Pas deklaratave të forta të zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance ndaj Evropës në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman Olaf Scholz ka dhënë një përgjigje të prerë.

“Deklaratat e tij janë irrituese dhe nuk mund të injorohen apo të relativizohen,” tha Scholz, duke reaguar ndaj akuzave të ashpra të Vance kundër Evropës dhe mbështetjes së tij për partinë nacionaliste Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila është nën mbikëqyrjen e shërbimeve gjermane të inteligjencës për dyshime mbi ekstremizmin e djathtë, përcjell MekuliPress.

“Nuk do të pranojmë ndërhyrje të huaja në demokracinë tonë, në zgjedhjet tona dhe në formimin e opinionit politik në vendin tonë. Kjo është e papranueshme – veçanërisht mes aleatëve dhe miqve, dhe e refuzojmë plotësisht,” theksoi kancelari gjerman.

Vance sulmon Europën

Në një fjalim 30-minutësh, J.D. Vance hodhi akuza të ashpra ndaj vendeve evropiane, duke pohuar se Evropa po e largon veten nga Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara.

“Kërcënimi më i madh nuk është as Rusia dhe as Kina, por Evropa që po shkëputet nga vlerat perëndimore,” deklaroi ai.

Lexo po ashtu:  Ushtarët e Kosovës në Iowa krah për krah me ushtarët amerikanë

Sipas Vance, shumë opinione në Evropë shtypen ose cilësohen si dezinformata vetëm sepse nuk përputhen me interesat e elitave qeverisëse. Ai paralajmëroi se asnjë demokraci nuk mund të mbijetojë nëse miliona qytetarë nuk dëgjohen dhe shqetësimet e tyre shpërfillen.

Reagon opozita gjermane

Edhe lideri i opozitës dhe kandidati për kancelar, Friedrich Merz, e dënoi qasjen e Vance, duke e cilësuar atë si një “qasje agresive ndaj Evropës dhe, veçanërisht, ndaj Gjermanisë.”

“Ne kemi një qëndrim ndryshe nga ai i Vance, dhe e bëra shumë të qartë gjatë takimit tonë sot,” deklaroi Merz për mediat gjermane.

Tensionet në pragë të zgjedhjeve gjermane

Gjermania po përballet me një situatë të tensionuar politike, pasi më 23 shkurt mbahen zgjedhjet e parakohshme pas votëbesimit të humbur nga Scholz në dhjetor, kujton MekuliPress.com

Në sondazhet e fundit, partia e ekstremit të djathtë AfD po shënon rritje të ndjeshme, ndërsa vetëm blloku konservator CDU/CSU gëzon një mbështetje më të madhe.

Koment nga MekuliPress: Çfarë do të thotë kjo për Kosovën dhe Shqipërinë?

Ndërhyrjet e zyrtarëve të lartë amerikanë në debatin politik evropian, si dhe mbështetja e Vance për forca politike nacionaliste dhe euroskeptike, janë një shenjë alarmuese për rajonin tonë. Nëse një administratë amerikane me qasje anti-evropiane dhe me simpati për lëvizjet nacionaliste të djathta konsolidohet në Uashington, atëherë edhe stabiliteti i Ballkanit mund të vihet në rrezik.

Lexo po ashtu:  ‘Ma zor mblidhen dy shqyptarë, sesa mblidhet nji thes me pleshta’

Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të përgatitura për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe për të ndërtuar një strategji të qartë kombëtare, pasi një marrëveshje mes një SHBA-je të udhëhequr nga Trump dhe Putinit mund të çojë në një ripërkufizim të balancave gjeopolitike, duke favorizuar Serbinë dhe duke dobësuar pozicionin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të investojnë menjëherë në armatim dhe në forcimin e kapaciteteve ushtarake, si dhe të forcojnë partneritetin me aleatët më të besueshëm evropianë, për të shmangur rrezikun e një izolimi strategjik në vitet në vijim.