Shqiponja është një nga shpendët mitikë më të nderuar nga shqiptarët, e rrethuar prej gjithfarë besimesh e tabush. Thuajse të gjithë shqiptarët vrasjen e saj e konsideronin mëkat të madh. Por edhe në rastet kur vrisnin ndonjë, trupin e saj e hapnin në pozë fluturimi mbi ndonjë dru në kopsht a në arë, sepse besonin se kësisoj pemët apo arat do të kishin prodhime të mbara . Shqiponja është simbol diellor; përfaqëson të gjithë zotat e qiellit; diellin në zenith; parimin shpirtëror; ngjitjen; frymëzimin; clirimin nga skllavëria; fitoren; krenarinë; soditjen; apoteozën; pushtetin mbretëror; autoritetin; fuqinë; lartësinë; element i ajrit.

Mendimi se është e aftë të fluturojë gjer te dielli, ta shikojë atë drejt dhe të identifikohet me të, e bën shqiponjën simbol të parimit shpirtëror të njeriut, i cili është në gjëndjë të ngjitet fluturimthi drejt qiellit.

Shqiponjat dykrenare janë tipare të zotave të dyfishtë dhe përfaqësojnë gjithëdijen a një fuqi të dyfishtë. Përleshja midis shqiponjës dhe demit, apo midis shqiponjës dhe luanit, përleshje nga e cila shqiponja del gjithmonë fitimtare, përfaqëson triumfin e shpirtit apo të intelektit mbi mishin. Përleshja midis shqiponjës dhe gjarpërit apo shëmbëlltyra e një shqiponje me një gjarpër ndër kthetra, përshkruan fitoren shpirtërore, ku shqiponja është simbol i fuqive qiellore, kurse gjarpri i fuqive ktonike a nëntokësore; shqiponja është gjithashtu dritë e pamanifestuar, kurse gjarpri terr i pamanifestuar; bashkë ata mbrojnë plotërinë, njësinë kozmike dhe bashkimin e shprtit dhe materies. Shqiponja në krye të një shtylle është emblemë e zotit të diellit, si sol invictus ngadhnjyes mbi terrin.

Lexo po ashtu:  Manipulimi i fotografisë

Marrë nga Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *