Shqiptarët gjithmonë për botën e kurrë për vetëhe

Nga Sami Frashëri 

Shqiptarët gjithmonë janë vrarë e përpjekur e kanë spërkatur të tërë faqen e dhéut me gjak të tyre; po nga gjaku i Shqiptarëvet kanë fituar të tjerë, Shqipëria s’ka parë nonjë të mirë. Shumë Shqiptarë janë shquar e kanë treguar veten në dituri e në të tjera gjëra; po me këta shqiptarë të tjerë mburen e jo Shqiptarët e Shqipërisë.

Me Pirron e me Alekandrin mburen Grekëritë e i quajnë Grekër, Maqedonasit që me trimëri të tyre muarr gjithë botën në pakë kohë, por nuk i suall nonjë të mirë Shqipëris, por Grekërisë që ishin armiqtë e tyre, u ranë pas e i rrethuan, edhe këta fituan nga gjaku që derdhë ata. Se Maqedonasit u shpërndanë nëpër gjithë vëndet, që muarrë gjuhën e qytetërimin e Grekëve e jo të tyren, që ish Shqipja. Shumica e botës edhe sot Maqedonasit i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishin Maqedonasit, gjuha e Grekëve e qytetërimi i tyre do të mos kish marrë dot kurrë këtë bujë që ka sot, edhe mbase do të kish humbur e do tw ish harruar fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të diturit, q’arrinë në Egjypt në kohë tw Ptolemenjve, e benë gjuhën e qytetërimin e Greqisë që të përhapet e të dëgjohet më gjithë anët e dhéut. Pptolemenjtë, që ishin thjeshtë Shqiptarë nga Çamëria, e gjithë Maqedonasit lanë gjuhën e tyre, shqipen,mënjanë, të harruar e të paditur dhe vunë të parë greqishten, gjuhën e Dhimostenit, që ka folur aq shumë kundër Maqedonasve.

Pas Grekërve erdhën Romakët; edhe këta fituan shumë nga Shqiptarët; trimëri e Shqiptarëve e mëndja e tyre shërbente për mburrjen e Romakëve e jo të tyren. Shumë njerëz trima e të ditur kanë dalw edhe në kohë të këtyre në mes të Shqiptarëve, po bota i ka njohur si Romakë e jo si Shqiptarë.
Pas Romakëve u erdh radha Turqve. Shqiptarët duke u përzjerë me Turqit, kanë marrë pjesë në të gjithë luftrat që bënin e që fitonin këta kundër gjithë botës; edhe trimëritë më të mëdha dhe më të mirat punëra i bënin Shqiptarët, po emrin e kishin Turqit dhe njeri s’i njihte si Shqiptarë. Më të mëdhenjtë e më të mirët e Vezirëve të Turqisë ishin Shqiptarët, si Sinan Pasha, që ka marrë Jemenin e ka shpënë flamurin e Turqisë gjer në det të Hindisë, si Qyprilinjtë që e kanë shpëtuar mbretërinë e Turqisë nga një rrezik i madh dhe e forcuan aq këtë mbretëri, sa vanë e rrethuanë Vjenën. Edhe shumë të tjerë njerëz të mëdhenj e burra trima kanë dalë, prej të cilëve Turqia ka fituar shumë, po Shqipëria aspak.

Lexo po ashtu:  "I dashur zot," - Fan Noli kundër Mit’hat Frashërit

Në kohëra të pastajme Shqiptarët myslimanë kanë punuar e janë vrarë për Turqinë, e Shqiptarët e krishterë për Greqinë, për këta dy kombe të cilët, as njëri e as tjetri s’ua dinë të mirën por ua shpërblejnë me të keqe duke u përpjekur se si ta zhdukin kombin Shqiptar. Boçari, Xhavella, Miauli e të tjerë, më të shumtit e trimave që janë përpjekur për ngjalljen e për dlirësinë e Greqisë, kanë qenë thjeshtë Shqiptarë e hiç fare Grekë; po nga trimëri e tyre ka fituar shumë Greqia e hiç fare Shqipëria. Në syt të botës luftonin Grekët me Turqit, po në të vërtetë luftonin Shqiptarët e krishterë me Shqiptarët myslimanë. Kur mundeshin ata, fitonte Greqia; kur mundeshin këta, fitonte Turqia; po gjaku që derdhej nga të dy anët ishte gjak Shqiptari; Shqiptarët vriten vëlla me vëlla, të tjerët fitojnë. Shqiptari e ka derdhur gjithnjë gjakun pa kursim, po e ka derdhur kot; kurrë Shqipëria s’ka fituar nga gjaku i Shqiptarëve; gjithnjë të huajt edhe armiqtë e Shqipërisë kanë fituar nga ai gjak me vlerë e i derdhur pa u menduar.
Jo vetëm me kordhë e me gjak, po edhe me penë e me mënt Shqiptarët u kanë shërbyer gjithnjë të huajve.

Lexo po ashtu:  Data e lindjes së Jezusit u vendos prej krerëve të Kishës

Duke mos shkruar gjuhën e tyre, janë shtrënguar të shkruajnë Greqisht, Llatinisht, Shqahisht, Turqisht a Arabisht; edhe me emrat e këtyre mburren të zotë e këtyre gjuhëve, e Shqiptarët pandehen të egër e të paditur, të gjithë i qeshin duke u thënë u aka ngrënë buallica livrën e tyre. Po Aristoteli, më i madhi ndër filosofët e Greqisë së vjetër, ishte Maqedonas, domethënë Shqiptar e jo grek. Vërtet në Stagjyrë, te ka lindur, ishin edhe ca Grekë të ardhur, po fytyra e Aristotelit që shohim n’agalmët të tij edhe gjuha Greqisht që ka shkruar të përtuar e jo aq të drejtë, si edhe miqësia që kish me Filipin, armikun e Grekëve, e të tjera shënja tregojnë se ky filozof i madh nuk ish lindur prej nonjë nga Grekërit që kishin ardhur në Stagjyrë, po prej një stagjyraku vendas e qw ish maqedonas, domethënë thjesht Shqiptar..

Në kohët e Turqisë kanë dalë shumë Shqiptarë të ditur, që kanë shkruar libra e vjersha turqisht e arabisht. Vetëm vjershëtorët shqiptarë, që kanë shkruar vjersha turqisht, janë aq të shumtë, sa emrat e tyre mund të mbushin një libër të tërë. Jahja-Beu, që është një nga më të mëdhenjtë e nga më të dëgjuarit e vjershëtorëve turq, është Shqiptar, Dukagjinas.
Shqiptarët e kanë treguar gjithë jetën që janë të zotë edhe me kordhë edhe me penë, edhe me trimëri edhe me mënt e me dituri; e Shqipëria ka nxjerrë shumë njërëz të shquar e me nam të math, po nonjë nga ata s’ka punuar për Shqipërinë, e cila ka mbetur gjithnjë e varfër e e padëgjuar, e me djemtë e saj mburren të tjerë vënde e të tjerë kombe.
Është ndodhur një Shqiptar i zoti të ngjallë një Egjypt e të bëjë prej këtij vëndi të humbur e të prishur, si ish atëhere, një vend të pasur e të ndritur, si është sot. Një Mehmet-Ali, Shqiptar i pamësuar, u ndodh i zoti të shpëtonjë kështu një vënd të huaj e të largët, por kurrë një shqiptar s’është ndodhur t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë!

Lexo po ashtu:  Sun Tzu vs Carl Von Clausewitz: Kush ishte strategu më i madh i të gjitha kohërave?

Prandaj, duke mbaruar këtë fjalë, themi përsëri me hidhërim zemre që Shqiptarët kanë punuar gjithmonë për botën e jo kurrë për vetëhe. Vetëm një Skënderbe ka punuar në kohëra të shkuara për Shqipërinë, e vetëm ai është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.

Shënim: Marrë prej Vëllimit të Dytë të veprave seri të Sami Frashërit, botim i “Rilindjes”, Prishtinë, 1978, f.39-43

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *