A ka ndonjë vend ku ne mund të jemi vetvetja pa na gjykuar dikush? Ku mund të flasim lirshëm për çfarëdo lloj gjëje dhe ku mund të mbështetemi, sa herë të kemi nevojë? Unë them se përgjigja e këtyre pyetjeve është shtëpia e prindërve.

Për të kuptuar rëndësinë e shtëpisë së prindërve, duhet të pyesim një student që ka muaj pa shkuar në të, për shkak të një pune apo të një arsyeje tjetër. Mund të pyesim edhe dikë që i ka humbur të dy prindërit dhe ajo shtëpi nuk i duket më e njëjta.
Duke u shprehur nga eksperienca personale, në rrethanat në të cilat unë gjendem, mezi e pres momentin kur mundem të shkoj në shtëpinë time, në shtëpinë ku prindërit më presin krahëhapur dhe nga e cila nuk mund të largohem dot. Një dëshirë e brendshme më shtyn të qëndroj më gjatë në të, por i shtyrë po nga rrethanat, më duhet të largohem.

Në shtëpinë e prindërve jo vetëm gjen qetësinë, por edhe llastohesh pak prej tyre, sepse gjithmonë do të mbetesh “i vogli i mamit”, pavarësisht moshës që ke. Kjo nuk duhet të tregojë domosdoshmërisht parazitizëm, por një dëshirë për t’u kthyer sërish në fëmijëri. Të gjithëve na kap ndonjëherë momenti, kur duam të jetojmë edhe një herë lojërat e fëmijërisë, të ushqehemi gjithë kohës nga prindërit, të mos e vrasim mendjen për gjërat stresuese të rutinës sonë si të rritur, si dhe të duam e të pranojmë vetëm dashuri të pastër.

Lexo po ashtu:  Si t’i angazhoni fëmijët në mësime pa i stresuar

Jo më kot, krahasuar me botën e një të rrituri, fëmijëria mbetet periudha më e artë. Nëse e mendojmë disi më thellë këtë diferencë, e vetmja gjë që na mbetet në jetë, për aq kohë sa i kemi prindërit gjallë, është dashuria e tyre. Në botën e të rriturve, dashuria është e lidhur ngushtësisht me interesin, dhe egoizmi e indiferenca zënë një pjesë të rëndësishme të saj. Në kontrast me këtë, në shtëpinë prindërore gjen qetësinë, atë paqen shpirtërore që të mungon nga personat e ligë që takon përditë. Gjen në fund të fundit, vetveten, sepse vetëm aty mund të jesh ti, me gjithë të metat apo virtytet e tua.

Këto janë arsyet se pse neve nuk i ndahemi dot shtëpisë së prindërve që na thërret gjatë gjithë kohës ta vizitojmë. Më shumë se shtëpisë, ne nuk i ndahemi dot prindërve, sepse e dimë thellë brenda vetes se ata kanë qenë, janë, dhe do të mbeten muri më i fortë ku mund të mbështetemi, pavarësisht moshës që ne kemi.

Lexo po ashtu:  Habisin mjekët «Keni gabuar gjithë jetën, ja pse fëmijët duhet të flenë me mamatë deri në moshën 3 vjeçare»

Unë të kërkoj vetëm që prindërit të mos i harrosh. Nëse jeton larg, mundohu t’i telefonosh, sepse sot, fakti që nuk ke ofertë, është thjesht një justifikim. Një nga të mirat që rrjetet sociale kanë sjellë në jetën tonë, është komunikimi nëpërmjet internetit, ndaj, edhe nëse nuk do të kesh ofertë, gjatë kohës së kafesë në një lokal, hyr në internet dhe telefonoji. Ata kanë nevojë për ne, po aq sa ne kemi nevojë për ta.

Dhe mundohu t’i vizitosh, jo vetëm sepse ata ndihen më mirë, por sepse edhe ti do të ndihesh më mirë; edhe ti do ta ndjesh të nevojshme të kthesh kohën pas dhe të kujtosh gjithë fëmijërinë tënde me prindërit e tu; edhe ti ke nevojë të kujtosh mësimet e tua të para që i ke marrë pikërisht në atë shtëpi; edhe ti do ta ndjesh qetësinë shpirtërore që shtëpia e prindërve të fal, bashkë me ata brenda. Unë uroj edhe që Zoti t’i falë jetë prindërve të tu, në mënyrë që kjo qetësi të zgjasë sa më shumë edhe për ty! / Fatjon Xhafaj /

Lexo po ashtu:  Thënie për nënën, fjala më e bukur në buzët e njeriut

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *