Me hapjen e çështjeve penale për inceneratorët, ka një lloj prirjeje për ta parë këtë si opsion për ndryshime të elitës politike në vend. Madje në këtë kuadër mund të shihet edhe riqarkullimi i një hiçi si Lulzim Basha, apo takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit të njerëzve që përfaqësojnë vetëm zhurmën mediatike për çështje të caktuara.

Sepse prirja për ta parë këtë proces si shtysë për ndryshim elitash lidhet në të vërtetë jo me instinktin politik të një elite tjetrër, por vetëm me besimin e vobektë se kjo është lojë e amerikanëve.

Dhe këtu problemi është shumë më kompleks sesa ai që përjetojmë. Nëse elita e tanishme ka me qindra probleme, ajo është aty për shkak të vetes dhe Neve; ajo është aty me iniciativën e vet dhe për shkak të problemeve të mëdha që kemi si shoqëri. Kjo elitë ndërvepron me perëndimorët për të përfituar mbijetesën, por nuk e ka suksesin e vet parakusht të të huajve.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët në Kosovën Lindore - popull i askujt

Ajo çfarë shpresohet sot është një miopi që vetëm një Shqipëri me intelektualë të tredhur dhe zhurmues dy lekësh mund ta duan dhe shpresojnë: një elitë të re të inkubuar dhe intubuar nga SHBA dhe Perëndimi për ta shpëtuar pra vendin nga korrupsioni galopant.

Po cila ligjësi e justifikon këtë që artikulohet këtu? Kjo nënkupton se ne duhet të pranojmë se zgjedhjet vdiqën dhe se jemi gati të kalojmë në një Demokraci Gjyqësore që zhdoganohet nga selitë diplomatike.

Mund të pyetet: a mund të bjerë më poshtë se kaq një shoqëri? A mund ta pështyjë më shumë se kaq veten njeriu?

Edi Rama nuk është i pamundshëm. Thjesht përballë tij nuk garoi kush: Sali Berisha nuk fiton dot sepse është e shkuara, Ilir Meta nuk është subjekt i vendit të parë dhe është i konsumuar aq sa asociohet me prangat në duar. Lëvizjet e tjera të çunakëve që pretendojnë se kanë vullnetin për një Testament të Ri, nuk dinë dhe duan të rriten përtej lojës së ekranit. Kështu që ai që prek vendin tej e tej dhe mandej me pushtetin që ka korrupton kë të mundet, është Edi Rama. Ai duhet mundur me zgjedhje, në zgjedhje. Përndryshe të gjitha këto haluçinacione dështakësh vetëm sa e legjitimojnë Edi Ramën që të bëjë dyfishin e kësaj që ka bërë sepse në fund të fundit ka rreth e qark vetëm budallenj politikë.

Lexo po ashtu:  Pronarë e gazetarë të medias! Jeni fajtorë të braktisjes së vendit, të humbjes së shpresës për të ardhmen!

s.zaimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *