Nga Shaban Murati

Shënim nga blloku diplomatik

Në 1 dhjetor 2022 presidenti i Serbisë Vuçiç shpalli zyrtarisht sfidën e tij arrogante ndaj BE, duke refuzuar ftesën e Brukselit për të marrë pjesë në samitin e parë historik të BE me Ballkanin Perëndimor në Tiranë në 6 dhjetor. Samiti, që zhvillohet për herë të parë në një shtet të Ballkanit Perëndimor, organizohet nga BE për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të gjashtë shteteve të këtij mikrorajoni.

Befas del një mikroshtet dhe një president spurdhjak nga Ballkani shkëmbor dhe i hedh dorezën e luftës BE-së, duke refuzuar pjesëmarrjen në samitin europian të Tiranës dhe duke e fyer në mënyrën më brutale Bashkimin Europian. Ja deklarimet e presidentit serb në 1 dhjetor në ligjëratë të drejtë: “Të gjithë ju nga Europa dhe nga Ballkani Perëndimor shkoni në Tiranë dhe flisni budallallëqe! Turp për ju nga Europa dhe kjo është më e pakta që dua t’u them ju”.

Nuk mund ta konceptojë asnjë logjikë normale diplomatike dhe shtetërore që presidenti i një shteti kandidat të BE të fyejë Bashkimin Europian dhe Europën me një gjuhë karrocierësh të dehur të Shumadisë. Nuk mund ta konceptojë asnjë logjikë normale që presidenti i një mikroshteti prej rreth 7 milion banorësh, kandidat në BE, të sfidojë dhe të fyejë organizatën më të madhe politike dhe ekonomike të Europës me 500 milion banorë. Mendimi i parë, që lind duke parë këtë sjellje të padëgjuar brutale, është se Serbia dhe presidenti i saj nuk duan të hyjnë në BE.

Lexo po ashtu:  - Duhen kontrolluar fort kryeministrat, ministrat e Arsimit e të Kultures, të Ekonomisë e të Diplomacisë.

Pyetja njëmilion dollarëshe është se si mund të ngjasë një skandal i tillë diplomatik dhe shtetëror, kur Serbia guxon të sfidojë publikisht BE-në, ku gjoja aspiron të anëtarësohet?

Nuk është hera e parë që Serbia tallet me BE-në. Në janar të vitit 2008 kur BE i ofroi Serbisë të nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, MSA, në një kohë që ai shtet nuk kishte plotësuar ende kushtet dhe BE po i bënte një favor të pamerituar, presidenti i Serbisë Vojislav Koshtunica, me arrogancë e fyu BE-në, duke refuzuar ta nënshkruante MSA-në.

A ka lidhur BE kërthizë me Serbinë, që e duron kaq shumë deri në fyerje? BE-në e ka fyer shumë herë Rusia dhe presidenti i saj Putin, që përfaqësojnë një fuqi të madhe energjitike dhe ushtarake. Por ta fyejë një shtet i vogël dhe i varfër si Serbia dhe presidenti i vogël Vuçiç, kjo provon një shkallë të madhe pafuqie të BE. Diplomatë dhe jodiplomatë po pyesin me kureshtje: Si guxon Serbia të fyejë BE-në kaq hapur? Të gjithë po kërkojnë çelsin e këtij guximi liliputësh. Çelësi është mbi tavolinë: Është Rusia.

Lexo po ashtu:  Përgjimet? Cili investitor serioz do guxonte të vinte në Shqipërinë e sotme?

Guximi i presidentit serb është rus dhe Serbia po e fyen dhe po tallet me BE si ushtare ruse për llogari të Rusisë. Serbia nuk don të integrohet në BE, sepse ajo është e integruar në Rusi. Dhe ndaj Serbia është rreshtuar me agresionin rus në Ukrainë dhe ndaj presidenti serb nga mëngjesi në darkë çdo ditë vetëm mallkon e shan NATO-n. BE, që është me komplekse inferioriteti energjitik ndaj Rusisë, e kapërdin arrogancën dhe fyerjen nga liliputi serb, sepse e di që pas tij është Rusia.

Çuditërisht nuk pipëtiu Brukseli dhe e kapërdiu fyerjen e re dhe sfidën turpëruese të presidentit serb dhe nuk merr as masën minimale të ndëshkimit, që duhej të ishte pezullimi i statusit të shtetit kandidat për Serbinë, gjë që ia ka kërkuar BE-së parlamenti europian për ta zbatuar ndaj Serbisë për shkak se qeveria e presidentit Vuçiç ka refuzuar sanksionet e BE kundër Rusisë.

Në mënyrën me skandaloze sllovaku Peter Stano, zëdhënës i BE, në datën 2 dhjetor i pyetur për sulmet e reja të Vuçiçit ndaj BE-së, i bënte thirrje “Serbisë dhe Kosovës të sillen në mënyrë europiane”. Se ç’hynte Kosova të mbante barrën e fyerjes që Serbia i bëri BE-së, këtë vetëm burokratë filoserbë dhe filorusë në Bruksel mund ta justifikojnë.

Lexo po ashtu:  ‘Mos harro se në Evropë të gjitha i gjen, por dashurinë e vendit tënd kurrë’

Refuzimi i presidentit Vuçiç për të marrë pjesë në samitin e 6 dhjetorit në Tiranë është një shuplakë diplomatike dhe fyerje direkte edhe për kryeministrin e Shqipërisë, i cili është mikpritësi i samitit. Kryeministrit të Shqipërisë i shkuan huq gjithë ato vetëlavdërime poshtë e përpjetë koridoreve diplomatike për “miqësinë e madhe personale” me presidentin Vuçiç.

I shkoi huq gjithë ai lobing intensiv falas në favor të Serbisë në samitet e NATO-s dhe samitet e tjera europiane. I shkoi huq gjithë ai servilizim i shpifur për projektin “Ballkan i hapur” të presidentit serb Vuçiç. Agai Vuçiç ia shkuli gjethet e kurorës së dafinës diplomatike ballkaniko-perëndimore, që kryeministri shqiptar po bëhej gati ta veshë në datën 6 dhjetor.

Historia ballkanike na ka mësuar se kush i shkon pas Serbisë duhet të presë fyerje dhe poshtërime dhe i bën varrin dinjitetit kombëtar dhe Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *