Sebastian Zonja: “Eksodet do të vijojnë gjatë”

“Kosova Republikë” – thanë dhe e bënë
“Shqipëria si Evropa” – thanë dhe s’e bënë

Këtë 2 korrik përkujtohen dy ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar: Shpallja e Kosovës Republikë dhe Eksodi i shqiptarëve të Shqipërisë nga sistemi diktatorial.
Në të dyja anët e kufirit, diktatura komuniste dhe pushtimi serb, ja kishin bërë të pamundur shqiptarëve jetesën në trojet e tyre. Me tendencën për kolonizim të Kosovës dhe thithje të valutës së huaj, pushteti jugosllav e stimuloi më shumë largimin e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria bënte inxhinjering social për të krijuar “Njeriun e ri”. Të dyja projektet dështuan tragjikisht, ai i Jugosllavisë dhe ky i Shqipërisë komuniste.

Sot, kur i kthehemi historisë së shekullit të fundit vërejmë se ka projekte të mirëmenduara për të zhvendosur shqiptarët nga trojet e tyre. Mjaft të sjellim në vëmendje genocidin ndaj çamëve që spastroi krejt shqiptarët dhe etnitë e tjera nga pjesa e poshtme në Janinë. Genocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë që kërkonte shpërnguljen e tyre. Po ashtu, duhet të sjellim në vëmendje edhe traktatet për shkëmbimin e popullsisë mes Turqisë dhe Greqisë, si dhe Turqisë me Jugosllavinë. Mijëra, miliona shqiptarë përfunduan në Turqi. Nga popullsi e madhe dhe faktor në Ballkan u kthyem në popullsi e pakrahasueshme me fqinjët.

Lexo po ashtu:  Kur akademikët shajnë si rrugaç, rrugaçët të duken si akademikë!

Si për mallkim, të shtypur nga të tjerët, shtypja u kthye në makineri shtetërore në diktaturë.
Një diktaturë tragjike në përmasën e saj sepse ndërtoi inxhinjering social për ta zhveshur shqiptarin nga përkatësia kombëtare. Identifikimi me Partinë ishte më i rëndësishëm se identifikimi me shqiptarinë.

Ikjet masive nuk përfudojnë me kaq. Edhe pse në Shqipëri u themelua pas viteve ’90 një allasoj pluralizëm politik, paradoksi është i këtillë:
Kapitali masiv i parave të korrupsionit, ai i koncesioneve të rëndësishme të burimeve natyrore, del jashtë vendit. Pushtetarët ndërkohë kërkojnë që qytetarët të jetojnë në Shqipëri me rroga mizerabël.
Si mund të zgjidhet ky problem në një sistem të ashtuquajtur kapitalist, ku qytetari rend pas një jete ku fiton për të jetuar më mirë dhe ti s’ja jep këto mundësi?
Dikur na kërkonin djersën e gjakun për të ndërtuar socializmin, sot na thonë me të njëjtën propagandë për ndërtimin e demokracisë.
Në atdheun tonë ngjajmë të tërë si bujkrobërit e disa familjeve çifligare. Trualli në bregdet grabitet për ditën me diell, por e rëndësishme është ndërmarrja e reformave me bekimin e ndërkombëtarëve. Po me ribekimin e tyre ndërmerren të njëjtat reforma për të na thënë se po bëjmë përpara.

Lexo po ashtu:  Instituti gjerman ‘Robert Koch’: Vaksina kundër Covidit e gatshme në vjeshtën e ardhshme.

Në krahun tjetër, sistemi arsimor ka probleme të rënda.
Politikanët kanë ambasadat e huaja për Qabe, jo qytetarin që i zgjedh.
Çdo verë, Institutet e Ndërtimit kthehen në Institute të Shkatërrimit, sepse fillojnë shembjet nga Velipoja në Ksamil sapo nis sezoni. Turistët të ikin turravrap për në Mal të Zi e Greqi.

Sërish, po me ato mënyrat e tyre, kanë një refren – fajet i ka populli për çfarë ndodh.
Po në të njëjtën fjali kaq pompoze, intelektualët e pushtetit të radhës të thonë se në Shqipëri nuk ka qarkullim elitash dhe udhëhiqemi nga një grusht personash.
Kaq skizofrene të jetë vallë kjo elitë intelektuale? Jemi popull i tradhëtuar nga intelektulët dhe pushtetarët e vet.

Kosovarët (shqiptarët e Kosovës) nuk u tradhëtuan nga elita e vet intelektuale në betejën për liri. Ata thanë Kosova Republikë në vitet ’90 dhe ja mbrriten. Po shqiptarët këtej kush i tradhëtoi në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Kombëtar dhe Bashkimit Evropian?
Tragjizmi është më i thellë, se kaq jetim janë shqiptarët, sa shohin me shpresë kah Amerika e Gjermania, e jo nga elita e vet. S’kanë pikë shprese se diçka do të ndryshojë.
Kemi mësuar këto tre mijë vjetët e fundit se sa më i madh është krimi, aq më e gjerë është heshtja e “elitës”.

Lexo po ashtu:  I quajti vrasës ushtarët e UÇK-së dhe e kërcënoi Ramën, zyrtari i VV: Kështu ndalet Vulini

Rifinitura e sistemit
Pabarazia e mundësive është kthyer në problem të rëndë shoqëror. Ashensori social nuk punon. Me paratë e korrupsionit shumë zyrtarë të lartë i dërguan fëmijët e tyre nëpër shkollat më të mira në Perëndim. Disa shkuan sa për të marrë një karton, e shumë prej tyre janë studentë të shkëlqyer. Ndërsa ata kthehen në Shqipëri, për ata rezervohen pozicionet më të mira në administratë. Babi apo mami kujdesen për të ardhmen e ndritur të vajzës dhe djalit, sepse do ta mjelin si lopë, familjarisht, këtë vend. Njësoj si kasta në kohën e komunizmit që shkollohej jashtë, po e njëjta kastë edhe sot.

3 dekada më parë shqiptarët u dyndën ambasadave sepse kishin parë skëterrë nën komunizëm.
3 dekada më vonë ikin nga sytë këmbët sepse ndihen me dinjitet në dhé të huaj, jo në atdheun e përdhunuar.

Kosovë, o djep i vullnetit dhe luftës për liri, na trego si e bërë luftën kundër pushtuesit? Ku e gjete forcën, Kosovë?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *