Pak javë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi se Shqipëria së shpejti do të ketë satelitin e vet. Ne duhet ta presim me gëzim edhe ëndrrën e një njeriu, sidomos po të mbajmë parasysh faktin se me satelitin tonë dhe vullnetin e hekurt për të bërë shtet, nuk do kemi nevojën e të huajve për parë nga ajri fushat me hashash. Çfarë tjetër të shikosh nga lart në Shqipëri?

Mirëpo ky objektiv vjen e përshfaqet si një lloj kontrapunkti që i jep koloritin e ahengut qeverisjes, përderisa një fuqi hapësinore siç pretendon të jetë Shqipëria e Edi Ramës nuk mund t’i lejojë vetes që të mos ketë rregulluar ca gjëra të tjera.

P.sh sot në media u shfaq mjeku Tritan Kalo me letër të lagur mbi kokë i cili ankohej për mungesë uji. Zotëria jeton në rrugën “Muhamed Gjollesha”, qendër e Tiranës.

Dje, një përfaqësues i Universitetit Bujqësor, pedagog, deklaronte në MCN Tv se Shqipëria nuk ka kapacitete të kontrollojë dhe vlerësojë sigurinë dhe cilësinë e bukës.

Lexo po ashtu:  Manipulo dhe korrupto ndërkombëtarët, që të shtypësh shqiptarët

Mund të vazhdojë kjo listë, por ajo mjafton, sepse kur nuk di çfarë ha dhe nuk ke mundësi të lahesh, vështirë se ia ke terezinë daljes në hapësirë.
Pordhët e mëdha grisin edhe brekët e reja, i thonë një fjale. Nuk e dimë sa aplikohet kjo thënie në këtë rast sepse nuk ka informacion mbi të brendshmet e qeverisë, por teksa ajo ëndërron të fluturojë lart, ne duhet të flasim përditë për gjërat këtu poshtë.

Sepse atë ajër thith dhe atë ujë pi edhe kjo kastë që paraziton si larvë mbi këtë vend. E themi këtë duke shtuar se deliret e madhështisë nuk marketohen dot për ëndrra të mëdha dhe duke shpresuar që me satelitët mos të ndodhë si me avionët e Air Albania.

s.zaimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *