ka pretenduar se Tirana nuk duhet të marrë nisma me Beogradin pa u konsultuar më parë me Prishtinën. Pavarësisht kësaj, kur Rama priti Vuçiçin në Tiranë e quajti Vetëvendosjen një organizatë neo marksiste që beson në mënyrë delirante se mund të vendosë masa proteksioniste njësoj si Kina, apo Rusia.

Ende sot Rama është kritik me Kurtin, për të cilin tha se po shijon rritjen e pëlqyeshmërisë mes votuesve, ndërsa e bën fajtor për antagonizmin me SHBA dhe BE.

Në anën tjetër kur ndërkombëtarët kanë qenë të pakënaqur me Vuçiçin, Edi Rama u ka kërkuar ta mirëkuptojnë presidentin e Serbisë si drejtues të një populli me lidhje të forta me Rusinë.

Lexo po ashtu:  NASA: Dy asteroidë të rrezikshëm po i afrohen Tokës

Mbetet për t’u parë nëse deklaratat e sotme janë një kurs i ri në politikën e jashtme të Shqipërisë në Ballkan, apo këto ishin thjesht nervat e zakonshme kur e sheh se ke mbetur në stolin e rezervave dhe askush nuk ka ndërmend të të fusë në lojën e madhe që luhet në Ballkan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *