Varësia nga alkooli në Shqipëri përllogaritet të jetë në nivelin rreth 3,4 për qind, ku konsumuesit më të mëdhenj janë meshkujt.

Alkooli dhe përdorimi i dëmshëm i tij luan një rol shkaktar në problemet sociale dhe ato shëndetësore, ndërkohë që shqiptarët konsumojnë rreth 7 litra për person. Varësia nga alkooli në Shqipëri përllogaritet të jetë në nivelin rreth 3,4 %, ku konsumuesit më të mëdhenj janë meshkujt. Alkooli përbën një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve që prekin mëlçinë, zemrën, enët e gjakut, sistemin nervor dhe shfaqjen e kancereve në organet e ndryshme.

“Përdorimi i dëmshëm i alkoolit dhe pasojat që lë ai në shëndet janë problemet madhore të shëndetit publik sot në nivel botëror. Konsumi i alkoolit është identifikuar si një faktor rreziku për sëmundje kronike të rëndësishme dhe të pasojave që ai lë në shëndet”, tha të martën Roland Shuperka, ekspert i shëndetit publik.

Të dhënat aktuale në këtë fushë dëshmojnë për një përhapje të modeleve të një fillimit të përdorimit të alkoolit (pirje të rregullta në sasi të mëdha). Alkoolin e përdorin rreth gjysma e popullatës së rritur në botë, afërsisht 49 %. Alkooli përdoret nga 18-90 % e burrave dhe nga 1-80 % e grave në botë.

“Alkooli është një substancë që mund të krijojë varësi. Përdorimi dhe për më tepër abuzimi mund të shkaktojë një sërë problemesh personale, familjare, financiare, ligjore, shkollore, sociale; aksidente dhe vdekje”, thekson Shuperka. Alkooli është i lidhur me një gamë të gjerë të problemeve sociale dhe pasojat e dëmshme të tij janë shkaktarë për rreth 3,8 % të të gjitha vdekjeve globale dhe 4,6 % të barrës së përgjithshme të sëmundjeve.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Rreziku i varësisë nga alkooli fillon me konsumin në nivele të ulëta të pijeve alkoolike dhe rritet menjëherë me rritjen e vëllimit të tij dhe me ndikimin e një modeli të caktuar (mbi të gjitha në gëzimet apo festat e ndryshme). Të rinjtë klasifikohen si target grup më në rrezik.

Shqiptarët dhe alkooli

Edhe pse shqiptarët nuk janë konsumuesit më të mëdhenj të alkoolit, përsëri konsumi mbetet i lartë mes tyre. Studimi i SOCRATA (Social Data Netëork for Government Data), i publikuar në qershor të 2009-s, rendit Shqipërinë në vendin e 112 ndër 180 vende të studiuara për sasinë vjetore të alkoolit të konsumuar për person. Listën e kryesojnë në mënyrë absolute vendet e Evropës, duke filluar me Luksemburgun me 15,56 l ,ndjekur nga Irlanda me 13,69 l, Hungaria me 13,60 l, Moldavia 13,18 l, Çekia 12,25 l, Kroacia 12,25 l, etj.

Lexo po ashtu:  Mos ju ndani xhinxherit, ja si ndikon në shëndetin e kockave dhe zemres

“Të dhënat e fundit tregojnë se gjatë viteve 2003-2005, shqiptarët konsumojnë 6,6 litra mesatarisht alkool i pastër për person mbi moshën 15 vjeç, ndërsa e krahasuar me Evropën, 11,9 litra. Ndërsa në vitin 2008-2010, të dhenat tregojnë se konsumi mesatar shkon në 7 litra për person, (meshkuj 10,6 dhe femra 3,4), ndaj 10,7 litra që është për rajonin Evropian”, nëvizon Shuperka.

Ndarja në përqindje e konsumit të alkoolit për vitin 2010 për Shqipërinë është: 31,8 % birrë, 19,8 % verë, 48,4 % pije të forta (raki, xhin, uiskey, vodka e tjera); 0.,7 % pije të tjera. Varësia nga alkooli përllogaritet në 5,5 % tek meshkujt dhe 1,4 % për femrat, me një total prej 3,4 %.

Alkooli dhe problemet sociale

Alkooli shkakton dëme jo vetëm tek personat konsumues të tij, por edhe tek idividët e tjerë. Kështu, sa u takon pasojave sociale, Shuperka thotë se “dëmet shoqërore ndaj personave të tjerë janë më të zakonshme, por më pak të rënda. Pasojat të tilla si prishja e qetësisë publike nga zhurmat, nga personat e dehur dhe ato më të rëndat të tilla si: frikë nga njerëzit e dehur në zonat publike. Këto pasojat negative sociale kanë kosto të larta dhe shqetësuese ndaj pjesës tjetër të popullsisë”.

Duke u ndalur tek një tjetër fenomen, dhuna dhe krimi, ai thotë se “ekziston një lidhje mes konsumimit të alkoolit dhe mes rrezikut të përfshirjes në dhunë (duke përfshirë edhe vrasje), i cili është një dukuri më karakteristike e konsumimit të niveleve të larta të alkoolit”. Egzistojnë edhe marrëdhënie mes përdorimit të alkoolit në nivele të larta dhe dhunës seksuale (veçanërisht dhunë kundër të huajve) dhe dhunë në familje. Përgjithësisht sa më i lartë të jetë niveli i konsumit të alkoolit, aq më serioz është shfaqja e dhunës, shton Shuperka.

Po kështu, ka një lidhje e fortë mes konsumimit në nivele të larta të alkoolit dhe problemeve martesore. Disa studime kanë treguar një rrezik, i cili vazhdon të rritet në mënyrë të konsiderueshme dhe në korrelacion pozitiv mes konsumimit të alkoolit dhe divorceve.

Abuzimi i fëmijëve është një tjetër pasojë e konsumimit të alkoolit në nivele të larta. “Një numër i madh studimesh, kanë raportuar një shumëllojshmëri të fatkeqësive dhe dëmeve fizike-shëndetësore ndaj fëmijëve, të cilat jetojnë në ambiente ku konsumohet alkool”, nënvizon Shuperka.

Sa i takon ndikimit në punë, në krahasim me pije të lehta, pijet e forta ndikojnë dhe kanë efekt të menjëhershëm në uljen e produktivitetit në punë. Ndërkohë, rreziku i aksidenteve, përplasjeve dhe lëndimit të personave të tjerëve rritet dhe ndikohet më shumë nëpërmjet sasisë dhe vëllimit të konsumimit të alkoolit.

Lexo po ashtu:  Të mirat e shumta që na i sjell ftoi

Alkooli dhe pasojat në shëndet

Një ndikim negative ka konsumimi i alkoolit tek gratë shtatëza, kjo pasi në përbërjen e tij ka mbetje toksike të cilat janë mjaft të dëmshme në aspektin riprodhues.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

“Ekspozimi gjatë shtatëzanisë ndaj alkoolit mund të jetë i shoqëruar me një numër të lartë të problemeve dhe deficiteve intelektuale, të cilat bëhen të dukshëm më vonë në fëmijëri. Edhe pse vëllimi i konsumimit të alkoolit mund të jetë i ulët, duke konsumuar alkool gjatë shtatzënisë rritet rreziku i abortit spontan, lindje nën peshë të fëmijës, lindje prenatale dhe mund të reduktohet prodhimi i qumështit te nënat dhe mosushqimin me gji të fëmijës”, sqaron Shuperka.

Alkooli është i lidhur drejtpërdrejtë me nivelin e agresionit te të dyja gjinitë, si te burrat dhe te gratë. Sipas disa studimeve, alkooli ka një efekt më të madh mbi agresivitetin te meshkujt sesa në agresionin femëror, edhe pse në tërësi u gjetën rreziqe të ngjashme apo ndryshime shumë të pakta në nivelin e agresionit për të dyja gjinitë dhe për të njëjtat nivele të konsumit të alkoolit.

Sa u takon problemeve neuropsikiatrike, ankthit dhe çrregullimeve të gjumit, të dhënat tregojnë se një në tetë individë, të cilët vuajnë nga çrregullimet e ankthit, vuajnë edhe nga probleme me konsumimit e alkoolit. Përdorimi i alkoolit përkeqëson gjithashtu çrregullimet e gjumit.
“Çrregullime në konsumin e alkoolit janë një faktor risku për çrregullimet depresive të cilat ndikohen nga doza e konsumuar e alkoolit. Shpesh konsumimi i alkoolit i paraprinë çrregullimet depresive, dhe gjendja përmirësohet me lënien e konsumimit të alkoolit”, thekson Shuperka.

Sipas tij, studimet klinike kanë gjetur egzistencën e një lidhje mes konsumimit të alkoolit dhe dëmtimit të nervave, rreth një e treta e pacientëve të cilët konsumojnë alkoolit kanë dëmtime të nervave periferike të trupit, duke u rritur rreziku dhe ashpërsia e dëmtimit të nervave në rritjen e përdorimit të alkoolit. Konsumi i alkoolit të shpeshtë përshpejton tkurrjen e trurit, e cila nga ana tjetër çon në rënie të aftësive njohëse.

“Sipas studimeve, duket të ketë një vazhdimësi mes dëmtimit më të shpejtë të trurit te individët të cilët kanë një periudhë më të gjatë të që konsumojnë alkool”, thekson më tej Shuperka.

Konsumimi në nivele të larta të alkoolit shkakton gjithashtu edhe çrregullime gastrointestinale, metabolike dhe endokrine. “Alkooli shton rrezikun e cirrozë së mëlçisë me rritjen e konsumit për çdo nivel të caktuar të alkoolit. Konsumi i alkoolit te gratë ka gjasa më të lartë në zhvillimin e cirrozë së mëlçisë sesa te burrat”, pohon Shuperka, duke shtuar se alkooli rrit rrezikun e zhvillimit akute dhe kronike të pankreasit.

Lexo po ashtu:  A ekziston varësia ndaj karbohidrateve? Ja çfarë duhet të dini

Po kështu, alkooli përmban 7,1 kcal/g dhe përbën një faktor rreziku për shtimin në peshë. Në konsumet e shpeshta dhe të rënda alkooli mund të zëvendësojë kaloritë, duke mos konsumuar vaktet dhe kështu krijohet cikli i cili çon në kequshqyerje.

Alkooli më nivele të larta mund të shkaktojë edhe kancer në zonat gastrointestinal.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

“Alkooli rrit rrezikun e kancerit të gojës, ezofagut (gurmaz) dhe të sistemit të frymëmarrjes; në një masë më të vogël egziston mundësia e shfaqjes së kancerit të stomakut, zorrës së trashë”, tha ai, ndërsa shton se alkooli rrit rrezikun e menjëhershëm të shfaqjes së kancerit të mëlçisë me rritjen e dozave të konsumit të tij. Alkooli shton gjithashtu rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit te femrat dhe influencon zhvillimin e tij, si dhe rrit presionin e gjakut dhe rrit rrezikun e shfaqjes së hipertensionit.

“Alkooli rrit rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të gjakut (ishemia).

Konsumimi i shpeshtë është një faktor i konsiderueshëm rreziku si për shfaqjen e ishemive deri në shfaqen e hemorragjive. Ndikim në nivele të rrezikshme ka te adoleshentët dhe tek të rinjtë”, pohon Shuperka.

Sipas tij, ekziston një marrëdhënie varësie ndërmjet konsumit të alkoolit dhe shfaqjes së ishemive, rreziku ulet duke konsumuar doza më të vogla të alkoolit (deri në 24 g në ditë). Po kështu, ka një marrëdhënie ndërmjet konsumit të alkoolit dhe rrezikut të shfaqjes së sëmundjeve korornare të zemrës. Një meta-analiza ka vlerësuar se konsumi i alkoolit në 20 g në ditë ul me 20 % shfaqjen e sëmundjeve koronare të zemrës. Megjithatë, duket se efekti mbrojtës zvogëlohet në moshat më të vjetra.

Nga ana tjetër, sipas Shuperkës, ka disa prova që tregojnë se gratë që konsumojnë alkool në doza të vogla në përgjithësi kanë më shumë probleme me kockat në raport me gratë e tjera të cilat nuk konsumojnë alkool.

Ndërkohë, te njerëzit e moshuar, në krahasim me njerëzit që nuk konsumojnë alkool, konsumimi i sasive të vogla të alkoolit ulin rrezikun e përgjithshëm të vdekjes. Në një studim të kryer në Mbretërinë e Bashkuar, niveli i ulët i konsumimit të alkoolit ul rrezikun për vdekshmërinë totale. Supozohet se konsumimi i 4 g alkool në ditë për femrat e moshës 65 vjeç e lart, dhe 11 g në ditë për meshkujt e moshës 65 vjeç dhe sipër konsiderohet pozitiv. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *