Presidenti Joe Biden dhe aleatët e tij evropianë mund të ndërmarrin një lëvizje për të goditur zemrën e regjimit të presidentit rus Vladimir Putin dhe pasurinë e tij: vendosjen e sanksioneve të drejtpërdrejta mbi industrinë ruse të naftës dhe gazit.

Por kjo lëvizje mund të shkaktojë një krizë energjetike që gjymton ekonomitë e tyre, kërcënon kontrollin e tyre mbi pushtetin dhe ndoshta edhe pasuron Putinin në mënyra të tjera.

Rreziku i goditjes ekonomike dhe politike po pengon aleatët e SHBA-së dhe evropianë që ta godasin Putinin me kufizime si ato që përdorën ndaj Iranit gjatë dekadës së fundit. Kjo tregon se si mbështetja në importet e naftës dhe shqetësimet për rritjen e çmimeve të benzinës vazhdojnë ta kufizojnë Uashingtonin në veprimet që ndërmerr në krizat ndërkombëtare – edhe pasi SHBA-të janë shfaqur si fuqi energjike më vete dhe kanë bërë përparim burime të tjera të energjisë si era dhe dielli.

Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë dhe prodhuesi i dytë më i madh i gazit natyror – SHBA është e para për të dyja –lëndët djegëse fosile kontribuan me 36 për qind të buxhetit të Moskës në 2021, ose 119 miliardë dollarë të ardhura. Pak njerëz dyshojnë se sanksionet që prekin këtë sasi të ardhurash mund t’ia ndryshojnë mendjen Putinit. Por këto eksporte kanë krijuar një varësi të ndërsjellë midis Moskës dhe shumë prej klientëve të saj, veçanërisht në Evropë, që do ta përhapte dhimbjen shumë përtej Rusisë.

Lexo po ashtu:  Ftyra nuk lahet me pare

Këta faktorë ekonomikë dhe politikë kanë bërë që edhe shumë prej “skifterëve” më të mëdhenj të Perëndimit në raport me Rusinë të rrinë në heshtje, edhe pse trupat ruse janë rreth kryeqytetit ukrainas, Kiev.

SHBA-ja mori vetëm 1 për qind të naftës së saj të papërpunuar në vitin 2020, sipas të dhënave të qeverisë, por kostot e naftës amerikane ndjekin nga afër çmimet standarde globale, të cilat do të rriteshin pa furnizimet ruse. Evropa është shumë më e varur drejtpërdrejt, pasi blen 40 për qind të gazit të saj natyror dhe një të katërtën e naftës së saj bruto nga Rusia.

Ndërkohë, çmimet globale të energjisë janë rritur gjatë vitit të kaluar pasi pandemia shkaktoi një cikël rrënimi dhe lulëzimi ekonomik për kompanitë e sektorit të naftës dhe gazit. Në Evropë, një familje mesatare mund të presë që fatura e saj e gazit dhe energjisë elektrike të rritet më shumë se 30% këtë vit.

Amerikanët po e ndjejnë këtë dhimbje edhe në kuletat e tyre. Çmimet e benzinës në SHBA janë rritur gati 1 dollar për gallon nga viti i kaluar, një rritje që u ka dhënë republikanëve një mundësi për të goditur Biden dhe politikat e tij për ndryshimet klimatike si një kërcënim për portofolin e votuesve. Shtëpia e Bardhë ka qenë shumë e vetëdijshme për rreziqet politike dhe ekonomike nga sanksionet e saj.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti e thotë në publik: Qeveria është duke u përgatitur mirë për ta paditur Serbinë për gjenocid, por ...

Ne nuk do të bëjmë asgjë që shkakton ndërprerje të paqëllimshme të rrjedhës së energjisë pasi rimëkëmbja ekonomike globale është ende në proces,” tha zëvendës këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Daleep Singh, në Shtëpinë e Bardhë të enjten. “Kjo është e vetmja fushë ku Rusia ka përparësi sistematike në ekonominë globale”.

Një nga ndryshimet më të mëdha në shënjestrimin e Rusisë në krahasim me Iranin, ekonomia e të cilit gjithsesi u dëmtua nga sanksionet e SHBA gjatë epokës së Obamës dhe Trump, është thjesht shkalla e madhe e industrisë ruse. Rusia eksportoi 5 milionë fuçi naftë në ditë në vitin 2020 – rreth dyfishi i eksporteve maksimale të Iranit përpara se sanksionet të rivendoseshin nga administrata Trump – dhe gjithashtu dërgon 2 milionë deri në 3 milionë fuçi në ditë produkte si nafta, karburanti i avionëve dhe benzina.

Bllokimi i këtij fluksi mund të shtojë 40 dollarë në çmimin e një fuçie të standardit global të naftës së papërpunuar, i cili tani qëndron në 98 dollarë. Një rritje e tillë do të bënte që çmimet e çdo artikulli, nga karburantet e transportit te ushqimet, të rriteshin dhe me gjasë kjo do të çonte në protesta qytetare.

Lexo po ashtu:  Si e pengoi shteti shqiptar hapjen e bankës jugosllave në Shkodër në vitin 1923

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *