Qeveria serbe ka njoftuar se brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti do të prezantojë një studim fizibiliteti mbi energjinë bërthamore në Serbi, studim i cili po realizohet nga firma franceze, “Egis”, që ka qenë e angazhuar më herët në rindërtimin e stacionit të trenit në Novi Sad, ku ndodhi aksidenti i famshëm me 15 viktima.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Energjisë, Dubravka Djedovic Handanovic, ndërkohë që mbi përzgjedhjen e kompanisë franceze ka patur reagime.
Fizikani serb, Slobodan Bubnjevic e ka lidhur kompaninë me cilësinë e punimeve në Novi Sad duke paralajmëruar rreziqe të mëdha. Mediat opozitare serbe nënvizojnë se ndonëse enerjgia bërthamore ka shumë avantazhe, në Serbi mungon infrastruktura për ta zbatuar shfytëzimin e saj. Lidhur me këtë në Serbi është në fuqi një ndalim për energjinë bërthamore që nga viti 1989 dhe që prej atëherë nuk ka specialistë të diplomuar.
Në vitin 2019, Serbia firmosi një marrëveshje me Rusinë për ndërtimin e një qendre bërthamore shumëfunksionale, por asgjë nuk u realizua.