Nga Chris Smith

Një film i ri ”The Courier”(Korrieri), me protagonist aktorin Benedikt Kamberbaç, rrëfen historinë e shitësit, Grenvi Uajn, të mbërthyer në botën e turbullt të spiunazhit gjatë Krizës së Raketave Kubane. Filmi po shfaqet në kinema fill pas lajmit që bujshëm mbi Dejvid Smith, 57 vjeçarin me një pamje mëse normale, i punësuar si roje sigurisë në ambasadën britanike në Berlin, dhe që rezultoi të ishte rekrutuar si spiun nga shërbimi sekret rus.

Po pse bëhen spiunë njerëzit në dukje më se të zakonshëm?Në vitin 1988, dezertori i KGB-së, Stanisllav Levçenko, përmendi termin amerikan, MICE, që nënkupton “paratë”, “ideologjinë”, “shtrëngimin/kompromisin” dhe “egon”. Ai tha se ndjeshmëria ndaj këtyre faktorëve, ishte dobësia kryesore e një objektivi, e që mund të shfrytëzohej nga shërbimet e ndryshme sekrete.

Paratë

Zyrtarët e zhytur në borxhe, janë objektivat më të preferuara për rekrutuesit. Për shembull në vitin 1935, Xhon Herbert King, një nëpunës shifrues për Zyrën e Jashtme Britanike, kishte një problem. Ai ishte dëbuar nga shtëpia nga gruaja e tij, bënte një jetë shumë të kushtueshme, kishte një djalë dhe një të dashur për të mbajtur me para, dhe ndërkohë merrte një pagë të vogël.

Në këto kushte, ai u pa si një objektiv ideal për rekrutim nga shërbimi sekret sovjetik. Atij iu afrua Henri Pik, një spiun sovjetik, që pretendonte të ishte një biznesmen dhe pjesëtar i shtresës së lartë britanike. Pik e bindi nëpunësin që të ndryshonte gjendjen e familjes së tij.

Lexo po ashtu:  Fabula nga Aesop – “Gjuha”

King pranoi t’i shiste sekretet e Zyrës së Jashtme, të cilat besohej se do të përdoreshin për t’i siguruar Pik dhe një banke holandeze një avantazh të tregut të aksioneve. King iu premtua një pjesë e këtyre fitimeve, e cila arrinte në 100 paund në muaj. Por veprimtaria e tij përfundoi në vitin 1937, kur eprori i tij u thirr në Moskë gjatë spastrimeve të Stalinit. King u arrestua në vitin 1939, dhe u dënua me 10 vjet burg.

Ideologjia

Disa njerëz janë të gatshëm të rrezikojnë jetën për bindjen e tyre politike. Një individ i tillë ishte Donald Maklin, që u diplomua në Universitetin e Kembrixhit. Ai kishte pikëpamje të majta, të cilat u shndërruan në një besim ideologjik të verbër ndaj drejtësisë së kauzës komuniste sovjetike.

Në vitin e tij të fundit në universitet, 1934, ai u rekrutua nga NKVD (një agjenci e policisë sekrete sovjetike,paraardhëse e KGB-së). Maklin u udhëzua të heqë dorë nga aktivizmi i tij politik, dhe të bëhej pjesë e establishmentit britanik. Shumë shpejt ai iu bashkua Zyrës së Jashtme, ku u angazhua si një nga spiunët më të dëmshëm të brezit të tij.

Por Maklin nuk ishte i vetmi. Ai ishte anëtar i Pesëshes të Kembrixhit, ku bënin pjesë Kim Filbi, Gai Barxhes, Entoni Blënt dhe Xhon Kairnkros. Secili prej tyre u rekrutua nga shërbimi sekret sovjetik gjatë ose menjëherë pas përfundimit të studimeve në Kembrixh.

Lexo po ashtu:  Ministri sirian: SHBA po na gabit naftën, kontrollon 90% të rezervave

Si rezultat i edukimit të tyre solid, secili prej tyre ishte në gjendje të depërtonte në zonat më të ndjeshme të shtetit britanik, në Zyrën e Jashtme, Zyrën e Kabinetit, MI5, MI6. Pas demaskimit të tyre në vitin 1951, Maklin dhe Barxhes u arratisën në Moskë.

Shtrëngimi ose kompromisi

Në vitin 1946, Xhon Vasal nisi punë si asistent i atasheut të Marinës në ambasadën britanike në Moskë. Sidoqoftë, ai ruante një sekret. Vasal ishte një homoseksual në një kohë kur homoseksualiteti në Britani ishte i paligjshëm. Të dënuarit për homoseksualitet, përballeshin me dënime me burg.

KGB e zbuloi sekretin e Vasal, dhe arriti të realizojë disa fotografi komprometuese, për t’i përdorur si shantazh kundër. Në këto kushte në vitin 1956 Vasal u transferua sërish në Londër, në radhët e shërbimit sekret të marinës britanike.

Nga atje ai mund të siguronte një rrjedhë të qëndrueshme informacionesh sekrete, përfshirë sekretet teknike në lidhje me radarët dhe armët. Kjo punë, për të cilin Vasal u shpërblye mirë, zgjati deri në vitin 1962 kur ai u arrestua pas dezertimit të oficerit të KGB -së, Anatoli Golicin. Në vitin 1962, pas një skandali të madh që e tronditi qeverinë e Harold Makmilan, Vasal u dënua me 18 vjet burg, dhe u lirua në vitin 1972.

Lexo po ashtu:  Pashë një ëndërr

Të motivuar nga egoja personale

Për disa, spiunazhi është një mundësi për të manipuluar fshehurazi njerëzit përreth tyre, dhe për të dëshmuar kësisoj superioritetin e tyre. Një agjent i FBI-së, që ishte njëherazi spiun për llogari të sovjetikëve në vitet 1976-2001, Robert Hansen hyn pikërisht në këtë kategori.

Hansen kishte në dukje një jetë të zakonshme. Në fakt ai bënte një jetë të dyfishtë si spiun, duke pasur edhe një lidhje sekrete me një balerinë, të cilin e mbushte me dhurata të shtrenjta. Paraja ishte motivi fillestar për Hansen. Ai mori 1.43 milion dollarë në para dhe diamante nga eprorët e tij sovjetikë. Gjithsesi, Hansen ishte një njeri që e kërkonte vëmendjen me çdo kusht.

Ai u ndje i pavlerësuar nga drejtuesit e FBI-së, që sipas vlerësimit të tij, nuk arritën të njohin si duhet aftësitë e tij. Karriera e tij 2-dekadëshe si një agjent i dyfishtë, që përfshiu zbulimin e identiteteve të të paktën 9 spiunëve amerikane në Bashkimin Sovjetik, ishte një mundësi për të treguar superioritetin e tij ndaj kolegëve të tjerë në FBI.

Hansen po vuan aktualisht 15 dënime të njëpasnjëshme me burgim të përjetshëm, dhe spiunazhi i tij është përshkruar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si “ndoshta katastrofa më e rëndë e shërbimit sekret në historinë e SHBA-së”. / “The Conversation” /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *