Marrëveshja për Mini-Schengenin që Serbia ia dërgoj Shqipërisë dhe Maqedonisë për nënshkrim, është zbardhur.
Prishtina zyrtare para pak javësh, publikisht thirri ‘si motrën’ Tiranën që të largojë kufirin, doganat dhe t’i lë shtetasit shqiptarë dhe ata të Kosovës që të ‘bashkohen’ pa kufi në Vërmicë.
Tirana heshti, ndërsa Prishtina s’foli më me zë. Javën e kaluar, Beogradi zyrtar ka bërë gati draftin e parë për #MiniSchengen, dhe diplomatët në Prishtinë ia konfirmuan këtë gjë TV21.
Në dokumentin që ka përpiluar Serbia, ofrohet hapja e kufirit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por, Serbia ‘de jure’ s’ka kufi me Shqipërinë, meqë Kosovën e kanë në mes.
Serbia drafton Mini Schengenin Beogradit po i ngutet me bërjen e Mini-Schengenit, dhe të rrisë raportet tregtare me Shqipërinë e Maqedoninë, andaj i ka vënë gjërat në letër.
Pas takimit mes #AleksandarVuçiq, #EdiRama e #ZoranZaev, qeveria e Serbisë ka përgatitur draftin e parë për bashkëpunimin mes tri shteteve në fushën e tregtisë dhe tregtimit.
Burime diplomatike të TV21 në Prishtinë thonë se ‘drafti veç është në duart e disa ambasadave’, dhe që ‘s’ka reagime negative ‘për draftin’’! TV21 i është dhënë qasje në draftin (versionin anglisht, meqë thuhet se është në tri gjuhë) të cilin qeveria e Serbisë, pritet ta nis tek Tirana dhe Shkupi zyrtar.
‘Palët’, siç i përshkruan draft memorandumi Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë, kanë për synim largimin e të gjitha pengesave për ‘rritjen progresive’ të tregtisë. Prishtina ka reaguar ashpër ndaj Tiranës zyrtare pse u përfshi në raporte të tilla me Serbinë, meqë Beogradi nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe as kufijtë e saj.
Drafti përshkruan procedurat e thjeshtësuara të bashkëpunimit ‘ndërkufitar’, duke prekur edhe këmbimin e informatave dhe të dhënave nga zyrat e specializuara për ushqim, veterinari dhe fitosanitari.
Serbia përmes këtij drafti parasheh që Tirana dhe Shkupi zyrtar përveç tregtisë të kenë edhe bashkëpunim dhe ‘këmbim të informatave të klasifikuara nga autoritetet kufitare’, përfshirë këtu doganën.
Tirana dhe Shkupi zyrtar, ende nuk dihet se kur do ta pranojnë versionin e këtij draftit, me të cilin pritet të vënë në funksion idenë e tre shteteve për ‘Mini-Schengen’ në Ballkan.