Salman Rushdie për Kosovën!
[Kosova shqiptare është pashmangshëri historike]
«Unë kam qenë për operacionin e NATO-s në Kosovë, sepse argumentet e prezantuara në thirrje të të drejtave të njeriut më dukeshin të bindshme. Shumë shkrimtarë, intelektualë, artistë dhe majtistë absolutisht të bindur mendonin ndryshe. Njëri nga argumentet e tyre ishte: nëse po në Kosovë, atëherë pse jo në Kurdistan?
Pse jo në Ruandë dhe në Timorin Jugor. Çuditërisht kjo retorikë shkakton të kundërtën e asaj që ata mendojnë se përfaqësojnë. Sepse sikur të kishte qenë e drejtë të intervenohej edhe në këto raste të tjera, gjë që vendet perëndimore atëbotë gabimisht e kishin lënë pa e bërë, atëherë padyshim që ishte e drejtë të mbroheshin kosovarët, dhe përballë sfondit të gabimeve të mëhershme tashti bëhet gjithnjë e më qartë se vendet perëndimore – se ne – kësaj radhe më në fund kemi vepruar drejtë. Argumenti më i rëndësishëm i atyre që hidhnin poshtë intervenimin në Kosovë ishte se aksioni i NATO-s paskësh vënë në lëvizje të plotë dhunën që kishte dashur ta evitojë, kështu që faj për masakrat, nëse e shohim kështu, në të vërtetë paskësh Madeleine Albright. Këtë tezë unë e quaj moralisht të poshtër, sepse ajo i shfajëson vrasësit e vërtetë, dhe përveç kësaj është katërçipërisht e rrejshme. Nëse lihen anash të gjitha emocionet dhe shikohet logjistika e vërtetë e masakrave të Milosheviqit, shumë shpejt bëhet e qartë se tmerret janë planifikuar me kujdes.
Por nuk krijohen plane të detajuara për zhdukjen e mijëra njerëzve vetëm sa për të qenë i përgatitur për rastin që të reagosh me një hap të shpejtë ndaj një sulmi perëndimor. Një masakër planikohet, sepse dëshirohet të kryhet një masakër. (…) Sarajeva e lashtë multikulturore është shkatërruar me luftën e Bosnjës. Edhe Kosova e lashtë është zhdukur, ndoshta përgjithmonë. Kosova ideale e Tony Blair është një ëndërr. Ai dhe kolegët e tij tashti do të duhej të angazhoheshin për ndërtimin e një krijese politike, të lirë dhe etnike shqiptare, e cila ndërkohë, me sa duket, është bërë pashmangshmëri historike. Kohërat e pasluftës nuk janë kohëra për ëndërrimtarë».
[Përktheu: E.R.]
Burimi: Die Welt [1999]
Lexo po ashtu:  Ambasada amerikane edhe njëherë thërret për përmbylljen e misionit të UNMIK-ut

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *