Ditët e fundit ka dalë nga shtypi revista “Albanica”, revistë shkencore dhe kulturore, organ i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë. Emri i revistës ringjallet pas 83 vjetësh. Dr. Anton B.I. Balota, në vitin 1936, botoi revistën „Albanica” në Bukuresht, një revistë që propozonte, atëbotë, të ishte një nismëtare në filologjinë shqiptare.

Autori planifikoi të botonte dhe vëllime të tjera, të cilat, përpos problemeve teorike të filologjisë shqiptare, do të ofronin më shumë informacion në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, në lidhje me të kaluarën dhe të tashmen e tyre si dhe tekste popullore apo nga letërsia e lëvruar, të përkthyera në rumanisht, studime përshkruese estetike të tekstit, gramatikën e dy dialekteve të gjuhës shqipe, të shoqëruar me fjalorë etj. Fatkeqësisht, kjo nismë nuk pati vazhdimësi…

Pas 83 vjetësh, me një frymë të re, rimerret ky projekt i pezulluar në histori. Qëllimi i ringjalljes së “Albanica-s” është botimi i teksteve të rëndësishme, shkruar nga autorë rumunë dhe shqiptarë, por edhe nga studiues të tjerë të huaj, në lidhje me komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe personalitetet e tij, rreth gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, rreth Rumanisë dhe marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy gjuhëve dhe kulturave, duke përfshirë histori, letërsi, gjuhësi, antropologji, spiritualitet, sociologji, filozofi, arte etj. Në peizazhin e shtypit shqiptar të Rumanisë, gjatë gjithë historisë së pasur të këtij shtypi, kanë munguar revistat e profilit shkencor dhe universitar. “Albanica” mbledh rreth vetes të gjitha forcat shkencore universitare si dhe forcat krijuese përfaqësuese të letërsisë dhe artit shqiptar. Ajo u drejtohet elitave të Rumanisë, universitarëve dhe studiuesve të këtij vendi, të gjithë atyre që janë të interesuar për të njohur në mënyrë të thelluar kulturën dhe spiritualitetin shqiptar, përtej Shqipërisë së sotme, me historinë, antropologjinë, artin, gjuhësinë, letërsinë etj.

ANTROPOLOGJI NË REVISTË

Revista starton me artikullin e historianit të famshëm rumun, Nicolae Iorga, „Shqipëria dhe Rumania”, një ligjëratë e mbajtur në Bukuresht në Institutin e Studimeve të Europës Juglindore më 31 janar 1915. Pas 104 vjetësh botojmë këtë artikull të N. Iorga-s, ku shkruhet me simpati për historinë e popullit shqiptar. Përpos të tjerash, Iorga do të shprehej se: „…do të shihen në ligjëratat e ardhshme lidhjet gjakësore të fisërimit që mund të kenë ekzistuar midis nesh (rumunëve sh.y.) dhe shqiptarëve, ata pasardhës autentikë dhe ekskluzivë nga pikëpamja e pastërtisë, të elementit ilir”.

Lexo po ashtu:  Asgjë nuk të lëndon më shumë se sa zhgënjimi

Dr. Lavinia Dumitrașcu, boton artikullin „Shqiptaro-rumuni Ibrahim Themo”. Studiuesja rumune thekson se Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe etc. Gjithashtu, Ibrahim Temo, i cili u bë senator në Senatin e Rumanisë, kontribuoi për emancipimin e zonës së Dobroxhias, për modernizimin e politikës së Turqisë së kohës etj. Historianët Dr. Constantin Scurtu dhe Dr. Liviu Lungu vijnë me studime që i kushtohen 100-vjetorit të bashkimit të trevave rumune, duke sjellë analiza dhe detaje mbi rrethanat historike që mundësuan realizimin e këtij evenimenti historik.

Nga akademiku rumun, Grigore Brâncuș, gjuhëtar dhe albanolog i shquar, botohet studimi „Substrati i gjuhës rumune”. Në argumentimin e tij mbi pjesëmarrjen e elementit trako-dak në formimin e gjuhës rumune, Brancus sjell shembuj të shumtë nga gjuha shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra europiane. Dr. Daniela Carmen Stoica, në studimin e saj „Fusha leksikore e vdekjes në gjuhën rumune dhe shqipe. Përkime leksiko-semantike”, merr në shqyrtim materialin gjuhësor, që është përdorur në studimet sociolinguistike që lidhen me format e të shprehurit të ”vdekjes. Krahasimi në këtë studim bëhet në rrafshin antropologjik dhe në atë gjuhësor.                          Dr. Renata Topciu-Melonashi, në studimin „Besime, doke, supersticione dhe praktika në frazeologjinë rumuno-shqiptare”, evidenton një sërë zakonesh, besimesh e praktikash, të ngjashme tek shqiptarët dhe rumunët, përmes frazeologjisë së krahasuar.

Dr. Ina Arapi, në studimin „Shprehje dhe njësi frazeologjike shqiptaro-rumune” bën një përmbledhje të studimeve kryesore në fushën e frazeologjisë shqiptaro‑rumune dhe të rezultateve të arritura në këtë fushë, duke pasuruar fondin e përbashkët frazeologjik me shembuj dhe vëzhgime të reja. Më tej studiuesja merret me klasifikimin tipologjik të përkimeve frazeologjike, duke nënvizuar mekanizmat paralele të formimit frazeologjik në shqip dhe rumanisht. Studiuesja angleze, Margaret Hasluck, me studimin antropologjik „Oedip mbret në Shqipëri” sjell një optikë tejet interesante të hulumtimit të folklorit shqiptar, i cili shndërrohet në një çelës dekodifikues i tragjedisë antike greke. Nga kjo optikë, studiuesja analizon figurën aq të diskutueshme nga Zigmund Freud, siç është ai i Edipit, si dhe të ashtuquajturin „Kompleksi i Oedipit”. Analizohen edhe një sërë figurash të tjera të folklorit shqiptar si Fati, Ora dhe Zanat etj. Nga Kristo Frashëri botohet një studim mbi përhapjen e krishterimit në territoret shqiptare; Iniciatori: Apostulli Shën Pali, ndërsa nga Faik Konica botohet një ese mbi fenë e shqiptarëve. Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, në studimin e tij „Disa konsiderata mbi fillimet e krishterimit në Shqipëri”, duke u bazuar në burime shkencore të huaja, flet për fillimet e krishterimit tek shqiptarët, si një nga popujt e vjetër të Gadishullit Ballkanik.  Dr. Erion Piciri, në shkrimin “Shumë buste, pak modele”, analizon një dukuri historike dhe sociale, atë të sistemit të vlerave dhe të mundësisë së rishqyrtimit të tyre, atë të lënies në hije të personaliteteve të vërteta, që duhet të ishin modele për mbarë shoqërinë. Në revistë botohet një intervistë e panjohur e shkrimtarit rumun, me origjinë shqiptare, Victor Eftimiu, (shtator 1970).

Lexo po ashtu:  Roma, një Perandori e ndërtuar mbi komunikimin

I është kushtuar një hapësirë e madhe figurave më të rëndësishme të letërsisë moderne shqiptare. Kështu, revista përmban një medalion për Migjenin, shoqëruar nga disa poezi të përkthyera në rumanisht. Nga Ernest Koliqi është përkthyer në rumanisht proza e shkurtër “Miku”, një nga perlat e prozës shqiptare. Nga shkrimtari i shquar bashkëkohor, Visar Zhiti, është botuar një kapitull nga romani „Funerali i pafundmë”. Kurse nga shkrimtari Victor Eftimiu botohet një nga tregimet më të njohura të tij “Një dasmë aristokratike”.

Një kapitull me vete i kushtohet historisë së letërsisë shqipe si dhe studimeve letrare. Kështu, Dr. Luan Topçiu trajton letërsinë e arbëreshëve të Italisë, që nga fillimet e saj, duke e titulluar studimin e tij: “Rikrijimi i hartës shpirtërore të humbur”. Letërsia shqiptare e arbëreshëve, përpos faktit që ruan matricën kulturore shqiptare, me motivet arkaike ballkanike, është dhe letërsia që karakterizohet nga trajtat e motivet e letërsisë europiane.

KADAREJA SI PËRHERË

Dr. Gustavo-Adolfo Loria-Rivel na vjen me shkrimin: “Më në fund hapet dosja H.“ Studiuesi poliglot shkruan se nuk ka asnjë dyshim se libri i famshëm „Dosja H” i Ismail Kadaresë është një tekst kaplues, plot imagjinatë e dramatizëm, dhe jo më pak interesante janë informacionet shkencore të ofruara.                                                             Dr.Gustavo Loria ka punuar si përkthyes në një grup-pune, nën kujdesin e Universitetit të Harvardit, dhe ka publikuar tekste në shqip, të mbledhura nga Parry Lord. Kritiku rumun i letërsisë  Marius Chelaru, vjen me trajtesën “Gjakmarrja fryma e përgjakshme e fatit”, një studim mbi veprat e Kadaresë, “Prill i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Lulet e ngrira të marsit”. I njohur për preokupimet e tij për letërsinë shqipe, studiuesi ofron një analizë mbi kanunin në veprën e Kadaresë.  Studimet letrare të revistës mbyllen me studimin Neli Naços “Vendet e kujtesës së Mitrush Kutelit”, një sprovë gjeopoetike e argumentuar me metoda moderne të interpretimit të tekstit.

*   *   *

Revista ka 250 fq. dhe është ilustruar me vepra të piktorëve të mirënjohur, Gentian Zeka dhe Aurel Acasandrei.

Lexo po ashtu:  “Të uroj” nga Viktor Hygo. Një ndër poezitë më të bukura të shkruara ndonjëherë. Ia vlen ta lexoni!

Në datën 12 shkurt, në Muzeun e Letërsisë Rumune u përuruar numri i parë i kësaj reviste shkencore dhe kulturore. Shqiptarë dhe rumunë bashkë u ndjenë si në një festë arti. Në datën 14 shkurt – promovimi i dytë i saj në Muzeun e Historisë dhe të Arkeologjisë të qytetit bregdetar të Rumanisë, Konstanca, me pjesëmarrjen e universitarëve dhe të studentëve të Universitetit “Ovidius”, të historianëve, të komunitetit shqiptar dhe të tjerë të interesuar.

Një promovim i tretë në mjediset e Universitetit të Craiova-s duke sjellë në vemëndjen e faktorëve akademikë këtë prurje të re të ALAR.

Kryeredaktor i revistës “Albanica” është studiuesi dhe kritiku Dr. Luan Topçiu, puna e të cilit është më shumë se një aabasadë, më shumë se një akademi në shpalosjen e Shqipërisë letrare e kulturore në Rumani.

Drejtor i saj është studiuesi Dr. Radu-Cosmin Savulescu dhe Sekretar i Përgjithshëm i Redaksisë është shkrimtari dhe studiuesi Dr. Liviu Lungu, romanet e të cilit janë botuar dhe në Shqipëri.

“Albanica” synon të bëhet një instrument teorik për të gjithë ata që janë të interesuar për Shqipërinë në hapësirën e Europës jug-lindore, për historinë e lashtë të shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për letërsinë dhe artin shqiptar, për marrëdhëniet shumëdimensionale me kulturën rumune dhe atë ballkanike etj, për të parë një Shqipëri të lashtë dhe Europiane, me identitet e me vizione për të ardhmen e përbashkët. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *