Shqipëria do të jetë vendi i 50-të, anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Verës dhe Vreshtarisë (OIV).

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, teksa njoftoi se ka depozituar përmes ambasadorit tonë në Francë, Dritan Tola, kërkesën zyrtare për të qenë shteti i 50-të anëtar i organizatës më të madhe dhe të rëndësishme të vreshtarisë dhe verës në botë (OIV).

Ky hap i rëndësishëm në integrimin e industrisë shqiptare të verës në tregjet e ndërkombëtare, vjen pas një pune të madhe që ka bërë Ministria e Bujqësisë bashkë me ekspertët e fushës për të plotësuar çdo hallkë të zinxhirit që kërkon ky proces ndërkombëtarizimi i industrisë së verës “Made in Albania”.

“Pas miratimit të ligjit të ri të vreshtarisë dhe verës, ngritjen e kadastrës së vreshtit, mbështetjes së vazhdueshme në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimit të cilësisë së prodhimit të verës, promovimi ndërkombëtar, mundësimi i pjesëmarrjeve në panairet ndërkombëtare të prodhuesve tanë dhe tashmë teksa jemi pranë anëtarësimit në OIV, puna jonë përqendrohet gjithnjë e më shumë në rritjen e cilësisë dhe konkurueshmërisë së verës shqiptare në tregje”, deklaroi ministrja Krifca.

Lexo po ashtu:  Pse nuk përputhen pashkët katolike me ato ortodokse?

Potencialet e industrisë shqiptare të verës, së fundi po gjejnë jehonë edhe në faqet e shtypit ndërkombëtar, ndërsa ky sektor llogaritet një vlerë e shtuar në zhvillimin e agroturizmit dhe ekonomisë rurale.

Ministria e Bujqësisë, po mbështet zhvillimin e industrisë së verës, si një nga produktet tradicionale nga më të hershmet në vendin tonë, që e ka bërë Shqipërinë të njihet për varietetet autoktone të rrushit, prej nga prodhohen një sërë verërash cilësore.

Sipas të dhënave të MBZHR, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11.2%, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë/vit.

Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi.

Në këtë mënyrë, rritja e ofertës për produktet cilësore “Made in Albania”, kombinuar edhe me përsosjen e formave të marketingut e promovimit, do t’i transformojë zonat e prodhimit të verës në destinacione turistike, duke i bërë më të vizitueshme e duke i shtuar vlerë të gjithë zinxhirit, nga prodhuesi në tavolinën e konsumatorit.

Lexo po ashtu:  E rrezikshme: Bletët po ndërtojnë foletë e tyre duke përdorur plehra plastike

/ata.gov.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *