Sebstian Zonja
31 vjet pas eksodit të 8 gushtit 1991 dhe sot jemi sërish në zgrip të themelimit të Partisë – Shtet. Si erdhëm në këtë pikë?
Një ndër shkaqet kryesore është marrëveshja Berisha – Rama e vitit 2008.
Berisha dhe Rama e kyçën rendin politik për të qenë në krye vetë. Sot Berisha qan me lot pse nuk e mëshiron Rama, sepse ai i bëri gjithë atë nder në vitin 2008.
Në të gjithë botën, demokracinë e mban mbi shpatulla qytetari, shtresa e mesme dhe intelektualët.
Në Shqipëri demokracinë dhe protestat i marrim peng partitë politike.
Faktorë të tjerë të krizës shumëpërmasore në vendin tonë:
Kriza që ka kapluar shoqërinë do të jetë e gjatë dhe nuk ka dritë në fund të tunelit. Kriza ka në themel tri mungesa themelore që ushqejnë njëra-tjetrën: mungesa e politikes, mungesa e mendimit dhe mungesa e moralit.
Politikanët dhe ata që thonë se merren me politikë, po ashtu edhe shumica e analistëve të politikës, kanë hequr dorë nga kategoritë klasike të politikes, që janë binomi mik/armik, sovraniteti, interesi kombëtar/shtetëror, reciprociteti etj.
Për shembull, Rama ka personalizuar politikën e jashtme dhe po fuqizon Serbinë në kurriz të shqiptarëve
Enverizmi është sërish mendimi qendror në politikën shqiptare dhe shumicën e analizës politike.
Dikur e kishte fajin lufta në Vietnam dhe imperializmi amerikan për situatën ku ndodheshin shqiptarët, sot, sërish, propaganda na thotë se e ka fajin lufta në Ukrainë dhe imperializmi anglo – amerikan që s’na i pranon liderat e demokracisë shqiptare.
Sërish, vijon besimi i verbër të sloganet se “e di kryeministri”, “e di Evropa”, “e di Amerika”, “kështu e ka bota”, etj. Raportohet e interpretohet përditë mbi ato që bëjnë dhe thonë ambasadorja amerikane, ajo evropiane apo Rama. Ashtu si dikur flitej për shokun Edver, ambasadorin sovjetik… dhe demokracia lulëzonte.
Së fundmi kemi edhe një protestë për humbjen e jetës së një vogëlusheje në Potam. Pikërisht kjo protestë shpërfaq edhe një krizë të rëndësishme të politikës shqiptare – mungesën e moralit.
Mungesa morale shfaqet si paaftësi për të përcaktuar qëllimin e politikës, pra vlerat për t’u arritur apo ruajtur përmes veprimit politik.
Ndërtimi i kauzave opozitare thjesht e vetëm si pasojë e dështimeve qeveritare, tregon në vetëvete vakumin ideor opozitar.
Sapo ka një fatkeqësi, dikur socialistët, sot demokratët, ndërtojnë fabulën e një beteje epike që do rrëzojnë pushtetin kriminal dhe të korruptuar me protesta masive.
Ndërkohë, ajo që kemi vënë re, ajo që dimë nga librat dhe praktika, është se pushteti ndërrohet vetëm si pasojë e punës aktive në bazë, me qytetarët, që bën përditë një subjekt politik.
Ndërtimi i fabulës nga njëra pjesë e opozitës së pushtetin do ta ndërrojnë amerikanët në çastin e duhur, është logjikë po aq mjerane sa fabula e pjesës tjetër se protesta e 7 korrikut dhe ardhja e Metës në krye të Partisë së Lirisë ka trembur jo vetëm Ramën, por dhe imperializmin anglo – amerikan.
Si rezultat i kësaj ngatërrese me këmbët e veta që bën opozita përpara portës, i vetmi që fiton është kurdokohë pushteti.
Ndaj shqiptarët largohen, sepse s’ka asnjë shenjë se diçka do të ndryshojë. Fajtorët e 30 vjetëve fatkeqësi dhe krim, vrasje e vjedhje, këmbyen njeri – tjetrin në 1990-ën dhe e vijuan përkëmbimin dhe lëshimin e certifikatave të virgjërisë për njëri – tjetrin çdo palë zgjedhje.
Rroftë Shqipëria! Poshtë Partia!
Lexo po ashtu:  “Nëse do të kolonizosh një vend, nuk ka nevojë të çosh tanke. Thjesht merri të dhënat”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *