Igli Tola

SHBA – Shqipëri, histori me Borxh.
I.
ShBA-të u zgjuan të mërkurën me lajmin që zinte pothuajse gjithë ballinat dhe kryefaqet mediatike; Borxhi publik tejkaloi të martën 30 trilionë dollarë për herë të parë në historinë e vendit. Informacion i konfirmuar nga FED (Departamenti i Thesarit).
Borxhi në rritje i atribuohet kryesisht shpenzimeve dhe kostove të shumta sociale të shkaktuara nga pandemia. Që nga fundi i vitit 2019, në pothuajse 2 vite borxhi i tyre u rrit me 7 trilionë dollarë. Kur jo më larg se 15 vite më parë, në dhjetorin e 2007, para shpërthimit të krizës së 2008 borxhi qe vetëm 9,2 trilionë. Me një kalkulim të thjesht, në më pak se 15 vjet borxhi u 3-fishua (326 %). Duke arritur kështu në një raport aktual të borxhit ndaj PBB-së, 130.65 %. Qeveria federale sot ka gati 8 trilionë dollarë detyrime ndaj investitorëve të huaj; Ku kreditorët më të mëdhenj të Amerikës janë Kina dhe Japonia, me të parën që zotëron 1.05 trilionë dollarë të letrave me vlerë të emetuara nga SHBA dhe Japonia 1.03 trilionë.
Në këto kushte, 4 muaj më parë në Tetor, shpërtheu një debat i madh në Kongres mbi propozimin për rritjen e tavanit të borxhit; duke analizuar një situatë të mundshme emergjente të mospagimit të borxhit dhe detyrimeve kontraktore. Republikanët kundërshtonin dhe refuzuan deri në fund këtë rritje të kufirit të borxhit të jashtëm, edhe për të shmangur përgjegjësinë e të qenit bashkë-fajtorë në financimin e faturës së infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh të ‘nënshkruar’ nga Demokratët dhe programit edhe më të gjerë të shpenzimeve sociale të Presidentit Biden, të njohur si Build Back Better. Në fund, duke parë mos ndryshimin e qëndrimit të Republikanëve në Kongres, Senati miratoi me kompromis vetëm një zgjatje provizore (afatshkurtër) të tavanit të borxhit.

Lexo po ashtu:  Iniciativa e Vjosës, çfarë dhe çka janë interesat e politike të qytetarëve?

II.
Shqipëria, në të njëjtën periudhë kohore: Borxhi publik gjatë vitit që lamë pas rezulton se arriti 80.1%, shifra më e lartë kjo e raportuar zyrtarisht nga Ministria e Financave në Kuadrin Makroekonomik 2023-2025. Në vlerë nominale borxhi ynë i tejkaloi 1.34 trilionë lekë, me një shtesë 124 miliardë lekësh (afro 1 miliardë euro) në raport me vitin pandemik 2020. Shifrat mund të jenë edhe më pesimiste, pasi priten të azhustohen nga përllogaritjet që do ti bëhen ecurisë së treguesve makro të 3-mujorit të katërt.
Duke përdorur si justifikim përballimin e pasojave të tërmetit e pandemisë, dhe rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në qershor 2021, kaloi si pa u vënë re Akti Normativ, i cili përveçse ndryshoi (rishikoi) buxhetin 2021, preku edhe ligjin organik të buxhetit. Respektivisht, reflektuar në Aktin Normativ Nr. 25, përmes të cilit ndryshohet ligji organik i buxhetit të shtetit dhe atë Nr. 26, përmes të cilit bëhen ndryshime dhe shtesa ligjore në ligjin e buxhetit të vitit 2021.

Lexo po ashtu:  Faleminderit Edi Rama

Këto Akte autorizuan automatikisht rritjen e borxhit publik, përmes zgjerimit të defiçitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro), nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar shumën totale të detyrimeve në rreth 1,3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar). Shtesa në borxh u autorizua nga qeveria për të financuar me borxh disa projekte afatgjata, si PPP, ende pa sheshuar efektet direkte dhe indirekte të dy krizave të fundit. Për më tepër, zgjerimi i borxhit u bë me akt normativ, duke thyer çdo ligj e preçent ligjor.

Me një pjesëtim të thjeshtë çdo qytetari sot i takon një borxh prej 3450 euro, ose 1070 euro më shumë se pesë vite më parë. Për të paguajmë mesatarisht 94.3 milionë euro në vit këste, ndërkohë që gjatë periudhës 2010-2016 paguanim afërsisht 56.6 mln euro çdo vit. E nqs nuk e ndjejmë direkt në xhepat tanë këtë borxh të fryrë, e ndjejmë indirekt nga më pak rritje rrogash dhe pensionesh dhe më pak investime publike etj.
Mos të përmendim këtu detyrimet që vijnë nga angazhimi në disa dhjetra kontrata PPP, detyrimet nga proceset e humbura në Arbitrazh ; që borxhin kombëtar e rrisin me së paku 20-25% të tjera, duke superuar edhe PBB-në.
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Lexo po ashtu:  PARALELE HISTORIKE - Me rastin e 14 vjetorit të shpalljes të “Pavarësisë” të Kosovës

Serioziteti i trajtimit të çështjeve jetësore, si rasti i borxhit publik tregojnë shumë për një shtet dhe mënyrën e qeverisjes. Ndryshe nga se pretendojmë dhe aspirojmë, orientimin nuk e kemi nga Perëndimi (ShBA-të), por nga Lindja; pasi sjelljet si tonat mund të gjejnë shëmbëlltyrë vetëm në ca nga republikat autoritare të Europës Lindore e Azisë.
Teksa Super-fuqia botërore ngre alarmin për nivelin e borxhit dhe palët negociojnë për ndryshimet në tavanin e borxhit; Ne një vend me produktivitetin e punës ndër më të ulëtit në rajon, e me borxh publik mbi 30% më të lartë se mesatarja e rajonit, flasim e përzihemi për çdo gjë – vetëm për borxhin që rritet jo. Ligjvënësi ose nuk pyetet fare, ose pyetet vetëm formalisht, pasi është zëvendësuar e ka deleguar autoritet te Aktet Normative dhe VKM-të.

PhD (c). Ll.M. Igli TOLA
Pedagog, Ekspert Ekonomie

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *