Menaxhmenti i RTK-së reagon ndaj shkrimeve dhe deklaratave tendencioze dhe të paverifikuara nga disa media dhe politikanë lidhur me një rast të suspendimit të një gazetari-korrespondent.

Suspendimi në fjalë ka të bëjë me shkelje të vazhdueshme të detyrave të punës dhe injorim të kërkesave të eprorëve për realizimin e temave, e assesi për shkak të storieve me karakter kritikues.

Sipas shkresave zyrtare, korrespondenti në Gjilan gjatë 2 muajve të fundit, ka realizuar vetëm 6 tema.

Për më shumë, pavarësisht kërkesave të redaktorëve, gazetari-korrespondent nuk ka realizuar temat që i janë kërkuar dhe nuk i është përgjigjur emailave zyrtar. Një gjë e tillë bazuar në rregulloren e brendshme të RTK-së që ka për bazë ligjin e punës, konsiderohet shkelje e rëndë. Dhe masat që duhet të ndërmerren janë suspendim ose largim nga puna.

Në asnjë rast të vetëm, RTK-ja nuk e ka censuruar ose pamundësuar realizimin e temave/hulumtimeve që mund të kenë pasur subjekt punën e qeverisë apo komunave, andaj menaxhmenti kërkon nga mediat që para plasimit të lajmeve të tilla, të verifikojnë gjendjen faktike dhe të marrin edhe deklaratën nga pala tjetër.

Lexo po ashtu:  Qytetet e Kosovës regjistrohen si të Serbisë, pezullohet licenca e “Klan Kosova”

RTK është e gatshme që të ofrojë qasje në të gjithë dokumentacionin e ku mund të verifikohet se punëtori në fjalë në vazhdimësi ka marr vërejtje profesionale nga u.d kryeredaktorja.

Sa i përket shprehjes së opinioneve në rrjetet sociale, kjo është po ashtu e rregulluar me legjislacion sekondar, por në këtë rast specifik, masa është ndërmarr për shkelje të kontratës së punës.

RTK-ja mbetet e përkushtuar që të zbatojë standardet profesionale dhe misionin e saj për informim të drejtë e të paanshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *