Reciprociteti i plotë, ekonomik, tregtar dhe politik u pa si çarja e parë që mund të ketë koalicioni LV – LDK. Ruajtja e marrëdhënieve me ndërkombëtarët e aplikimi i kësaj mase u thanë se nuk do të mund të shkojnë paralelisht. Por, shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi thotë për Gazetën Express se partnerët janë unik në këtë temë, e se heqja e tarifës dhe reciprociteti do të bëhen në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta Express

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në një bisedë për Gazetën Express thotë se nuk ka një datë të saktë se kur mund të hiqet tarifa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Derisa, shton se LVV-ja, këtë qëndrim e kishin pasur qysh në vitin 2011-të.

“Nuk kemi ndonjë datë të saktë, nuk dua të ju referohem si heqje e taksës, para se t’i referohem si zëvendësim i taksës me masë të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ky qëndrim nuk është i ri i Lëvizjes Vetëvendosje por ky është qëndrim që nga viti 2011, që nga koha kur ne kemi protestuar në Merdare dhe në Dhe të Bardhë por edhe në Kuvend. Prej atëherë e deri sot e kemi të njëjtin qëndrim karshi kësaj çështje, që kërkojmë masa reciprociteti tregtare ekonomike dhe po ashtu politike me Serbinë”, thotë ai.

Lexo po ashtu:  Telefonata e rrallë mes udhëheqësve të Turqisë e Greqisë

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës megjithatë janë duke insistuar se reciprociteti i plotë duhet të bëhet vetëm në koordinim me SHBA-në, e BE-në. Amerika tashmë ka dalë kundër kësaj mase, derisa, në Bashkim Evropian nuk kanë ende ndonjë qëndrim të qartë.

Selimi ka folur për atë se sa do të ndikonte kjo në marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët e se a janë unik partnerët e koalicionit që reciprociteti të aplikohet.

“Këto që unë po flas janë në kuadër të marrëveshjes për koalicion. Unë po ju referohem harmonizimit të programit mes partnerëve ku ka pasur një dakordancë për të gjitha temat, përfshirë edhe për këtë”, shton ai.

Kreu i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje thotë se reciprociteti është niveli më i lartë i besimit, vlerë që është mësuar nga Shtetet e Bashkuara.

“Reciprocitetin e shohim si niveli më i lartë i besimit reciprok dhe i raporteve reciproke, dhe këtë vlerë si shumë vlera të tjera i kemi mësuar pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë, teksa është shprehur se para vendosjes së masës do të ketë koordinim të plotë me SHBA-në,

“Nuk e di saktësisht, kur është agjenda po gjithsesi ne do të koordinohemi në mënyrë të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Derisa qeveria Kurti tashmë ka nisur përgatitjet e para përmes grupit punues të krijuar për heqje të taksës dhe vendosje të reciprocitetit, një veprim i tillë po kritikohet nga partitë në opozitë, me theks të veçantë, AAK-ja, e Ramush Haradinajt.

Lexo po ashtu:  Flet Kryeministri Kurti: "Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim."

Së fundmi, kjo parti ka nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme.

“Edhe në fushatë jemi futur me të njëjtat tema, ne edhe në fushatë kemi kërkuar masa reciprociteti, tregtare, ekonomike dhe politike me Serbinë kurse opozita e sotme si subjekte politike sidomos AAK-ja për mos heqjen e taksës kështu që nuk është se jemi nda sot në këto koncepte, mendoj se kemi qenë konsistent në atë që kemi deklaruar, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, siç kemi pasur qëndrim para shumë vitesh, para zgjedhjeve, gjatë fushatës, qëndrimin e njëjtë e kemi sot”, ka deklaruar Selimi, i pyetur për kundërshtimet e opozitës.

Ai thotë se qëndrimet që ka Aleanca dhe opozita nuk mund të i imponohen partnerëve në qeveri.

“Por, duket që shpresoj që të mos ndryshojnë edhe raportet tjera që edhe AAK-ja të ketë qasje krejt ndryshe nga ajo që deklaruar më herët, sido që të jetë është qasje e tyre, mendim i tyre i respektueshëm në aspektin e oponencës, pse jo i uroj oponencë sa më të suksesshme dhe mbrojtje të qëndrimeve të tyre, por, qëndrimet e tyre nuk mund të na imponohen neve për shkak se kemi programe të ndryshme qeverisëse, siç kemi pasur programe të ndryshme elektorale”, thotë ai.

Lexo po ashtu:  Vazhdojnë aderimet masive në VV, këta janë tre intelektualët universitarë që iu bashkuan

Selimi ka komentuar edhe sulmin ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, që është goditur me vezë gjatë vikendit.

“Nuk i njoh njerëzit, nuk është çështje të cilën duhet ta marrim si tragjike, nëse është kjo oponencë e AAK-së i uroj oponencë të dinjitetshme”, shton ai.

Shefi i grupit parlamentar të LV-së thotë se nuk e di cili bord i ndërmarrjeve publike mund të ketë fatin e njëjtë si ai i Telekomit, por, që mohon zërat se këto shkarkime po bëhen për të rahatuar në pozita njerëz të Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike.

“Absolutisht jo, përkundrazi është kundër qasjes së rahatimit të njerëzve që ka ndodhë në qeverisjet e kaluara, e ato rahatime kanë ndodhur në mënyrë të paligjshme normalisht që qasja e jonë është e tillë. Ne po ju kundërvihemi me ligj diçka që ka qenë e paligjshme”, ka shtuar ai.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, kanë paralajmëruar si gjatë fushatës se një nga veprimet e para që do të ndërmarrin në qeverisje është heqja e taksës. Mirëpo, kjo është bërë e ditur se do të bëhet vetëm pasi që të aplikohet reciprocitet i plotë tregëtar, politik dhe ekonomik me Serbinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *