Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë sonte në mbrëmje se është i gatshëm të japë dorëheqje.

Një gjë të tillë, Abazoviq e ka thënë derisa ka komentuar njoftimin e Partisë Mali i Zi Demokratik, e cila paraprakisht tha se ai duhet të japë dorëheqje pas zgjedhjes së organeve të drejtësisë, shkruajnë mediat në Mal të Zi.

Sipas tyre, partia e Aleksa Beçiqit mendon se gjëja më e mirë për Malin e Zi do të ishte që Abazoviq të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të Qeverisë së 43-të pas zgjedhjes së organeve gjyqësore.

Dhe Abazoviq thekson se nuk ka asnjë problem me këtë.
Kështu, Abazoviq tha se në parim e mbështet qëndrimin i cili i bëri thirrje Kuvendit që të mos shqyrtojë iniciativat e mundshme për shkurtimin e mandatit para se të zgjidhen katër anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe së paku një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Të gjithë duhet të kemi një konsensus më të gjerë për zhbllokimin e gjyqësorit, Gjykatës Kushtetuese,… Le të kontribuojmë të gjithë për këtë dhe të themi: ‘Mirë, po shkojmë për zgjedhje të reja, qeveri, ridizajnim apo ndonjë model tjetër’. Por para kësaj, le të bëjmë një punë të përbashkët. Nëse kolegët e mi nga demokratët, nëse e kam interpretuar saktë njoftimin, nëse ka ndonjë rrugë… jam i gatshëm të jap dorëheqje”, citohet të ketë thënë Abazoviq për TV “Vijesti”.

Lexo po ashtu:  SINDIKATA E PAVARUR E RTK-SË: "Kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që urgjentisht t'i nisin procedurat për shkarkimin e Bordit të RTK-së."

Ai deklaroi gjithashtu se njoftimin e demokratëve nuk e sheh si një ultimatum duke shtuar se kërkon zgjidhjen e problemeve.

“Unë kam ardhur për të marrë vendime”, ka shtuar Abazoviq, duke theksuar se “Qeveria do t’i kryejë të gjitha obligimet ndaj qytetarëve, nuk do të mbetet e bllokuar, nuk do të mungojë asgjë”.

Ndryshe, qeveria e Abazoviqit kohët e fundit mbeti pa mbështetjen e shumicës në parlament kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) bëri të ditur se Qeveria ka humbur mbështetjen e kësaj partie për shkak të, siç e gjykuan, “braktisjes së agjendës evropiane”.

Abazoviq është kritikuar më së shumti për pranimin e nënshkrimit të kontratës shtetërore me Kishën Ortodokse Serbe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *