Nga Rafael Behr

Në javët e para të rikuperimit, zhvillova aftësinë për të udhëtuar në kohë. M’u desh të kaloja shumë kohë në shtrat dhe duke qenë shpeshherë në kufirin midis gjumit dhe zgjimit, gjysmë i vetëdijshëm, zbulova se mund të eksploroja skena nga e kaluara ime me detaje shumë të hollësishme.

Pyesja veten nëse ishte një efekt anësor i ilaçeve që pija apo nëse do të ishte diçka e përhershme. Ishte një periudhë thuajse halucinogjene por jo e pakëndshme. Nuk mund të riprodhoja skena të tëra nga rinia ime, por munda të transportohesha në vendet e vjetra, dhe vetëm në ambiente të brendshme.

Mund të nuhatja aromën e lagështirës në tapetin ngjyrë qymyri në dhomën e ndenjes së banesës që mora me qira me miqtë kur përfundova universitetin. Mund t’i eksploroja këto hapësira me saktësi në majë të gishtave, centimetër pas centrimi. I thashë bashkëshortes se sulmi në zemër më kishte lënë me një superfuqi, edhe pse jo shumë praktike.

Ajo nuk ishte dhe aq e impresionuar sa unë. Pastaj kjo dhunti u zbeh. E kuptova më mirë pasi u largua. Kujtesa ime tepër e gjallë më kishte çuar në vendet ku dikur kisha jetuar dhe isha i lumtur. Ishte një shprehje lehtësuese dhe siguruese. Po i drejtohesha të shkuarës për të konfirmuar se ajo bashkohej me të tashmen dhe përmbante një urë drejt një të ardhmeje. Trupi im po përkëdhelte kujtimet e vendeve që dikur i kisha quajtur shtëpi. Nuk isha ende aq i fortë sa të dilja nga shtëpia dhe e kisha të ndaluar të punoja, gjë që do të thoshte se nuk i ndiqja lajmet. U shkëputa nga interneti por për habinë time, nuk u përhumba siç kisha frikë. E kisha provuar të shkëputesha nga telefoni më parë, gjatë pushimeve. Ishte po aq e vështirë sa kur lashë duhanin. Ekziston i njëjti shqetësim, e njëjta dridhje në duart pa diçka për të mbajtur, e njëjta ndjenjë e të qenit i përndjekur nga një mungesë.

Lexo po ashtu:  "Njeriu i arsyeshëm gjykon vetë, ndërsa injoranti ndjek mendimin publik." - Thëniet më të bukura kineze

Nikotina aktivizon receptorët në tru që çlirojnë dopaminën, një kimikat i fuqishëm që na bën të ndjehemi mirë. Ai çlirohet sa herë që bëjmë diçka të këndshme. Pra kur hamë një ushqim të shijshëm, kur zgjohemi pas një gjumi të mirë, kur shënoni gol në ndeshjen e fundjavës me shokët, kur kryeni marrëdhënie seksuale.

Aspekti tinëzar i cigares është mënyra se si ajo imiton kënaqësinë e kryerjes së gjërave. Media sociale luan me të njëjtin cikël të shpërblimit të rremë dhe dëshirës së përtërirë. Gazetarët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj Twitter sepse plotëson 2 orekse në të njëjtën kohë: detyrimin për të ditur se çfarë po ndodh dhe nevojën për një audiencë.

Edhe reagimi armiqësor e ushqen varësinë, ose sepse ndiheni të detyruar të mbroni veten ose sepse nuk dëshironi të dilni nga aty me një vlerësim negativ. Keni një shije të hidhur pas leximit të komentit abuziv, dhe mendoni se më shumë postime do ta zbehin efektin e tij.

Por është gjithashtu një lojë, që përmban një lloj të veçantë detyrimi. Është një garë për të fituar miq dhe ndjekës, pëlqime dhe ri-postime. Kërkimi për njohje, pavarësisht se çfarë thuhet apo ndahet, është motori tregtar i mediave sociale. “Produkti” është vëmendja, dhe nuk ka rëndësi nëse ajo që shkaktoi klikimin ishte fotoja e një maceje apo një video kundër vaksinave.

Koncepti i “ekonomisë së vëmendjes” u krijua përpara se atë ta shkruante interneti në modelin e biznesit të një industrie multi-trilionë dollarëshe. Ai u teorizua për herë të parë në vitet 1970 nga shkencëtari kompjuterik dhe psikologu fitues i Çmimit Nobelit, HerbertA.Simon.

Ai shkroi ndër të tjera: “Në një botë të pasur me informacion, pasuria e informacionit nënkupton mungesën e diçkaje tjetër: mungesën e çdo gjëje që konsumon informacioni. Ajo që konsumon informacioni është mjaft e qartë: ai konsumon vëmendjen e marrësve të tij. Prandaj një informacion i pasur krijon një varfëri të vëmendjes”.

Lexo po ashtu:  Nga qumështi, tek sheqeri, molla e kafeja: Ja disa nga mitet e rreme që ekzistojnë mbi ushqimet

Pra sa më i mbushur me njerëz të jetë tregu i informacionit, aq më e vështirë është për faktet jo shumë të bujshme që të konkurrojnë me të tjerat. Ato kanë nevojë për doza më të larta “erëzash”. Në politikë, kjo krijon stimuj për provokime të qëllimshme. Një nga mënyrat për të tërhequr vëmendjen e një auditori të madh, është të nxisni zemërimin e një audience më të vogël.

Në politikë, tërbimi i palës tjetër mund të jetë një teknikë efektive e fushatës për të përforcuar një mesazh thelbësor. Opinionet ekstreme janë dyfish fitimprurëse. Ato përhapen në fillim nga ata që pajtohen me to plot pasion, dhe pastaj nga pala tjetër si shembuj të gabimit.

Arena ku debatohen lajmet dhe idetë është përfshirë në furi emocionale, e cila nuk është një gjendje mendore e favorshme për moderimin e matur.

Disa nga teknologjitë më të sofistikuara të zhvilluara nga speciet tona janë krijuar bazuar tek ana më primitive e natyrës sonë. Pastaj ato i vendosëm në zemër të demokracisë. Sigurisht, kompanitë e teknologjisë nuk synonin të korruptonin demokracinë.

Por egërsia e debatit dhe tkurrja e hapësirave neutrale ku mund të jetë i disponueshëmkompromisi, ndodh që të imponohet nga logjika e tregut, dhe rrjeti është gjithashtu një shesh publik. Dhe dëmet janë të mëdha. Fjala është për një sulm strukturor mbi themelin e përkatësisë kolektive në një komunitet të vetëm politik.

Është e vështirë të kesh një debat mbi mënyrën më të mirë të veprimit kur hapësira e informacionit është ndarë në zona komforti, secila me barrikadën e vet mbrojtëse kundër argumenteve shqetësuese. Në një sferë kaq të zbërthyer, post-publike, është e vështirë të biesh dakord për atë që ka rëndësi, madje është e vështirë të zgjidhësh një llogari standarde të asaj që përbën realitet.

Lexo po ashtu:  Një transplant zemre thyen rekordin botëror

Aspekti më delikat dhe më i dëmshëm i medias së post të vërtetës është sasia e energjisë së konsumuar në garën e përcaktimit të fakteve bazë që as nuk duhet të kontestohen. Kjo përshpejton gërryerjen e besimit tek institucionet civile.

Pasi ndalova lundrimin në rrjet, u bëra i vetëdijshëm për një ndryshim të dukshëm në ritmin mendor që ndodh kur nuk i ndërprisni më proceset tuaja të mendimit me një ekran të ndritshëm. Sigurisht disa kontakte me mediat sociale ishin të pashmangshme sapo u ktheva në punë (edhe pse rregulli është rrallë në fundjavë, asnjëherë në pushime).

Me një higjienë dixhitale të mjaftueshme – vendosja e opsioni të privatësisë maksimale; bllokimi dhe heshtja e të çmendurve – mund të jetë një burim i bollshëm të dhënash dhe idesh. Për çdo troll maniak që më është dashur të injoroj, ka shumë zëra të mprehtë dhe të zhytur në mendime.

Ka shumë njerëz që nuk i kam takuar kurrë jashtë linje, por mendja e shëndoshë dhe humori i mirë në internet më kanë ndihmuar të ruajt ekuilibrin tim mendor. Ende zemërohem me disa gjëra që lexoj në rrjet, por jam më mirë kur di të bëj dallimin se cila pjesë e zemërimit është organikisht e imja dhe sa është sintetike, një substancë helmuese që buron nga makineria që unë përdor për punë.

Pas gati 2 vjetësh si pacient kardiak që ndiqesha në vijimësi nga mjeku, u detyrova t’i nënshtrohesha një testi të koronareve. Testi nuk zbuloi asnjë bllokim të fshehur, duke treguar vetëm dëmin që unë e dija se i ishte bërë tashmë zemrës sime me vitet e të jetuarit në mënyrë jo të shëndetshëm. / Marrë me shkurtime nga “The Guardian” – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *