Izraeli kryeson përpjekjen botërore për vaksinimin ndaj COVID-19, duke arritur të vaksinojë në rreth dy javë gati 15% të popullsisë së tij prej 9.3 milionë banorësh. Ky vend duket se bleu herët dhe shtrenjtë vaksinat, ndërkohë që ngriti një sistem të modernizuar të shpërndarjes dhe po vaksinon në masë popullsinë në qendra masive të ngritura posaçërisht për këtë qëllim.

Izraeli është një vend i vogël dhe i pasur, me një sistem universal të kujdesit shëndetësor. Kjo mund të shpjegojë se si Izraeli është shndërruar në lider botëror në përpjekjet e vaksinimit ndaj COVID-19.

Ai vend ka vaksinuar 15% të popullsisë së tij prej 9.3 milionë banorësh në më pak se dy javë. Izraeli i bëri porositë herët, pagoi shuma të mëdha dhe dixhitalizoi sistemin e shpërndarjes. Vendimi i parë i rëndësishëm ishte pagesa e lartë për të marrë vaksinat e para.

Autoritetet e Izraelit nuk kanë thënë publikisht se sa kanë paguar për vaksinën e prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech. Por, një zyrtar pretendoi se ishte në rreth 30$ për vaksinë – pra dyfishi i çmimit që paguan vendet e tjera.

Lexo po ashtu:  Nuk ikën se do ushqenin kafshët. Gjenden të vrarë 2 punonjës të kopshtit zoologjik në Kharkiv

Kompania Pfizer tha në një deklaratë se përdor “një formulë të përshkallëzuar të vendosjes së çmimit bazuar në volumin dhe datat për shpërndarjen”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Në vazhdim, Izraeli u ofroi kompanive farmaceutike një shpërndarje të shpejtë që mund të shërbejë si një model për pjesën tjetër të botës.

Për të përshpejtuar procesin u ngrit për shembull një qendër e madhe vaksinimi në Tel Aviv.

“Kemi rreth 30 qendra ku infermieret e spitalit tonë po vaksinojnë të gjithë popullsinë, jo vetëm Tel Avivin. Po veprojmë me një ritëm prej 5 – 7 mijë vaksinimesh në ditë këtu. Është një operacion gjigand“, thotë Dr. Ronni Gamzu, drejtor i spitalit “Ichilov” dhe ish-drejtues i përpjekjes së Izraelit ndaj pandemisë.

Për ta përshpejtuar më tej procesin, u krijuan madje qendra, si në qytetin Haifa, ku mund të vaksinohesh pa dalë nga makina.

“Mund të vaksinojmë këtu mbi 2 mijë pacientë në një mënyrë shumë të sigurtë në makinën e tyre; pa u dashur të dalin fare nga makina. Prandaj është shumë e sigurtë dhe shumë efikase“, thotë Dr. Galit Kaufman e shërbimit shëndetësor në Maccabi.

Lexo po ashtu:  Shkencëtarët rusë njoftojnë nisjen e ekesperimenteve mbi neutrinon në centralin bërthamor të Novovoronezhit

Megjithatë fushata e vaksinimit nuk është zhvilluar pa kritika dhe pengesa. Palestinezët në territoret e pushtuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës do të presin gjatë për vaksinat. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se do të fillojnë të marrin dozat e para në shkurt, nëpërmjet Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kundërshtarët politikë të zotit Netanyahu e akuzojnë partinë e tij të djathtë Likud, se përdori fushatën e vaksinimit për përfitim politik përpara zgjedhjeve të 23 marsit. Ata thonë se zotit Netanyahu i mungon një strategji afatgjatë për t’u përballur me ndikimin nga COVID-19, akuza të cilat qeveria i mohon.

Izraeli është në periudhën e tij të tretë të izolimit dhe përballet me recesion dhe papunësi të lartë, megjithëse deri më tani u është shmangur vështirësive të vendeve të tjera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *