TikTok njoftoi se do të ndalojë së ofruari aplikacionin në Hong Kong pasi rajoni miratoi një ligj të sigurisë kombëtare që i jep fuqi të zgjeruara autoriteteve kontinentale kineze. “Së fundmi, ne kemi vendosur që të ndalojmë përdorimin e TikTok,” tha një zëdhënës i qeverisë për Axios.

Kompanitë teknologjike globale që operojnë në Hong Kong shprehën shqetësimin e tyre se ligji i ri mund t’i detyrojë edhe ato që t’i nënshtrohen censurimit të Kinës. Google, Facebook dhe Twitter kanë ndaluar përpunimin e kërkesave për të dhënat e përdoruesve nga qeveria e Hong Kong-ut. Por nga ana tjetër, TikTok po përballet me kontroll të ashpër në SHBA. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, tha në një intervistë për Fox se “qeveria po mendon që të ndalojë TikTok dhe aplikacione të ngjashme kineze”. Ai shtoi se njerëzit mund ta shkarkojnë aplikacionin vetëm “nëse duan që të dhënat e tyre personale të jenë në duart e partisë komuniste kineze.” Javën e kaluar, TikTok u ndalua të përdorej në Indi së bashku me dhjetëra aplikacione të tjera kineze. TikTok – i cili është në pronësi të ByteDance me bazë në Pekin – është kritikuar në mënyrë të përsëritur nga politikanët amerikanë në lidhje me sigurinë kombëtare për shkak të lidhjes së pretenduar me qeverinë kineze. Ata pretendojnë se kompania mbështet partinë komuniste të Kinës.

Lexo po ashtu:  Shfletuesi i ri i Microsoft dërgohet tek 1 miliardë përdorues të Windows 10

TikTok i ka mohuar akuzat duke thënë se operon veçmas nga ByteDance dhe thekson se qendrat e të dhënave janë vendosur plotësisht jashtë Kinës. Një zëdhënës i kompanisë tha për CNN se “shqetësimet e sigurisë kombëtare janë të pabazuara”.

TikTok është shkarkuar 315 milionë herë në tre muajt e fundit duke u bërë aplikacioni me më shumë shkarkime në histori, sipas Sensor Tower (platformë që grumbullon dhe analizon të dhënat për shkarkimet e aplikacioneve). Tani, është ende e paqartë se si do të vijojë TikTok në të ardhmen dhe a do të ndalohet në shtete të tjera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *